Shpresoj që ju të mos shkruani për këtë", thotë. Për fat të keq, për Sayukin, që tregon se është geisha e parë e huaj në Japoni, perceptimet bashkëkohore perëndimore të së ashtuquajturës botë të "luleve dhe shelgut" në bestsellerin e Arthur Golden, "Kujtimet e një geishe", apo për filmin me të njëjtin titull, janë krejtësisht të rreme. "Dua të shtoj diçka për kërcimin në mes të filmit. Geishat nuk kërcejnë ashtu. Po ashtu, i gjithë filmi vërtitet rreth seksit. Bota e geishave është shumë ndryshe". Po ashtu edhe Mineko Iwasaki, geisha legjendare e lagjes Kyoto, mbi të cilën bazohet libri, tregon se "aty gjithçka është e gabuar. Geishat nuk qëllohen me vrasëse rrobash dhe ato nuk ua shesin virgjërinë atyre që u ofrojnë më shumë". Për më tepër, ajo shton se çështja mbi atë që Golden ka thënë në libër, ka shkuar deri në gjyq, pasi është shkruar përmes syve të Perëndimit dhe për një audiencë perëndimore.
Me sinqeritetin që e karakterizon, Sayuki, emri profesional i të cilës do të thotë "lumturi e tejdukshme", është përpjekur të krijojë edhe një dokumentar për "lindjen" e geishës së bukur Sayuki. Sayuki, emri i vërtetë i të cilës është Fiona Graham, mendon se mund të bëjë më të mirën që mundet për t‘i treguar botës të vërtetën mbi to. Regjisore e filmave dokumentarë, me një diplomë për antropologji të marrë në Oksford, ajo është edhe geisha e parë jo japoneze në historinë e tyre më shumë se 400-vjeçare. Gjithçka mbi jetën dhe mësimet e saj në shtëpinë e geishave, Sayuki ka vendosur t‘i hedhë në celuloid. Shumë shpejt bota do të shohë rezultatet e gjithë kësaj, thotë ajo, pasi ky do të jetë një dokumentar i veçantë, por mbi të gjitha i vërtetë, mbi këtë traditë të mrekullueshme japoneze. "Do të jetë i veçantë", këmbëngul ajo. "Të huajt që janë përpjekur të shkruajnë rreth këtyre traditave nuk kanë mundur dot, sepse ata kurrë nuk e kanë jetuar këtë lloj jete. Kam ndërmend ta përshkruaj shoqërinë siç po e jetoj unë tani, domethënë ashtu si është në të vërtetë. Por, "Kujtimet e një geishe" nuk është libri i vetëm që e mërzit sa herë që e kujton, pasi Sayuki nuk nguron të përmendë edhe tituj dhe autorë të tjerë librash që nuk kanë qenë "të ndershëm" kur kanë shkruar për botën e tyre. "Një shkrimtare, emrin e të cilës nuk dua ta përmend, tregonte se kishte jetuar kaq shumë me geishat, saqë ishte bërë njëlloj si ato. Kjo është shumë qesharake. Mendoj se ajo nuk e kishte fare idenë se çfarë duhet të heqësh për t‘u bërë një geishë e vërtetë", tregon Fiona. Por, çfarë duhet për t‘u bërë një geishë e vërtetë? Sayuki e di më mirë se të tjerët, pasi ajo vetë nuk është japoneze, dhe e di se sa shumë i është dashur të mësojë.
Të mësuarit rreth artit të tyre përfshin se si duhet të ecësh, si duhet të flasësh dhe vishesh, dhe të perfeksionosh njohuri të tjera me instrumente muzikore klasike si: shamizen, flaut dhe daulle. Po ashtu, ato marrin leksione për valle tradicionale, këngë dhe mënyrat e servirjes së çajit e pijeve të tjera, apo argëtimin e klientëve me biseda të këndshme. "Por janë edhe rregullat e jetesës në Okiya, ose ndryshe shtëpitë e geishave, shumë të ashpra për një geishë të re", tregon ajo. Sayuki nuk e tregon moshën e saj, sipas traditës së vjetër të geishave. "Çdo vajzë në komunitet konsiderohet si motër e madhe dhe ne duhet të ulemi në gjunjë dhe të përkulemi sa herë që ato hyjnë në dhomë, shpjegon Sayuki. "Është shumë strikte, një botë e vjetër hierarkike, që nuk bën diferenca nëse jam më madhe se to. Nëse bëj diçka të gabuar, nëna e madhe do të tregojë rreth kësaj dhe unë do të qortohem. Është e vështirë të bësh marrëveshje me to, kështu është bota e tyre". Por më e vështira nga të gjitha është ulja në pozicionin e tyre tradicional. "Mendoja se ishte e lehtë ta bëje, por për shumë kohë kisha një dhimbje të madhe në fund të kurrizit. Geishat nuk përdorin jastëk dhe shumë shpesh na duhet të ulemi direkt në dyshemenë prej druri".
Por kush është gruaja që mendon se mund të ketë suksese atje ku të tjerët kanë dështuar shumë lehtë? Fiona Graham për herë të parë erdhi në Japoni në moshën 15-vjeçare për një trajnim disamujor. Më pas mbaroi liceun në Japoni dhe më vonë universitetin më të njohur në vend, atë të "Keio"-s. Me një gjuhë të pastër japoneze ajo ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së saj duke punuar nëpër kompanitë vendase, madje edhe si gazetare. Fiona ka shkruar libra të ndryshëm për kulturën japoneze, si dhe mbi ideologjinë e strategjitë e kompanive në vend. Më pas ajo mori edhe një master në Oksford. Pikërisht duke parë filmin "Kujtimet e një geishe", i erdhi ndër mend ideja për t‘u bërë një geishë. Fiona është e para femër jojaponeze që vendos të bëjë diçka të tillë, pas iniciativës së amerikanes Laiza Dalby në mesin e viteve ‘70-të. Por Graham thotë se Dalby nuk u bë kurrë një geishë e vërtetë, pavarësisht se u bë pjesë e jetës së tyre. Gazetarë dhe antropologë të tjerë kanë shkruar rreth jetës së geishave, por pa përmendur asnjëherë trajnimet dhe mësimet e vështira të tyre. "Nëse doni të bëheni një geishë, është vërtet e vështirë. Nuk mendoj se shumë femra mund ta marrin një iniciativë të tillë". Ajo mohon të ketë përfituar një trajtim special meqenëse ishte e para e huaj që vendosi të bëhej pjesë e botës së tyre. Zonja Graham vendosi të trajnohej që prillin e kaluar, ndërsa debutimi i parë i saj ishte në dhjetor. Videoja e debutimit të saj, të cilën e ruan me kujdes në kompjuter, e tregon qartë teksa kalonte rreth e qark Akasukas, një nga gjashtë lagjet më të vjetra të geishave në Tokio. E gjatë, e veshur me kimono dhe fytyrën e mbuluar me tualetin e geishave, tërhoqi vëmendjen e klientëve sapo huri në restorantet dhe shtëpitë e çajit në lagjen e tyre. Vetëm kimonoja e saj blu kishte kushtuar rreth 2 milionë yen ose 10000 euro.
Detyrat e saj kanë të bëjnë me servirjen e pijeve dhe argëtimin e miqve. "Gjithçka duhet bërë me kujdes. Duhet ta hapësh derën dhe ta mbyllësh në gjunjë dhe të mos u tregosh asnjëherë mysafirëve sekretet e tua personale. Të mësoje se kur, si dhe çfarë kimono duhej të vishje, ishte shumë e vështirë". Edhe pse ka më shumë se një vit që trajnohet, ajo thotë se akoma nuk ndihet e sigurt kur i duhet të zgjedhë një kimono. Kjo rrugë që Fiona ka ndjekur duket shumë larg asaj si akademike dhe shkrimtare, por këmbëngul se ata që i shohin geishat si të dobëta, apo që përpiqen të mbijetojnë përmes këtij "profesioni", e kanë shumë gabim. "Ato janë të forta, femra të pavarura, që e kontrollojnë vetë jetën e tyre". Është ky profesioni që do të bësh gjithë jetës? "Jo, thotë ajo. Nuk e kam vendosur akoma se çdo të bëj, por gjithsesi nuk kam ndërmend ta bëj gjithë jetën këtë gjë. Po përpiqem të përshkruaj të vërtetën. Jetojmë në një botë ku e vërteta është shumë e vakët".
Jeta
Sayuki është diplomuar në antropologji sociale. Ajo studioi antropologji në Asakusa, një nga lagjet më të vjetra të Tokios, të populluara akoma nga geishat dhe jetoi në shtëpinë e geishave (okiya) duke marrë pjesë në banketet në periudhën e stazhit. Ka ndjekur shkolla për arte të ndryshme dhe është specializuar në yokobue (flaut japonez). Sayuki ka marrë edhe një master për administrim biznesi në Oksford, para se të studionte për antropologji sociale. Është specializuar në kulturën japoneze dhe ka zhvilluar një sërë konferencash në një numër të madh universitetesh në të gjithë botën mbi këtë temë. Ka publikuar edhe disa libra, shumë prej të cilëve rreth kulturës japoneze.
Trajnimi
Në të kaluarën, vajzat bëheshin geisha që në moshën 13-vjeçare, ndërsa tani është e paligjshme ta nisësh këtë profesion përpara moshës 18 vjeç. Përjashtim bën vetëm lagjja Kyoto, ku vajzat trajnohen që sapo mbushin 15 vjeç
Veshja
Geishat dallohen për fytyrën e mbuluar me pudër të bardhë dhe buzët e kuqe. Geishat e reja, ndryshe nga ato më të vjetrat në profesion, veshin kimono të gjata dhe me ngjyra të ndryshme. Pasi maturohen, ato veshin kimono me të tjera dizajnime dhe nuk e mbulojnë më fytyrën me të bardhë, përveç rasteve speciale
Origjina
Gjurmët e origjinës së geishave i gjejmë rreth viteve 1603-1867, kur ato argëtonin burrat e pushtetshëm në lagjen me "drita të kuqe", Yoshiwara në Tokio. Në atë kohë, prostitucioni ishte i ligjshëm, por profesioni i geishës dallonte qartë nga ai i një prostitute
Argëtimi
Njohuri të tjera përfshijnë edhe argëtimin e klientëve me biseda të këndshme. Ato e kishin si rregull që të mos tregonin detajet e bisedave me klientët, që në shumicën e rasteve ishin njerëz të shtresave të larta japoneze, si politikanë apo presidentë kompanish.
Marre nga : Gazeta Shqip











