Biblioteka e Vlores nga kodiket dhe doreshkrimet e rralla te shekujve XII-XVI

Biblioteka e Vlorës, nga kodikët dhe dorëshkrimet e rralla të shekujve XII-XVI

Historia e librit e ka zanafillën tek kodikët dhe dorëshkrimet e rralla të Vlorës dhe Himarës në shekujt XIII-XVI, tek biblioteka e fshatit Mekat në vitin 1672, ajo e familjes së njohur Vlora në shekullin XVIII. Po ashtu, pjesë e traditës, janë biblioteka e Manastirit të Zvërnecit, ajo e Kishës Ortodokse (1916), e Odës së Tregtisë në vitin 1920 etj. Në dekadat e mëvonshme, në vijim të kësaj tradite, përfshihet fondi i konsiderueshëm i Bibliotekës së Arsimtarëve, në vitin 1939 dhe librarisë “Shpresa”, pronë e patriotit të njohur vlonjat Ibrahim Shyti. Në këtë bibliotekë përfshihej një fond prej 5.156 librash të fushave të ndryshme. Në pasurimin e fondit të bibliotekës së Vlorës kontribuuan me dhurime librash dhe materiale të ndryshme informative, familjet dhe intelektualët e shquar të qytetit të Vlorës të atyre viteve, si Ibrahim Shyti, poeti Ali Asllani, Musa Jonuzi, Nexhat Hakiu, Sheref Dano, mjeku Ali Mihali, patrioti Jani Minga, familja Bezhani, familja Karbunara etj.

Një kontribut të jashtëzakonshëm në traditën e librit në qytetin e Vlorës ka dhënë Eqerem Bej Vlora, studiues dhe hulumtues i mjaft momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Ai ka nxjerrë në dritë botime me vlera të jashtëzakonshme, mes të cilave spikasin të dhëna mbi kanunin e “Adetit” ose “Kanunin e Papazhulit”, apo e Idris Sulit. Ky kanun shtrihej në zonën e Shqipërisë së Jugut, në krahinën e Labërisë, Toskëri, Çamëri dhe ngjasonte mjaft me Kanunin e famshëm të Lekë Dukagjinit.

Në vitin 1962, Eqerem Bej Vlora ka botuar një hartë të rrallë të zotërimeve të princërve shqiptarë të shekujve XIV-XV. Gjithashtu, ka shkruar rreth Mehmet Pashës dhe fushatës ndëshkimore ndaj malësorëve të Shkodrës. Në studimin “Dy pamje nga historia krahinore e Shqipërisë”, Eqerem Bej Vlora evidenton disa nga vlerat më të mira të popullit shqiptar, mes të cilave krenarinë, burrërinë, trimërinë, heroizmin. Në një tjetër studim të tij, “Një vështrim mbi kulturën e popullit shqiptar”, Eqerem Bej Vlora, argumenton se ilirët dhe epirotët kanë pasur një organizim shtetëror të shkëlqyer dhe një kulturë mjaft të zhvilluar. Ai i gjen këto dimensione tek veshjet kombëtare të burrave dhe grave, të punuara me mjaft mjeshtëri, tek këngët popullore, tek gjuha, shprehjet, të cilat rrjedhin nga shpirti i një populli, me një trashëgimi të pasur nga lashtësia. Pjesë e pasurisë së Eqerem Bej Vlorës dhe familjes Vlora ishte biblioteka e famshme, e cila u grabit dhe u shkatërrua menjëherë pas ardhjes në fuqi të komunizmit, duke zhdukur prej saj vlera të jashtëzakonshme.

Përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, studiuesit përmendin një Ditar të shënimeve të Hoxhës së Armenit, Sali Efendiut, e vitit 1757, shënimet e Hafës Zenel Efendiut, nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768, përmbledhja e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit me njerëzit më të shquar të Vlorës, letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun, shënimet historike mbi “oxhaqet” e Shqipërisë, e Azem Bej Janinës e vitit 1889, dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769 etj. Në momentet e para të krijimit, biblioteka publike e qytetit të Vlorës u vendos në mjediset e familjes Haxhi, në një godinë pranë Sheshit të Flamurit, e cila sot nuk ekziston më. Më pas, deri në vitin 1974, u zhvendos në godinën e banesës së Eqerem Bej Vlorës, ku qëndroi për një periudhë disavjeçare. Pak më vonë, për këtë qëllim u zgjodh godina e familjes hebreje Matathia, sërish në qendër të qytetit, ku qëndroi deri në fillim të viteve ‘90-të.

Në periudhën e 15 viteve të fundit, biblioteka publike e Vlorës u vendos fillimisht në mjediset e pallatit të kulturës “Labëria” dhe më pas në vitin 1998 në ish-godinën e Bankës Agrare, ku është edhe sot. Aktualisht, biblioteka e Vlorës, e përshtatur me standarde bashkëkohore, është në varësi të bashkisë së qytetit, si pjesë e strukturave të Qendrës Kulturore. Fondi i saj përbëhet nga rreth 120 mijë tituj librash të llojeve e fushave të ndryshme, historikë, shkencorë, artistikë, etnografikë, ekonomikë e mjekësorë. Në mjediset e saj përfshihen salla e librit për fëmijë, ajo e konferencave, e librit politik, si dhe libërlidhja. Në shtator të vitit 2004, në këtë institucion të kulturës u shtua edhe Këndi Amerikan i Librit, që u mundësua nga një donacion dhe financim i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ky kënd përfshin rreth 500 tituj librash në gjuhën angleze, të fushave të ndryshme. Biblioteka publike “Shevqet Musaraj”, në qytetin e Vlorës numëron sot rreth 4000 anëtarë, të cilët qarkullojnë rreth 35 mijë tituj librash në një vit kalendarik. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Liljana Gjika, biblioteka ka krijuar kontakte dhe bashkëpunon me mjaft institucione të ngjashme brenda e jashtë vendit, si Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, Bibliotekën e Shkupit, disa biblioteka në Kosovë etj. Gjika thotë se fondi i bibliotekës është pasuruar me tituj të dhuruar nga emra të njohur, mes të cilëve akademiku vlonjat Shaban Demiraj, poeti vlonjat Fatos Arapi, familjet e Petro Markos dhe të Ibrahim Shytit, biblioteka e qytetit të Leçes (Itali) etj. Në muajt e fundit, në këtë institucion funksionon edhe rrjeti kompjuterik i informacionit, ku ofrohet edhe shërbim falas interneti për të gjithë lexuesit.

 Marre nga : Gazeta Standard


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama