Por Maksimiliani I, i njohur atëherë si një Princ që i pëlqente të panjohurat kërkonte të akordohej pikërisht aty, në vendin që e tërhiqte që nga emri, dhe që nga larg dallohej nga një reliev i mrekullueshëm. Për miqtë, e tij, apo ushtarët që e ndoqën deri në këtë ishull të largët të Ballkanit, ndalesat gjatë rrugës nuk ishin më të papritura, pasi Princit i pëlqente të eksperimentonte. Një djalosh ëndërrimtar, ashtu siç e cilësojnë ende biografët, Maksimiliani tërhiqet pas çdo detaji që i shfaqet në formën e natyrës në vendin me një bukuri të "egër" siç e quan ai Shqipërinë.
"Kush e njeh Albaninë? Kush ka udhëtuar atje? Bota dëgjon vetëm për shqiptarët e pashëm, me trupa të rregullt, të cilët shëtisin nga një kafene në tjetrën në qytetet bregdetare jugore të Evropës të veshur me fustanellat e tyre dhe qeleshe. Petku piktoresk i tyre u jep një epërsi të sigurt në maskerada deri tek i pispillosuri më i parëndësishëm", shkruan Maksimiliani.
I gjithë udhëtimi i një Princi të njohur për një dashuri ndaj botës, do të përshkruhet nga vetë ai në shënimet që mbajti gjatë kthimit në atdheun e tij. Ato shënime, brenda të cilave rrëfeheshin ditët e tij në Shqipëri, do të ruheshin për vite me radhë si kujtimet më të bukura të një udhëtimi, që nëse i referohemi mënyrës sesi rrodhi jeta e tij nuk do të kthehej më kurrë. Këto kujtime Perandoresha Karlotë do t‘i dëgjonte çdo mbrëmje gjatë shëtitjeve për krah tij. Kjo grua me të cilën Maksimiliani ndau jo vetëm dashurinë, por dhe bindjet e tij për drejtimin e vendit do të shprehej më vonë se ëndrra e saj ishte të mbërrinte në vendin që Maksimiliani i kishte folur aq shumë.
Por ajo çfarë është interesante në shënimet që tashmë mund t‘i lexosh në libër të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, është fakti se Maksimiliani kërkon të depërtojë brenda psikikës së njerëzve dhe natyrës. Ai është përshkrues pasionat i çdo lëvizjeje të natyrës, duke dhënë një nga tablotë më të bukura që Shqipëria mund të ketë pasur në letër dhe aq më tepër nga një Princ.
Ja një moment kur anija ankorohet në ujërat shqiptare. Ja si e përshkruan Maksimiliani këtë moment: "Ankorimi ynë ishte i rrethuar nga panorama e përsosur. Para nesh buzëqeshte një rrafshinë e mbjellë me pemë ulliri dhe e kufizuar nga shkëmbinjtë e zhveshur të Shkodrës, në projeksionin e të cilëve ngriheshin minaret e kështjellës së Tivarit. Në të djathtën tonë, një rrip toke e gurtë e zhveshur mbronte radën ndaj stuhive, që vinin prej juglindjes. Në të majtën tonë shtriheshin malet e zhveshura nga gjigante të Malit të Zi, të cilat mbulohen aty-këtu me dru pishash, dhe në bregun me rërë të radës, asgjë nuk shihet veçse ndërtesa e doganës. Heshtja mbretëronte përreth, një qetësi e cila mbrëmjeve bëhej tërësisht e padurueshme".
Kujtimet e Maksimilanit na japin dhe një tablo të jetës në vitet 1853. Koverta e tij e bukur sigurisht që do të binte në sy të djelmoshave shqiptarë, që ishin të etur për gjithçka të huaj që mbërrinte në bregun e tyre. Maksimiliani vë re çdo detaj. "Ndërtimi i kishave është i ndaluar në Albani, dhe kremtimi i meshës është i lejuar të mbahet me vështirësi të madhe dhe në kasolle. Edhe sikur të ishte ndryshe nuk ka fonde. Roma është kaq e shtrënguar saqë nuk mund t‘i japë ndihma të mjaftueshme ndokujt. Për më tepër si nëna e të gjithë katolikëve të krishterë, ajo nuk mund të kujdeset veçanërisht për Albaninë. Kështu Austria është i vetmi vend katolik, i cili në të vërtetë e mbështet atë, paguan peshkopët e tij dhe mjaft pastorë, por financat e saj të dobësuara nuk e lejojnë për një shtrirje të gjerë", shënon Maksimiliani.
Qyteti i Shkodrës është ndoshta një nga qytetet historia e së cilit është shumë e lehtë për t‘u kujtuar, falë dhe impresioneve që kanë hedhur në letër udhëtarët që e kanë vizituar kohë më parë. Ja si e përshkruan Pazarin Maksimiliani: "Ne u pritëm në Pazar nga shumë farë lloje njerëzish të rreckosur, mes të cilëve disa vajza zeshkane, bukuroshe cigane, të mbështjella me vello të bardha piktura të vërteta të Bajaderes Indiane, me sy të zeza të ndritshme, dhe flokë të zeza të harlisura. Duke qenë se ato nuk janë muhamedane, por Perëndia vetëm e di se çfarë besimi i përkasin, janë të lejuara të paraqiten në publik me fytyra të zbuluara. Pazari, si të gjitha vendet e Gjysmëhënës, përbëhej nga baraka druri, të cilat qëndronin pranë njëra-tjetrës të hapura përpara, me çati të varura dhe të ndara nga udha kryesore me një kuti në të cilën tregtari dhe prodhuesi uleshin së bashku përtueshëm me këmbët e kryqëzuara. Sapo përmendet pazari, dikush nuk duhet të përfytyrojë Izmirin, pasi këtu gjendet veçse një rrugicë e mjerë e mbushur me mallra, rrallë, një herë në javë me vetëm pak punëtorë të vjetër turq, me mjekra të bardha dhe gjyzlykë dhe disa djem shitës me fytyra verdhacuke dhe të habitura prej budallai".
Përshkrimet e Maksimilianit janë të gjitha të ndjera. Aq sa kur lexon atë beson ato çfarë thonë ende për të se ai "është një romantik i lindur".
Vepra "Kujtimet e jetës sime nga Shqipëria" fillimisht ishte menduar për publikim dhe vetëm 50 kopje u shtypën në "Geheime Stadtsdruckerei" (shtypshkronjë konfidenciale shtetërore ), në Vjenë, për familjen dhe miqtë e tij. U shkrua shkurtimisht pasi ai arriti maturinë. Maksimiliani pati lindur në Schonbrunn, më 6 korrik 1832. Ky rrëfim ka nisur më 30 korrik 1857 dhe përfundon më 19 janar 1860 ndërsa zbulonte bukuritë e Mato Virgem, pyjet e lashta të Brazilit.
Ideja e publikimit të kësaj vepre i erdhi ndër mënd Maksimilianit, vetëm pak kohë, para se atij t‘i propozohej hipja në fronin e Meksikës. Ai e la në mirëbesim mbikëqyrjen e saj, përmes shtypit, kujdesit të Baronit Mungbellinchhausen, i mirënjohur në letërsinë gjermane nën pseudonimin Frederik Halm. Edicioni i parë gjerman i 4 vëllimeve të para u publikua prej zotërinjve Duncker dhe Humblot në Leipzig në gusht të 1867. I pesti, i gjashti dhe i shtati u botuan më 24 tetor 1867.
Faktorët politikë i nxitën publikuesit gjermanë të shtyjnë botimin drejt mbylljes së atij viti, por këto pengesa u hoqën më 1866-ën. Në Meksikë, perandori merrej me ripunimin e saj, duke shënuar korrigjimet, shtesat dhe mbi të gjitha ndrydhjet, të pasqyruara në mënyrë të pashmangshme, në masë të madhe, prej punëve politike të ndryshueshme, të shtetit, të cilat ishin shfaqur papandehur. Këto rrethana shkaktuan shtytjen e paraqitjes së librit, edhe njëherë. Çështjet do të mund të kishin mbetur në të njëjtën gjendje edhe sot, sikur të mos ishin lajmet për vdekjen e Maksimilianit, që detyruan Perandorin Francis Joseph të kishte dhembshuri vëllazërore, e të jepte urdhrat për të rifilluar dhe kompletuar daktilografimin e veprës. Botuesit gjermanë janë në zotërim të kontratës për publikim të firmosur në emër të Perandorit Maksimilian, prej Konsullit Gjeneral Meksikan, Staatsrath Herzfeld, dhe drejtorit të Përgjithshëm dhe prefektit të bibliotekës së oborrit. Kjo u jep zotërinjve të drejtën e botimit.
Përmes autoritetit të kësaj kontrate, duke vërtetuar vlefshmërinë e saj, qeveria anglosaksone i dha së kërkuarës "Verlagschein" lejen për të publikuar librin. Dy edicione të botimit gjerman janë nxjerrë 8 muaj dhe i treti është në përgatitje. E drejta për ta përkthyer në anglisht u ble nga kapiteni Otto Corvin dhe prej tij u shpërngul te botuesi anglez. Edicioni origjinal gjerman nuk përmbante as ndonjë parathënie as, hyrje, dhe si pasojë përkthimi anglez nuk e kishte një të tillë. Në një periudhë më të vonë, e daljen e përkthimit të veprës në frëngjisht, botuesit gjermanë i dhanë materialit një parathënie prej së cilës mund të gjesh disa detaje. Ja si shkruan botuesi francez për Maksimilianin. "Princi zotëronte një shpirt të flaktë, entuziast zemër të ngrohtë, e të dashur, mendjemprehtësi të gjallë për gjithçka, që ishte e bukur dhe fisnike, imagjinatë poetike, ëndërrimtar dhe në thelb romantik. Kjo cilësi e fundit ishte veçanërisht e dukshme tek ai. Ishte kjo, me të cilën Princi krenohej më shumë, me veten. Përfytyrimi i gjallë dhe i ndjeshëm, kthesa kalorsiake dhe romantike e kujtesës, e vëzhguar tek ai në fëmijëri, e cila qëndroi e tillë deri në vdekje ishin karakteristika të Maksimilianit, dhe mund të japin në vetvete disa shpjegime për fatin e tij të çuditshëm tragjik. Gjykime të vrazhda i janë atribuuar Maksimilianit prej armiqve të tij. Ai ka qenë deklaruar se ishte ëndërrimtar ambicioz, dikush i cili ishte i kënaqur t‘u shmangej vështirësive të pozicionit dhe një njeri i cili me padurim gjeti rastin të vendoste kurorën mbi ballin e tij. Gjithë ankthet dhe skrupujt e tij, neveria e thellë e cila i solli hezitimin për një kohë të gjatë, para se të pranonte kurorën, nuk janë vënë re prej këtyre personave, të cilët harrojnë se sa herë refuzoi ai, për t‘u deklaruar Perandor".
Ai lundroi nga Trieste në fregatën austriake "Novara‘ dhe zbarkoi në Vera Kruz më 24 maj. Perandori dhe perandoresha përgatitën hyrjen e tyre publike në Meksikë më 12 qershor 1864, në mes të brohoritjeve të njëzëshme. Gjatë tri vjetëve Maksimiliani u mor me riorganizimin e perandorisë së tij, por lufta civile e shfrytëzuar kundër tij, prej udhëheqësve kryengritës frenoi të gjithë procesin mirëbërës. Tërheqja e ushtrisë franceze e la të vetëm të luftonte me armiqtë e tij, dhe me shpejtësi shkaktoi triumfin e tyre. Më 5 shkurt Maksimiliani e la Meksikën për t‘u vënë në krye të ushtrisë së tij për t‘u ndeshur me Juarez-in. Ai u mund dhe përfundimisht u tradhtua prej oficerit të tij tradhtar, Lopez, për 3000 ounce ar. Ekzekutimi i tij pasoi menjëherë, Maksimiliani u qëllua më 19 qershor. Kjo është një prej ngjarjeve më melankolike të kohëve moderne. Përpjekjet dhe ankthet mendore mund të përshkruhen më së miri prej fjalëve të Maksimilianit të shkruara në mbrëmjen e vendimit fatal, i cili ishte, dërgimi i tij në Meksikë: "Duhet të ndajë veten, përgjithnjë nga vendi im i dashur, toka e bukur e viteve të para? Uromëni atëherë të lë djepin tim të praruar dhe të pres lidhjen e shenjtë, e cila më bashkon mua me vendin tim - toka në të cilën kanë kaluar vitet më të shkëlqyera të fëmijërisë sime, aty ku kam provuar ndjenjat e bukura të dashurisë fillestare…Oh! Më mirë më lini të ndjek jetën time të qetë, të pavënë re, përgjatë buzë-rrugëve të hijeshura me mërzinë. Besomëni që studimi i shkencës dhe kultivimi i Muzave është më i hirshëm për mua sesa shkëlqimi verbues i arit dhe diamanteve!".
Qyteti
Pjesa e brendshme e qytetit ishte një rrëmujë e rrugëve të pista, të pjerrëta, të ngushta e plotësisht të mjera, në të cilat kushdo mund të pengohej në plehrishte. Stili i arkitekturës së shtëpive ishte pjesërisht venecian, me zanafillën prej sunduesve të mëparshëm dhe pjesërisht turk, me ballkonet e drunjta të zgjatura dhe rrjeta lakmuese.
Albania
Na drejtuan te një xhami, e cila më shumë i ngjante një magazine boshe të braktisur ose një teatri të hershëm fshatar, sesa një shtëpie të Zotit. Më pas shkuan në një vend të vogël në mur, i cili projektohej lart në një shkëmb prej të cilit na paraqitej një pamje mbi fushën e qetë, e më të harlisur me gjelbërim e përqafuar prej maleve të ngurta madhështore dhe harkuar prej qiellit të pastër të mbrëmjes. Duke vështruar edhe këtë shtresë toke u bëmë vigjilentë për faktin ende më të dallueshëm në udhëtimin tonë të mëtejshëm se pika më e largët e Albanisë austriake, lumenjtë e gurtë dhe toka pa pemë, që shtrihej deri në det, mbaronte edhe shndërrohej në Albaninë turke, në një fushë të pasur me lumenj të plotë dhe pyje të dendura. Sa të admirueshme do të ishin këto vende me një tjetër popullsi dhe një tjetër sundimtar. Këto pasuri të natyrës shtrihen tashmë bosh, turqit janë shumë dembelë për t‘i përdorur, dhe për kristianët, puna është bërë shumë e vështirë. Si mundet të kultivohet kjo tokë pjellore pemët e së cilës mund të përdoren për ndërtim anijesh, dhe lumenjtë për të lundruar. Për më tepër gjenden mjaft kristianë në këtë popullsi dhe veçanërisht elemente katolike. Në rrafshinë na u tregua një fermë e madhe e përsosur me shtrirje të konsiderueshme e rrethuar nga mure të forta. Ajo i përkiste komandantit të marrë dikur në mbrojtje nga pashai i Shkodrës, por tashmë i përkiste Agait. Prona ishte e siguruar nga shtypja e padrejtë hajdutëria dhe padyshim ishte çmimi i lotëve dhe psherëtimave të mjaft kristianëve!
Marre nga : Gazeta Shqip











