Kjo, me gjuhën e një vajze të re, që ëndërronte të bënte një ditë rrugën me të ëmën me autobus në spitalin ku punonte infermiere në Berlinin Perëndimor, ishin "ëndrrat që e kishin rrëzuar", por dhe që e kishin bërë të kuptonte se "guri i rëndë peshon në vendin e vet".
Por ndryshe nga ajo çfarë përjetuan berlinezët lindorë, Perëndimi për Shqipërinë postkomuniste ishte më shumë se një ëndërr. Diçka e mjegullt, që hapësira ku jetoje nuk të linte shumë mundësi për ta imagjinuar. Ndoshta Perëndimi për ne ishte e panjohura, ajo e panjohur, që një pjesë e madhe e shqiptarëve mundën ta zbulojnë pas rënies së "murit" të komunizmit.
Pesë djem të rinj çiklistë në Shqipërinë pak kohë para rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së komunizmit, do të nisen drejt Perëndimit për të takuar lirinë. Një histori e hedhur në letër nga Dhimitër Xhuvani, Jani Duri dhe Gjergj Xhuvani do të ekranizohet nën regjinë e këtij të fundit.
Duket se regjisori Xhuvani kërkon të plotësojë ndoshta në mënyrë krejt të rastësishme një triptik të nisur nga ai në kinema, që nis me çinstalimin e komunizmit dhe përfundon me këtë film se çfarë ndodh pas tij. Titulli fillestar i këtij projekti, që është financuar dhe nga Qendra Kinematografike, "Pesë biçikleta drejt Perëndimit", tashmë është kthyer në "Lindje, Perëndim, Lindje".
"Titulli erdhi si një rrjedhojë logjike. "Në fakt unë kam një eksperiencë të keqe me titujt, që deri në fund ndryshojnë. Por besoj se ky do të jetë titulli përfundimtar, meqë dhe bashkëprodhuesit e huaj e kanë mirëpritur këtë titull, dhe axhenda e lëvizjeve në film është bërë mbi këtë titull", thotë Xhuvani. Skenari i këtij filmi është një punë në ekip mes babait të regjisorit, shkrimtarit Dhimitër Xhuvani (firmën e të cilit mbajnë një sërë filmash të regjisorit Xhuvani), skenaristit Jani Duri dhe vetë Gjergj Xhuvanit. I njohur për lidhjet e tij me letrat, Xhuvani ka dashur të bashkëpunojë me dy emra të njohur, siç janë Duri dhe i ati, në mënyrë që skenarit të mos i mungojë as fryma letrare, por as vështrimi konciz i një regjisori si ai.
Por si lindi ky subjekt? "Subjekti fillestar ka lindur si një shqetësim tek unë kohë më përpara. Mund t‘ju tregoj si me humor se lindja e këtij filmi ka ndodhur gjatë një darke mes meje, kryetarit të opozitës, Edi Rama, producentit Arben Tasellari dhe producentit tim francez. Teksa kujtonim të shkuarën në bisedë filluam të tregonim histori të viteve ‘89 - ‘90-të, që mua më ngacmuan. Gjithsecili tregonte eksperiencat e veta për ato vite, duke krijuar kështu një mozaik, të cilin unë desha ta shfrytëzoj për skenar. Të gjitha këto ide u përpunuan gjatë viteve dhe erdhën në mënyrë organike deri në momentin kur unë mendova se duhet të ktheheshin në një skenar. Kështu ia propozova këtë skenar për ta shkruar Dhimitër Xhuvanit dhe Jani Durit për të realizuar versionin letrar", thotë Xhuvani.
Por ndryshe nga eksperiencat e tjera me skenarin, këtë histori skenaristëve u është dashur ta rishkruajnë deri në katër herë, për të arritur në draftin final. Skenari evoluon gjatë procesit të filmit, por Xhuvani beson se tashmë është në formën e duhur. Tashmë regjisori ndodhet në periudhën kur filmi është ngjizur në kokë brenda tij dhe duhet t‘i riprodhojë të gjitha ato detaje dhe pasazhe në ekran. Disa nga aktorët që janë zgjedhur për të interpretuar janë: Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Denada Teli etj. Xhuvani është ende në negociata me dy aktorë të huaj që do të jenë në këtë film. Nëse dikur fliste me emrat e personazheve që janë në këtë film, tashmë Xhuvani flet për emra konkretë, që duhet të ndjekin ritmin e tij për t‘i dhënë jetë filmit.
Një moment tjetër i rëndësishëm në realizimin e një filmi është dhe përcaktimi konkret i vendeve ku do të ndodhë veprimi. Askush nuk mund të thotë se puna e një regjisori është thjesht përzgjedhja e aktorëve, skenarit dhe këshillat ndaj tyre. Prej një viti Xhuvanit i është dashur të udhëtojë nga Italia drejt qyteteve të ndryshme brenda vendit për të zgjedhur vendet ku do të merrte jetë historia që ai e pëlqen aq shumë. "Në momentin që unë kam përcaktuar vendet, përcaktoj dhe lëvizjen e mizasskenën, duke e parë filmin në unitet", thotë ai. Piktori i këtij filmi do të jetë Durim Neziri, i cili është duke bërë zgjedhjen e detajeve figurative, deri te kostumet që do të veshin aktorët.
"Tani jam duke punuar për të krijuar atë që quhet diagrama e filmit", thotë Xhuvani. Një tjetër element i rëndësishëm në krijimin e një prodhimi kinematografik është edhe gjinia, apo zhanri që ai do t‘i përkasë. Ndodh shpesh që filmat nisin si komedi, pastaj ngatërrohen dhe s‘kanë më komedi brenda. Edhe pse komedia dramatike është zhanri i tij i preferuar, i ka ndodhur të kalojë në komedi groteske. Janë shumë detaje të cilat Xhuvani është duke i dhënë dorën e fundit në zyrën e punës. Aksioni që filmi do të ketë, filozofia që do të përcjellë dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, mesazhi. Një film nuk mund të jetë i vërtetë nëse nuk mbart brenda tij shqetësimin e shikuesit që do të ulet në kinema për ta parë atë. Xhuvani beson në komentet e kritikëve të kinemasë se publiku është narcist ndaj kinemasë. Nëse ajo nuk shpreh shqetësimin e tij, ai e braktis atë.
Dhe ajo që ndoshta ka nevojë më shumë kinemaja shqiptare në këto kohë bashkëpunimi me të huajt nuk do t‘i mungojë këtij prodhimi, ndaj dhe filmi mund të quhet internacional.
Një film brenda një hapësire të vogël shikuesish mund të quhet i vdekur, ose një film që do të përfundojë në arkiva, ashtu siç ka ndodhur me një sërë prodhimesh kinematografike të realizuara vitet e fundit në vend, të cilët kanë mundur të shfaqen vetëm në kinematë tonë. Xhuvani mendon se ka ikur koha e kinemasë-autor, apo kinemasë së pavarur. Edhe pse filmi do të orvatet të tregojë lirinë, kjo e fundit nuk mund të jetë e pafund, sidomos në kinema. Ndaj ky film do të jetë një bashkëpunim shqiptaro-italian, por do të ketë dhe partnerë francezë, të cilët janë në minorancë. Ndërkohë, Xhuvani tregon se janë duke pritur një bashkëpunim dhe me Maqedoninë, duke qenë se një pjesë e filmit do të xhirohet atje. Filmi do të xhirohet në qytete si Pogradeci, Përmeti, Tirana, por edhe në Trieste e në një zonë afër saj, si dhe në Maqedoni. Që një histori të bëhet e vërtetë ajo duhet të ketë hapësirë dhe Xhuvani ka qenë tepër i kujdesshëm në vendet e zgjedhura për xhirim, në mënyrë që ato të mos tradhtonin historinë që kërkon të përcjellë ky prodhim.
"Lindje, Perëndim, Lindje", nëse u referohemi prodhimeve kinematografike të realizuara nga regjisori Xhuvani, mendohet të jetë një tjetër prodhim me të cilin kinemaja shqiptare do të mund të prezantohet në festivale ndërkombëtare. Duke u nisur që nga filozofia që filmi kërkon të përcjellë, siç është koncepti i lirisë në një vend postkomunist, një temë tepër e prekshme për shumë vende sot, i jep filmit ende pa u realizuar një interes për të qenë në kinematë e çdo vendi.
Por a mund të quhet ky film mbyllja e një triptiku që Xhuvani e ka hapur me dy prodhimet e tij të mëparshme "Parullat" dhe "I dashur Armik". Nëse ky i fundit kërkon të tregojë Shqipërinë e 1944-ës, e cila përfundon me ardhjen e komunizmit, "Parullat" është një film që përcjell pikërisht atë çfarë komunizmi ishte. Ndërsa "Lindje, Perëndim, Lindje" i ngjiz ngjarjet pikërisht pas rënies së Murit të Berlinit, në momentin kur në Shqipëri hapen ambasadat, duke treguar një proces të cilin kinemaja jonë ende nuk e ka treguar.
Por çfarë është kjo tërheqje ndaj historisë, ideja për të rrëfyer në ekran nëpërmjet gjuhës së filmit detaje të së shkuarës? "Unë nuk pretendoj të rishikoj historinë në kinema, edhe pse ka pasur shumë dizinformacion në kinemanë shqiptare. Ajo çfarë kam dashur të pasqyroj është një proces brenda mekanizmit shpirtëror të personazheve, të njerëzve që kanë jetuar në këto periudha. E kam parë historinë jo si data, por brenda njerëzve", thotë Xhuvani.
Nëse u referohemi filmave të tij aty ndodhet tërë evolucioni shpirtëror i shqiptarit në këtë periudhë, gjithë halucinacionet që kalon personaliteti i tij. Dhe "Lindje, Perëndim, Lindje" pikërisht këtë gjë do të tregojë. "Ky film do të zbërthejë si të thuash botën. Sesi njerëzit ndeshen me lirinë. Është kontakti i tyre i parë me lirinë dhe çfarë zgjon kjo liri te njeriu. Kjo është ideja e këtij filmi. Sa reale është kjo liri, sa utopike, sa qëndron ajo midis të prekshmes dhe të paprekshmes. Ballafaqimi i këtyre djemve të rinj me Perëndimin, pasi gjithë historia fillon në ëndrrat e tyre, që do të shikojnë Perëndimin, do të dalin jashtë dhe kur të jenë jashtë nuk ka më Shqipëri, pasi kjo e fundit nuk ka shtet. Është qëndrimi që do të mbajnë këta djem me atdheun e tyre. Raportet që kanë ata me Perëndimin dhe raportin me vendin e tyre dhe si do të devijojë jeta e tyre, cilat janë drejtimet që do të marrë jeta e gjithsecilit prej tyre", thotë Xhuvani.
Marre nga : Gazeta Shqip











