Ermonela Jaho Ju tregoj prapavijen ne Covent Garden

Ermonela Jaho: Ju tregoj prapavijën në Covent Garden

Dhe miqësinë me Netrebkon
Të zëvendësonte profesionalisht Anna Netrebkon, nuk përbënte ndonjë ngjarje të madhe për Ermonela Jahon, por të zëvendësonte imazhin e saj, padyshim që ishte. Në datat 17, 20 dhe 23 janar në kalendarin e Royal Opera House (Covent Garden) në Londër, emri i sopranos bukuroshe ruse Anna Netrebko, që duhet të interpretonte Violetën në "La Traviatën" e Verdit, u zëvendësua nga ai i sopranos shqiptare, Ermonela Jaho. Kritika e "ftohtë" angleze tha fjalët më të mira për sopranon, e cila në fund të muajit shkurt do të interpretojë një tjetër Violetë në Teatrin e Zagrebit në Kroaci e në mars në "Metropolitan", teatrin më të madh në botë, në Neë York. Për të vazhduar me "Manon" në Marseille të Francës, "La Rondine" në Trieste, "Carmen" në Francë e Angli, "Anna Bolena" në Paris, etj.

Pasi kanë kaluar disa ditë nga shfaqja e fundit, Ermonela Jaho, vazhdon të marrë letra dhe e maile urimi nga spektatorë. Njerëz të panjohur që nuk e fshehin se u zhgënjyen nga zëvendësimi i Netrebkos, por që do të ishin të lumtur të kishin një autograf të Ermonelës. Tani sopranoja ka pak më shumë kohë për të reflektuar. Ende nuk i besohet se si gjithçka ndodhi aq shpejt. Se si mundi të mposhtë dhimbjen e humbjes së njeriut më të dashur, nënës. Për herë të parë sopranoja tregon për ftesën urgjente në mëngjesin e 16 janarit në Neë Jork, ngurimin, "stepjen" para imazhit të Netrebkos, vendimin, kohën e shkurtër të përgatitjes, zhgënjimin e publikut para shfaqjes, emocionet dhe në fund, ndjesia e të qënurit një yll. Violeta shqiptare zbulon paskuintat e interpretimit të saj në një produksion klasik, që ka 16 vjet që i reziston kohës, por edhe fijet që lidhin artin me biznesin.

Ndoqëm përmes internetit "bujën" e zëvendësimit të Anna Netrebkos në operën "La Traviata" në Londër, si ndodhi që u patë si shpëtimi emergjent i shfaqjes?

Ishte e mërkurë, data 16 janar. Isha në Nju Jork, në shtëpinë time. U ngrita nga gjumi si zakonisht, duke u marrë me gjërat e shtëpisë dhe më pas shkova në studion time, për studimin e përditshëm. Mora një telefonatë nga menaxherët e mi, të cilët më njoftuan që në "Covent Garden" ka një urgjencë. Kërkonin një Violetë pasi Anna Netrebko ishte e sëmurë, por akoma nuk e kishte fshirë shfaqjen. Megjithatë drejtuesit e teatrit kërkonin një soprano të suksesshme, për të qenë gati në rast se do ishte e nevojshme të këndonte të enjten, më 7 janar.

Reaksioni i parë?

Fillimisht ngurrova, jo pse nuk më kishin ndodhur raste të tilla herë të tjera, por është "Covent Garden" dhe e di që shumë sponsorë në Londër, në Gjermani dhe Austri, shtëpi diskografike, sponsorizues rusë etj., kishin sponsorizuar pjesëmarrjen e Anna Netrebkos. Ata janë dhe publiku i zgjedhur që vjen në "Covent Garden". Rreziku ishte i madh. Jo pse nuk isha në nivelin e atij Teatri, por kur je në një ambient të tillë dhe zëvendëson një figurë biznesi, ku në radhë të parë vjen ana materiale pastaj ajo artistike, sigurisht ngurimi është pak më i gjatë. Sfidë e madhe për shumë arsye.

Megjithatë pranuat, çfarë ju preku në sedër?

Ngurrimi nuk zgjati shumë. Në jetën e artistit këto janë raste jo normale që vënë në provë anë të tij, psikologjike, shpirtërore dhe profesionale, sidomos kur synimet janë për të qenë numri 1. Këtë kurajo ma dha dhe një zë i brendshëm. Humba nënën para 4 muajsh, shumë të re, 58 vjeç. Erdhi e papritur dhe ende nuk mund ta besoj. Një humbje e atillë nuk mund të krahasohet kurrë me një humbje karriere. Nëse nuk shkonte mirë do më digjej karriera, por do mbijetoja, nënën nuk ma kthen dot më asgjë në botë...

Interpretuat më 17 janar, shumë pak kohë në dispozicion, si mundët të dilni në skenë?

Udhëtova në të njëjtën ditë, të mërkurën mbasdite dhe arrita në Londër paraditen e së enjtes. Isha ende në aeroport për të pritur valixhen dhe asnjë telefonatë nga teatri. Kështu ishte më mirë, do të flija pak dhe do të rikuperoja diferencën e orës mes Londrës dhe Nju Jorkut. Por kjo qetësi nuk zgjati më shumë se disa minuta. Bie telefoni dhe nga teatri më thonë që Anna sapo komunikoi që nuk do të këndojë në darkë, kështu që duhet të paraqitesha direkt në teatër për të provuar kostumet, parruket etj. Kishin mbetur vetëm 5 orë, deri në fillimin e shfaqjes. Ndërsa provoja veshjet dëgjoja shpjegimet e regjisorit. Më pas një diskutim prej 45 minutash me dirigjentin për kohët. Ndihesha komplet e mpirë. Arrita në kohë të ngroh zërin dhe t'i bëj vetes një terapi të tillë, që unë i përkisja asaj skene. Nëse do të mendoja për të tjerët që kishin bërë 1 muaj prova, atëherë unë isha tërësisht jashtë.

Si reagoi publiku kur mësoi zëvendësimin e Annës?

Vetëm 5 minuta përpara shfaqjes, drejtori i teatrit doli përpara publikut dhe lajmëroi për ndërrimin e sopranos. Njerëzit kishin ardhur dhe paguar posaçërisht për Netrebkon dhe një komunikim i tillë bëri të gumëzhinte salla nga pakënaqësia. Pastaj u prezantua emri im: "sopranoja shqiptare Ermonela Jaho". Por përsëri u ndje pakënaqësia e 2500 vetave publik.

Ju stepi ky reagim?

Dridhesha e tëra pas kuintave, më dukej sikur nuk mbaja mend më asnjë fjalë. U hap perdja. Ju besohet që nuk kisha hyrë asnjëherë në atë skenë, nuk kisha parë akoma fytyrat e protagonistëve kryesorë, me të cilët duhet të komunikoja? Nuk po shikoja ku ishte dirigjenti... Por nuk e di se ç'ndodh në trurin human. Kemi një potencial energjish, që i zbulojmë tek vetja jonë në momentin kur nuk kemi zgjidhje të dhëna. Duhet të mbijetosh. Fillova operën shumë e emocionuar. Çuditërisht zgjati vetëm 3 minuta. Më pas mora situatën në dorë. Mu duk sikur kisha kënduar edhe herë të tjera aty dhe ja, pas "Brindisit", pas duetit, shpërthejnë duartrokitjet e para. Fillova dhe mbarova arien e parë të aktit të parë dhe në tingujt e fundit të saj, pupliku ngrihet në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur "Bravo!", "Brava!". Filloi akti i dytë, akti i tretë dhe erdhi fundi i shfaqjes. Dola vetëm për të marrë duartrokitjet dhe pashë publikun në këmbë, të përlotur dhe tepër entuziast. U përula në gjunjë dhe me lotë në sy qëndrova gjatë, duke falenderuar publikun.

Ia dolët para publikut, po nga kritika a druheshit?

Ishte një fitore personale dhe një sfidë e kapërcyer totalisht. E mbushur me buqeta lulesh, kur dola nga teatri, një radhë e gjatë njerëzish prisnin të më përshëndesnin dhe të merrnin autografin tim. U ndieva si ata aktorët e Hollivudit. Për anglezët arti është luks. Kështu rrodhi debutimi im në Covent Garden, me operën më të dashur "La Traviata". Isha e lumtur, edhe pse prisja të masakrohesha nga kritika dhe nga ata që kishin financuar dikë tjetër, jo mua. Por kjo gjë nuk ndodhi. Të nesërmen artikujt në Londër ishin entuziastë. Dikush kish shkruajtur "Brava Ermonela Jaho, Anna Netrebko ju mund të ktheheni në shtëpi tani". Fakti që mediat shkruan është shenjë e mirë, pasi kam prekur diçka në një ambjent tepër të ftohtë, indiferent, ku në radhë të parë vjen ana materiale dhe realiteti i sotëm komandohet nga kjo. Gjuha e shpirtit dhe e sinqeritetit prek këdo. Kush e pranon, e shpreh, kush nuk e pranon flet me snobizëm. Isha e përgatitur për gjithçka, edhe për të qenë e nënvleftësuar prej tyre. E konsideroj normale. Çdo gjë është biznes. Edhe arti, fatkeqësisht.

Përfundimisht si do ta vlerësonin zëvendësimin e Anna Netrebkoës?

Dua të jem tepër e sinqertë në këtë përgjigje. Jemi shoqe. Anna është shumë e thjeshtë në raportet miqësore. Ka zë të bukur, është modele, armë që vetëm ndihmon në skenë dhe për të investohet shumë. Emri i saj ka dalë si modele dhe me bukurinë e saj ka qenë person publik në reklamimin e makinave gjermane, bizhuterive e shumë artikujve të tjerë. Ka bërë videoklipe me arie operistike të transformuara në këndvështrim modern. Pra, është një person publik i shumanshëm. E vlerësoj shumë për forcën dhe kurajon që ka. Duhet talent të arrish në majat që ajo ka arritur. Sa i përket anës profesionale, në rastin konkret, me Violetën, mua personalisht më lë indiferente, që do të thotë se nuk më prek kur këndon këtë rol, nuk më jep emocion. Por e admiroj, pasi edhe pse jep një rrezultat të tillë (sipërfaqësor) mbi këtë rol, arrin të pëlqehet shumë nga publiku. Pa konsideruar anët negative apo pozitive, fiton personazhi Anna Netrebko. Kështu që për mua, të zëvendësosh Annën, në rolin e Violetës nuk ka asnjë rëndësi të veçantë. Ka rëndësi të madhe publiciteti që i bëhet dhe dashur pa dashur, emri im u fut në ato ambiente, për të cilët çdo artist do bënte të pamundurën. Askush nuk do ta kishte lënë të ikte një rast si ky që erdhi papritur për mua.

Keni komunikuar më pas me Annën?

Po. E kam falenderuar. Më erdhi keq për gjendjen e saj shëndetësore dhe në një farë mënyre ia di për nder. Në një moment të vështirë për të, mu dha mundësia mua.

Violeta e papritur ju siguroi ndonjë rol tjetër në skenën londineze?

Një sukses i tillë, shpëtimi që iu bë këtij teatri, të cilit nuk iu desh të kthente mbrapsht biletat e 2500 spektatorëve për 3 shfaqje që këndova (dmth 7500), më hapi dyert për disa produksione të tjera. Konkretisht flitet për "Traviatën" në vitin 2010, por edhe për role të tjera që jam në përfundim e sipër të kontratave me ta. Por ajo që më intereson është dashuria e publikut anglez dhe publiciteti i këtij niveli.

Somario

Këtë kurajo ma dha dhe një zë i brendshëm. Humba nënën para 4 muajsh, shumë të re, 58 vjeç. Erdhi e papritur dhe ende nuk mund ta besoj. Një humbje e atillë nuk mund të krahasohet kurrë me një humbje karriere. Nëse nuk shkonte mirë do më digjej karriera, por do mbijetoja, nënën nuk ma kthen dot më asgjë në botë...

E admiroj, edhe pse jep një rrezultat të tillë (sipërfaqësor), arrin të pëlqehet shumë nga publiku. Pa konsideruar anët negative apo pozitive, fiton personazhi Anna Netrebko. Kështu që për mua, të zëvendësosh Annën, në rolin e Violetës nuk ka asnjë rëndësi të veçantë.

Përvjetori

Viti i Puccinit edhe në Tiranë

Viti 2008, i shpallur në botë, si viti i Giacomo Puccinit në 150-vjetorin e lindjes së kompozitorit festohet edhe në Tiranë. Në skenën operistike shqiptare ekzekutohen vepra të kompozitorit të madh. Në mbrëmjen e pagëzuar "Viss d'Arte", që do të mbahet në ditët e para të shkurtit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Solistë të TKOB interpretojnë pjesë nga operat "Turandot" dhe "Toska", vepra të repertorit të këtij institucioni. Puccini (1858-1924) është një ndër të paktët kompozitorë të operës i cili në mënyrë brilante ka ditur të përdorë teknikat e operës gjermane dhe italiane. I konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e fundit të shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit XX-të, jo rrallë herë ai është konsideruar si pasardhës i Giuseppe Verdit. Disa nga meloditë e tijsi "O mio babbino caro" dhe "Nessun Dorma" nga "Turandot" sot janë pjesë e kulturës së përditshme popullore. Opera e tij e parë ishte "Le Villi" në 1884, ndërsa triumfi i parë "Manon Lescaut".

Përveçse shkroi dymbëdhjetë opera, Puccini kompozoi edhe vepra të tjera të njohura si një " Meshë solemne", një "Himn për Romën", një kapriçio simfonike, dy prelude simfonike.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama