Ngadhnjimet e mjekesise se lashte

Ngadhnjimet e mjekësisë së lashtë

Plumbimet (mbushjet) e dhëmbëve dhe kurorëzat ende janë në vendet e veta edhe pas shekujve të shumtë! Shpimet dhe vendosjet e kurorëzave dhe urëzave i bënin njerëzit të cilët gjithmonë i respektonin pjesët vitale të dhëmbëve.

Kirurgët e epokës parainkase kryenin operime delikate në tru qysh në vitin 2500 para erës sonë. Trepanacioni sot është teknikë e re në kirurgjinë moderne, dhe aq më tepër sot çuditë fakti se në Peru janë gjetur shumë kafka me shenjat e trapanacioneve të kryera me sukses. Si instrumente kanë qenë të përdorura skalperët, thikat e bronzta, pincetat dhe gjilpërat për qepjen e plagëve. Sipas raporteve të mjekësisë moderne, po ky operim i këtilë është kryer në Paris më 1786, i cili përfundoi fatalisht për pacientin.

Antibiotikët në Egjiptin e vjetër

Edhe amputimet qenë të kryera me sukses në Amerikën Jugore. Mjekët e popullit të inkëve i përdornin fashat prej gazave, dhe ka të ngjarë se është përdorë edhe kokaina si anestetik. Përndryshe inkët i zbuluan edhe shumë droga të tjera të rëndësishme, si kinina dhe belladona.

Në Babilonin e vjetër është praktikuar edhe një metodë e pazakonshme e shërimit të sëmurëve. Historiani grek Herodoti (shek. 5. p.e.s.) përshkruan se si të sëmurët i nxjerrnin nga shtëpia jashtë në rrugë. Ishte detyre morale e kalimtarëve të pyetnin për mundimet e të sëmurit, dhe pastaj, në bazë të përvojës vetjake, të propozojnë mjete të përshtatshme për mjekim. Duke eksperimentuar me barërat e ndryshme, pacienti më në fund do ta gjente barin i cili do t'i përgjigjej më së shumti.

Antibiotikët tanë mrekullibërës, si pencilina, aeromicina dhe teramicina, paraprijësit e vet i kishin në Egjiptin e vjetër. Një papirus mjekësor, i epokës së dinastisë së 11-të, flet për një lloj të këpurdhës, e cila rritej në ujërat e qeta dhe e cila përshkruhej për shërimin e lëndimeve të ndryshme dhe plagëve të hapura. Ndoshta kjo do të thotë se egjiptasit e kanë gjetur penicilinën 4000 vjet para Flemingut.

Edhe grekët e vjetër, si dhe kinezët, dinin për antibiotikët. Për shembull, qumshtin e ngjizur të bimës soja (Soja Hispida), i cili ka veti antibiotike, e kanë shfrytëzuar për mënjanimin e të thatëve nënlëkurorë dhe plasaritjeve të lëkurës.
Egjiptasit përdornin edhe një drogë minerale të panjohur, si anestetik gjatë kryerjes së operimeve. Ishin mirë të udhëzuar edhe në anatomi; mes tjerash, kishin njohuri për marrëdhëniet reciproke të sistemit nervor me lëvizjet e gjymtyrëve të njeriut, gjë që i mundësonte t'i kuptojnë shkaqet e paralizave. I ashtuquajturi papirusi i Smitit përshkruan 48 raste klinike. Në përgjithësi, mjekësia e banorëve të lashtë të luginës së Nilit ishte padyshim e pakrahasueshme me atë që u praktikua shumë më vonë në Evropë gjatë mesjetës.

Edhe India e lashtë kishte një mjekësi mjaft përparimtare. Mjekët hindusë i dinin ligjet e metabolizmit, qarkullimit të gjakut, sistemit nervor, gjenetikës, gjegjësisht përcjelljes së karakteristikave specifike me trashëgim. Mjekët e vedave kishin shkathtësi t'i mënjanonin pasojat e nxitura me gazra helmuese, pastaj kryenin prerje cezareske dhe operime të trurit, dhe gjithashtu i aplikonin edhe anestetikët e ndryshëm.

Sushruta (shek. 5 p.e.s.) përshkroi diagnozat e 1120 sëmundjeve. Ai i përshkroi 121 instrumente kirurgjike dhe, sa dihet, ishte i pari i cili kreu eksperimente në fushën e kirurgjisë plastike.

Saktia Grautham, një libër i vjetër braman, i përfunduar rreth v.1500 p.e.s., përmban tekstin vijues, në të cilin jipen udhëzimet për vaksionimin kundër lisë së madhe: "Merr me majë të thikës përmbajtjen e qelbit infektues të lisë, injektoje në dorën e njeriut ashtu që të përzihet me gjakun e tij. Do të pasojnë ethet, por i sëmuri me lehtësi do t'i kalojë dhe nuk do të vjen më te kurrëfarë komplikimi". Eduard Xhenerit (1749-1835) i përshkruhet zbulimi i vaksinimit, por duket se India e lashtë në këtë ka të drejtën e prioritetit!

Mbreti kinez Cin-Shi (259-210 p.e.s.) e kishte një "pasqyrë magjike", me të cilën mundte t'i "shndriste eshtrat e trupit", që aludon se në Kinën e vjetër janë aplikuar Iks-rrezet (diagnostifikimi rendgenik). Pasqyra mbahej në pallatin Hjen-Jang në Shensej. Kur pacienti qëndronte para pasqyrës drejtkëndëshe, të lartë 1,76 dhe të gjerë 1,22 metra, fotografia dukej e kthyer mbrapsht, mirëpo të gjitha organet dhe eshtrat dukeshin tamam si në fluoroskopin e sotëm. Ajo pasqyrë përdorej për qëllim të njëjtë: për diagnistifikimin e sëmundjes.

Është pak i njohur fakti se një mjek kinez, me emrin Hua To, i kryente operimet nën anestezi para 18 shekujve. Kronika Hu Han Shu nga koha e vonshme e dinastisë Han (v.25-220 të erës sonë) na përkujton si në ndonjë raport të botuar në revistë moderne mjekësore:

Kontraceptivët e vendasve australianë

"Së pari do t'i jipja pacientit ta kapërdijë pluhurin prej kanabisit, të përzier me verë, dhe posa të fillojë mpirja dhe humbja e vetëdijes së tij, do ta bëja prerjen në bark ose shpinë dhe do ta preja gjëndrrën e gungëzuar te i sëmuri. Nëse barku ose brendësia do t'i rrezikohej, detajisht do t'i pastroja organet pas përdorimit të thikës, dhe do ta mënjanoja gjënë infektuese që e nxiti sëmundjen. Pastaj do ta qepja plagën dhe do ta përdorja kremën çudibërëse, nga e cila plaga do të mbyllej krejtësisht për katër ose pesë ditë, ndërsa pas një muaji pacienti do të shëndoshej krejtësisht".

Instituti Lester në Shangaj, të cilin e themeloi një magnat britanez në vitet e tridhjeta të këtij shekulli, padyshim dëshmonte përbërjen shkencore të medikamenteve të vjetra kineze. Për të gjitha medikamentet, madje edhe për ato më bizaret si lëkura e majmunit, truri i qenit, mollëza e syrit të deleve, mëlqia e derrit, ose bari i detit, dr. Bernard Ridi konstatoi se të gjitha këto posedojnë efikasitet të caktuar terapeutik.

Deri sa transfuzioni i gjakut në mjekësinë e Perëndimit filloi të aplikohej qysh në shekullin e 17-të, vendasit australianë këtë e praktikonin me mija vjet. Ata saktësisht e dinin se prej cilës venë duhej të merrej gjaku dhe, ajo që na mahnitë më së shumti, dinin edhe ta zgjedhnin dhënësin e përshtatshëm të gjakut.

Kur kërcënohej thatësia ose ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore, që sillte me vete edhe mungesën drastike të ushqimit, vendasit e Australisë, para shekujve të shumtë, aplikonin edhe përdorimin e mjeteve kontraceptive. Rrëshirën e fituar prej disa bimëve të caktuara, femrat e bënin si toptha dhe e merrnin në periudhat e caktuara kohore.

Është dëm i vërtetë që ekspertët përgjegjës nuk treguan më tepër interesim për mjekësinë herbale (bimore) të vendasve australianë. Për shkak të kësaj pakujdesje, mjekësia e tillë gjithnjë e më tepër zhytet në harresë. Vendasit më nuk i kultivojnë bimët mjekuese, dhe është krejtësisht e sigurtë se së shpejti do të humbet çdo kontakt me trashëgiminë e vlershme, të cilën ia lanë atyre paraardhësit e lashtë.

Andrew Tomas
"We are not the first"

Marre nga : Mjellma.net


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama