Kadare nominohet per Independent foreign fiction prize

Kadare nominohet për

Vepra e tij "Vajza e Agamemnonit" është paraqitur në mesin e 19 veprave tjera të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës, të cilat janë përkthyer në gjuhën angleze. Tashmë lajmin e kanë bërë të ditur mediat angleze, të cilat shkrimtarin shqiptar e konsiderojnë si një prej fituesve të mundshëm të këtij çmimi, i cili sponsorizohet nga "Arts Council England".

"Lista e gjerë e këtij viti është një demonstrim fantastik i një renditjeje të pasur dhe cilësisë së fiksionit të përkthyer që botohet sot në Britani. Është e mrekullueshme të shohësh kaq shumë gjuhë që përfaqësojnë vende të ndryshme të botës: një festë për lexuesit dhe sfidë për jurinë", ka thënë Antonia Byatt, drejtoreshë e strategjisë letrare në "Arts Council England".

"Fituesi i parë i "Man Booker International prize", Ismail Kadare, është paraqitur për herë të dytë me radhë me nominimin për përkthimin e përmbledhjes së tij me tregime "Vajza e Agamemnonit", e cila ishte kontrabanduar jashtë Shqipërisë në vitet e tetëdhjeta, para se të botohej në frëngjisht, pasi Kadare e mori dorëshkrimin e tij në Paris. Përmbledhja është përzgjedhur për çmimin e këtij viti, pasi shtëpia botuese "Canongate" e botoi vitin e kaluar versionin anglez të përkthyer nga David Bellos", shkruan gazeta "The Guardian". Midis nominimeve tjera të rëndësishme në listën e dominuar nga shtëpitë e vogla botuese përfshihen edhe bestselleri arab "The Yacoubian Building" i shkrimtares Alaa al Aswany, pastaj tregimi brutal mbi xhelozinë "The Moon Opera" i autorit Bi Feiyu dhe libri i përkthyer nga holandishtja nga vetë autori, "Omega Minor" i Paul Verhaeghen. Vendimi i Verhaeghen për të përkthyer veprën e tij, në rast se fiton, do t‘i paguhet mirë, pasi që dhjetë mijë funtat e çmimit zakonisht ndahen përgjysmë midis autorit dhe përkthyesit, ndonëse juria duhet të mendojë dy herë para se t‘ia ndajë çmimin.

Autori, i cili tani jeton në SHBA, e kishte refuzuar në vitin 2006 shpërblimin "Flemish Culture Award" pas kalkulimeve se pesë mijë dollarë do të derdhen në thesarin amerikan dhe do të përdoren për të mbështetur luftën në Irak. Paneli i jurisë përbëhet nga redaktori letrar i gazetës "Independent",

Boyd Tonkin, shkrimtarja dhe mësuesja Abdulrazak Gurnah, redaktorja letrare e gazetës "Le Monde", Florence Noiville dhe zyrtarja për letërsi në Arts Council, Kate Griffin. Fituesi do të bëhet i ditur me tetë maj në një ceremoni në Londër.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama