“Ju rrefej kur preka kostumin shqiptar te Bajronit”

“Ju rrëfej kur preka kostumin shqiptar të Bajronit”

Prof. Karagjozi, ju jeni ndër njohësit më të veçantë të poetit të madh, lordit Bajron, madje edhe nismëtari i parë i organizimit të bajronizmit shqiptar. Pse mbetet i pazëvendësueshëm ky poet për shqiptarët?


Historia e bajronistëve shqiptarë fillon që me Jeronim de Radën, më 1832-shin. Që nga ajo kohë e deri sot ka pasur disa bajronistë të shquar ose të veçantë. Bajroni mbetet i pazëvendësueshëm për aq kohë sa nuk dimë që përpara tij ka pasur një figurë po aq të madhe që të ketë shkruar po aq bukur dhe realisht për Shqipërinë dhe shqiptarët. Veç kësaj, Bajron tjetër nuk ka.
Kur zë fill lidhja dhe dashuria juaj për Bajronin?
Nderimi dhe dashuria ime për Bajronin nisi menjëherë pasi lexova “Çajld Harold” më 1956-n, përkthyer mrekullisht nga i madhi Skënder Luarasi, profesori im i nderuar dhe miku im i çmuar.
Në vite, sa më shumë e studioja, aq më shumë e doja. Kjo më bëri të ndjehesha i detyruar të shprehja në libra nderimin dhe dashurinë shqiptare për të.


Libri “Xhorxh Bajroni” është libri i parë. Ç’plotësoi ai në bibliografinë shqiptare, të letërsisë së huaj dhe për atë britanike në veçanti?
Vërtet, deri më 1987-n, kur u botua libri i parë “Xhorxh Bajroni”, ka pasur mjaft shkrime në shtypin shqiptar. Siç e thashë, e ndieja që botimi i tij do të plotësonte një boshllëk në bibliotekat e shqiptarëve. Por kjo nuk plotëson gjë në letërsinë e huaj dhe atë britanike në veçanti, pasi askush nuk e lexon dot në shqip. Ai libër është thjesht një prej mijëra titujve të librave kushtuar Bajronit.


Kronika e përvjetorëve të Bajronit është e pasur edhe ndër shqiptarë. A mund të quhet ai një personazh kontribuues për njohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve nëpër botë?
Pa asnjë mëdyshje, pa asnjë fije dyshimi që Bajroni quhet personazhi më i parë dhe më madhor që e bëri provincën e vogël të Shqipërisë të njohur jo vetëm në Angli, por edhe në Europë, e pse jo, edhe në botë. Kjo e bën personazhin më të rëndësishëm, i cili u hapi udhën qindra udhëpërshkruesve e piktorëve që erdhën pas tij, deri sot. Gjithnjë kam menduar se shkrimet apo librat e botuar për Bajronin nuk kanë mjaftuar për të shlyer detyrimin që kemi ndaj tij. Kësisoj kemi organizuar edhe veprimtari përkujtimore.

Po përmendim 200-vjetorin e lindjes (1988), përkujtimi i 170-vjetorit të vdekjes (prill 1994) me një veprimtari të madhe në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku mori pjesë zoti Ismail Kadare dhe përfaqësuesi i Ambasadës Britanike, Stephan Nash. Në vitin 2002 organizuam seminarin kombëtar “Bajroni Ynë”.
Si bajronist dhe si studiues ju e keni pasuruar kronikën tuaj të botimeve, referimeve dhe udhëtimeve. Cili është kalendari që personalisht e vlerësoni në adresë të nderimit dhe njohjes së mikut të shqiptarëve, siç cilësohet Bajroni?
Gjithmonë i detyruar ndaj Bajronit, më 1997-n botova librin “Bajroni anglisht dhe shqip” dhe në vitin 2002 studimin e gjatë “Miti shqiptar për Bajronin”. Ndër ngjarjet më të rëndësishme po rendis sipas viteve: 1990 pjesëmarrja e parë në një konferencë për Bajronin, organizuar në Zvicër; në tetor 1991 themelimi i Shoqatës së Bajronistëve të Shqipërisë; 1993 - kumtesa e parë për Bajronin në Konferencën në Notingam; shtator 1996 rrugëtimi i parë në gjurmët e Bajronit nga qafa e Bogazit në kufi, deri te Ura e Subashit në hyrje të Tepelenës. Ecëm për katër ditë bashkë me shkrimtaren e madhe holandeze Tessa de Loo dhe historianin holandez Daniel Koster. Në dhjetor 2001 pata rastin të mbaj një kumtesë në qytetin e Bathit dhe më 8 dhjetor të prekja me dorën time kostumin shqiptar që Bajroni e bleu më 1809-n, udhës për në Tepelenë.


Jeni i pari shqiptar që keni parë dhe prekur kostumin e Bajronit. Ç’keni ndjerë në atë çast? Ç’dëshmon për pasurinë etnografike shqiptare ai kostum?
Rastësia më dha mundësinë që të jem i pari shqiptar që vizitoi muzeun privat të Markezit Lasdown, në pronat e tij në Bowood, pak kilometra larg Bath-it. Ndjesia që pata ishte një pleksje tronditëse ndjenjash. Kur e preka, një drithërimë e përshkoi tërë qenien time. Isha i lumtur që e pashë, isha i mrekulluar nga bukuria dhe krenar kur lexova “Bajroni në kostum shqiptar”. Përveç portretit të Thomas Philips (1813), ekspozuar në Akademinë Mbretërore në Londër, në vitin 1814 me poshtëshkrimin: “Portreti i një Fisniku në veshjen e një shqiptari”, që më vonë u bë i njohur si “Bajroni në kostum shqiptar”, ky kostum në atë muze privat është e vërteta, është prova e vetme bindëse se ai kostum është mrekullia e artistëve shqiptarë. Edhe sot atë kostum e gjen në trevat shqiptare.


Ju flisni kohët e fundit për një projekt të ri të afërt. Ç’është projekti “Lord Bajron 2009”?
Viti 2009 është 200-vjetori i vizitës së Bajronit në Shqipëri. Shoqata e Bajronistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si edhe me institucione të tjera, ka një projekt madhor, me një sërë veprimtarish brenda tij. Do të jetë ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare dhe më e madhja organizuar ndonjëherë në Shqipëri.

Intervistë/ Flet për gazetën “Albania” studiuesi i njohur, bajronisti pasionant, Prof. Afrim Karagjozi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama