Këngëtarë të tjerë janë tenori Roberto Sacca në rolin e Dukës së Mantovës, Riccardo Zanellato, Rossana Rinaldi, Sandra Pacheco Quinterno, Andrea Patucelli, Roberto Accurso, Antonio Feltracco e Francesco Musinu. Orkestra do të drejtohet nga Renato Palumbo, mjeshtër i repertorit melodramatik italian.
Opera – e para nga trilogjia e famshme (Rigoletto, La traviata, Il trovatore) – është vënë për herë të parë në skenë në 1851 me libret të Francesco Maria Piave, do të vazhdojë të shfaqet në një nga teatrot më të njohur të Italisë deri në ditët e para të muajit shkurt (3 shkurt).
Vënia në skenë e kësaj opere është përcaktuar si një ngjarje në jetën artistike të qytetit të Torinos - një nga më aristokratët e Italisë, ndërkohë që shtypi vendas e ka vlerësuar me nota të larta protagonizmin e Mulës në këtë premierë, duke e cilësuar atë si një këngëtare profesionalisht të arrirë.
"E bukur, tërheqëse, një bijë arti, e ngjitur në skenë që në moshë të re dhe që ka arritur të interpretojë në skenat botërore më prestigjioze", konsiderohet Inva Mula nga drejtuesit e teatrit torinez.
Diva e njohur kishte qenë në Shqipëri në tetor të vitit të kaluar si pjesëmarrëse në “Tirana Fashion Week ”. Pjesëmarrja e saj në këtë aktivitet të rangut botëror u mirëprit nga shqiptarët, aq më shumë kur njihet se Inva Mula në botën e kantos nuk ka spikatur vetëm për zërin e saj dhe mjeshtërinë në interpretim, por edhe për sharmin dhe elegancën e saj skenike, e cila bashkë me talentin e kanë përcaktuar si një nga figurat më të papërsëritshme në skenat e operës botërore.
Inva Mula e lindur në 1963 në Tiranë përfaqëson një nga këngëtaret lirike më të famshme shqiptare në gjithë botën. Ajo u bë akoma më e njohur, kur sopranoja i veshi zërin e saj personazhit në filmin hollivudian “Elementi i pestë”. Pikërisht ky film ka lënë një gjurmë, që vështirë të hiqet nga kujtesa e miliona shikuesve të filmit të suksesshëm në gjithë botën.
Bijë arti, (vajza e Avni e Nina Mula), të dy këngëtarë lirikë, ajo fitoi në 1987-n konkursin "Cantante d'Albania" në Tiranë dhe në 1988 konkursin “George Enescu” në Bukuresht. Në vitin 1992 fiton konkursin "Butterfly" në Barcelonë. Ajo fitoi edhe çmimin e konkursit të parë operistik “Placido Domingo” në Paris, 1993. Një CD e këtij eventi u publikua dhe kjo ishte një njohje e parë me publikun e gjerë. Më pas interpretoi me tenorë të shquar në koncerte që nga Opera Bastille në Paris dhe Bruksel për "Europalia Mexico", në Munich dhe Oslo. Në 1996 performoi në operën “Medea” të Luigi Cherubini (e transmetuar në televizion) në Compiègne të Francës.
Më pas iu kthye operës së Gorges Bizet (Zhorzh Bize) “La Jolie fille de Perth” (publikuar në CD dhe video për TV dhe DVD në Japoni) në 1998. pas kësaj ajo regjistroi “La Rondine” të Puçinit, me Angela Gheorghiu për EMI dhe në 2005 mori vendin e saj në rolin protagonist të Magda-s gjatë performancës në Tuluz dhe Paris.
Mula është një këngëtare e rregullt në “La Scala”, ku ajo ka kënduar “Lucia di Lammermoor”, “La bohème” dhe “Manon”, midis të tjerave. Ajo ka interpretuar disa herë Violetën në operën “La Traviata” kudo nëpër botë, që nga Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto. Në 26 janar-6 shkurt 2007 ka performuar për herë të parë rolin e Norina-s tek “L'elisir d'amore” në Tuluz, në Theatre-du-Capitole.
Ajo ka kënduar përkrah emrave më të famshëm të muzikës operistike botërore, si Placido Domingo, me të cilin ka dhënë disa koncerte. Ka interpretuar në disa nga teatrot e operave më të njohura, si Paris Opéra, Bonn, Hamburg, Vienna State Opera dhe Verona Arena, gjithashtu në disa koncerte në Amerikë, ku përfshihet edhe debutimi në Metropolitan Opera në rolin e Musetta-s në “La Bohème”. Bashkëpunimi i saj me Riccardo Muti ka çuar në interpretimet e shumta në “La Scala” dhe në të gjithë Italinë, ku vlerësohet shumë. Disa nga regjistrimet e saj më të mirënjohura janë ato në rolet e Mikaelës tek opera “Carmen” me tenorin Roberto Alagna dhe pjesëmarrja në operën e Bize-së “Ivan IV”.
Flora Nikolla : Gazeta Standard











