Përktheu: Elda Gjana-Boriçi, Afrim Koçi
Shtëpia botuese: Koçi
Çmimi: 600 lekë
Nuk janë të paktë të huajt që kanë shkruar për Shqipërinë. Historianë, studiues, udhëtarë, shkrimtarë. Një palë vetëm duke e përmendur, kur ua donte nevoja e punës; të tjerë duke shkruar enkas për të; disa objektivisht me asnjanësinë e dijetarit, të tjerë me përçmim apo mllef me keqdashjen e hasmit; ca të fundit me mirëdashjen dhe madje dashurinë e mikut, duke na i lëvduar apo edhe himnizuar virtytet dhe zakonet, por edhe pa na i fshehur veset dhe mangësitë. Ndër këta të fundit zë vend, por jo ndonjë vend të fundit, edhe një albanologe gjermane e gjysmës së parë të këtij qindvjeçari. Kjo zonjë, - se do ta quajmë zonjë dhe madje Zonjë të Madhe,jo për mirësjellje, por për mirënjohje dhe meritë, - është baronesha Maria Ameli fon Godin. Se që në kontaktin e parë me Shqipërinë, për të mund të përshtatim shprehjen e atij latini të madh "erdha, pashë dhe fitova!” me “erdha, pashë dhe dashurova”. Se që kur u njoh me shqiptarin e parë dhe pastaj me vendin e shqiptarëve ajo e la zemrën aty, paçka se fizikisht shkonte e vinte; nga atdheu i parë në atdheun e dytë dhe anasjellë.
Marie Amelie Julie Ana Freein fon Godin u lind më 7 mars të vitit 1882 në Mynhen, si bijë e një dere aristokratësh të rangut të ulët. U rrit me edukatën e rreptë konservatore dhe fetare të mjedisit dhe kohës së vet. Mësoi nëpër shkollat fetare gjuhë të huaja dhe muzikë. Kur deshi të ndiqte studime laike në universitet, prindërit nuk e lejuan. Pa asnjë pasion për punët e shtëpisë dhe të grarisë, si i vetmi ngushëllim i mbeti rruga e shkrimtarit. Që në vitin 1902 filloi të bashkëpunojë në "Kolnischen Volkszeitung" dhe në "Taglichen Rundschau".
Njohja me aristokratin shqiptar dhe përkthimi i "Kanunit"
Për ta shkëputur disi nga mërzia dhe limontia, prindërit e dërguan së bashku me të vëllanë e vogël, në një udhëtim drejt Athinës, Stambollit dhe Palestinës. Rrugës për në Stamboll u njoh rastësisht me një aristokrat shqiptar që e frymëzoi për atdheun e tij dhe e ftoi të vizitonte Shqipërinë, ku Godini erdhi në vitin 1908. Asokohe ajo njohu edhe shumë atdhetarë shqiptarë, ndër ta edhe Eqrem bej Vlorën, me të cilin do ta lidhë një miqësi dhe bashkëpunim i ngushtë për sa qe gjallë. Në korrik të vitit 1914 punon si sanitare në Spitalin Ushtarak të Durrësit. Dhe punoi aq shumë e me përkushtim, sa zuri edhe vetë shtratin. Shkruan në gazeta dhe revista të kohës përshtypje udhëtimesh dhe përvojash kulturore. E kthyer në vendin e vet, Mynhen, në vitin 1914, krahas veprimtarisë së saj si mbështetëse dhe mbrojtëse e grave katolike dhe në përgjithësi, nuk e la kurrë pas dore shqipen dhe Shqipërinë. Shkruan një sërë romanësh dhe novelash me temë shqiptare. Harton artikullin për Shqipërinë në një botim të madh enciklopedik, për të vazhduar me fjalorin e madh të shqipes dhe të gjermanishtes, prej të cilit boton vetëm pjesën e parë dhe së fundi vjen radha të përmendim punën e saj madhore, të kryer së bashku me mikun e saj, Eqrem bej Vlorën, përkthimin në gjermanisht të njërës prej veprave simbol të popullit dhe kulturës shqiptare: Kanunit të Lekë Dukagjinit. Në shërbim të këtij qëllimi, për t'u njohur më mirë dhe për të kërkuar ndihmën e etërve të ditur për shqipen e vështirë dhe të vjetër të Kanunit, në vitin 1930 vjen sërish dhe jeton disa muaj në Shkodër. Në vitet e fundit të jetës nis të bashkëpunojë me Eqrem bej Vlorën për veprën "Ndihmesë për historinë e pushtimit turk në Shqipëri." Një vepër që e nisi, por nuk e përfundoi, pasi ndërroi jetë në vitin 1956...
Historia e re e Ballkanit
Titulli: Historia e Ballkanit 1804-1999
Autori: Misha Glenny
Përktheu: Abdurrahim Myftiu
Botimet: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit
Çmimi: 1600 lekë
“Kosova, - i thoshte auditorit të vet Kryeministri britanik Tony Blair në ditët e para të prillit 1999, - gjendet në pragun e Evropës.” Megjithatë, as edhe një gjeograf nuk do t’i quante Kosovën dhe fqinjët e saj pjesë të Azisë. Po nëse s’është as në Evropë e as në Azi, ku gjetiu, vallë, shtrihet Gadishulli Ballkanik? Me gjasë, z. Blair e ka thënë këtë i ndikuar nga Dracula e Bram Stokerit, në të cilën thuhet se Ballkani ka zënë “qendrën e njëfarë vorbulle imagjinare”, ku “janë mbledhur bashkë të gjitha besëtytnitë e paragjykimet që njeh bota”. Për dhjetëvjeçarë me radhë njerëzit në Perëndim i kanë vështruar këto treva si një zonë të paujdisur mirë në hartë, që ndan qytetërimin e mirëujdisur të Evropës nga rrëmuja e Lindjes. Sot gjuha e vëzhguesve nuk është aq romantike, por ndjenjat që e largojnë dhe mitologjizojnë Ballkanin ende gjallojnë. E vërteta është se vetëm kohët e fundit, në të dalë të shekullit XX, bota i ka përdorur mbiemrin “ballkanik” dhe derivate si “ballkanizim” për terma me kuptim keqësues. Për shembull, kur dikush shfaq “mendësi ballkanike”, nënkuptohet mendësia që parapëlqen hile, teprime dhe pamundësi për t’u mbështetur tek ai. Kur Jugosllavia nisi të shpërbëhet më 1989-n, mediat, të cilat prej kohësh kishin nxjerrë jashtë përdorimit klishe të tilla për njoftime e reportazhe nga Afrika, Lindja e Mesme ose Kina, filluan të përhapin përgjithësime për popujt që banojnë në këtë rajon, si dhe për historinë e tyre. Me sa duket, Ballkani gëzon një përjashtim të veçantë nga rregulli kundrejt stereotipizimit. E vërteta është se madje edhe përvijat e këtyre trevave misterioze ndërmjet dy kontinenteve janë të paqarta. Sipas shumë dijetarëve, Danubi përfaqëson kufirin verior të gadishullit. Ky kufi do t’i përfshinte të gjithë, përveç Rumanisë, një vend që është i pranishëm jo vetëm në shumicën e studimeve perëndimore për Ballkanin, por edhe në historitë rumune për Ballkanin, megjithëse ky vend nuk e ka fort për zemër të përfshihet në një grup me fqinjët e tij jugorë. Pas Luftës I Botërore politikanët amerikanë dhe evropiano-perëndimorë shpesh e kanë përmendur Hungarinë si pjesë të gadishullit, mirëpo prej vitit 1945 e këndej, ky përcaktim ka ardhur duke mos u ndier më. Shumë kroatë, që prej kohësh kanë ngulur këmbë në mendimin se kultura e tyre nuk ka të bëjë me Ballkanin dhe se identiteti i tyre është krejtësisht evropiano-qendror. Mirëpo të paktë janë ata historianë, që pajtohen me këtë mendim. Ishujt e Greqisë në Egjé e në Jon kanë marrë e përfituar nga trashëgimia mesdhetare e megjithatë, qyteti i dytë i vendit për nga madhësia, Selaniku, ka një histori aq të rëndësishme për Ballkanin, sa ç’ka edhe ajo e Sarajevës.
Mjegulla që i mbulon këto treva davaritet herë pas here, duke na zbuluar pamje e tipare të papritura, për t’u lëshuar përsëri më pas mbi ato treva e për të krijuar një peizazh të ri e të ndërlikuar... Sikundër në të gjithë librat e tjerë që merren me Ballkanin, përkufizimi për këtë gadishull, i përdorur në këtë libër, është një ndërthurje kriteresh gjeografike, historike e politike. Si rajone themelore janë vështruar Greqia kontinentale, Serbia, Kroacia, Rumania (edhe pse roli i Transilvanisë është dytësor), Turqia e Perandoria Osmane, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Për aq sa kanë ndikuar nganjëherë në këto treva, janë trajtuar shkurt edhe territoret periferike të Sllovenisë, Vojvodinës, Hungarisë, Moldavisë, Anadollit, Qipros, si dhe ishujt grekë të Egjeut e të Jonit...
Vlerësime
“Misha Glenny na jep një tablo të pasur të rrethanave historike të ngjarjeve në dhjetëvjeçarin e fundit. Libri i tij mbulon një hapësirë gjeografike e historike jashtëzakonisht të gjerë, që nga Greqia e fillimit të shekullit XIX e deri në Kosovën e pardjeshme. Njëherazi, gjatë rrugëtimit në histori, ai e gjen kohën për t’u ndalur e për të dhënë përshkrime emocionuese, fragmente poezie dhe portrete të fuqishme të personazheve kryesore. Kjo është një histori popullore e shkollës së Norman Daviesit, e konceptuar në shkallë të gjerë, shumë e pëlqyeshme dhe e kuptueshme në të lexuar, e përshkruar tej e tej nga muzika e së kaluarës... Një arritje e madhe.”
Timothy Garton Ash, Mail on Sunday
“Misha Glenny është më i mprehti e më i thelli ndër të gjithë ata gazetarë perëndimorë, që e kanë mbuluar këtë trevë të Evropës në dy dhjetëvjeçarët e fundit... Ky libër ka qenë një ndërmarrje jashtëzakonisht ambicioze, por e nevojshme për Evropën dhe Amerikën..."
Neal Ascherson, Observer
“Bindës...Libri i Glennyt duhet të jetë literaturë e nevojshme për të gjithë ata, që duan të dinë se çfarë nuk ka shkuar mirë në këtë rajon.”
Jonathan Eyal, Irish Times
Misha Glenny është një gazetar anglez ekspert mjaft i njohur i Evropës Juglindore. Përpara se të bëhej korrespondent i BBC-së ka ndjekur Universitetin e Bristolit dhe Charlesit në Pragë. Glenny u bë i njohur në botë me reportazhet e tij gjatë krizës në Jugosllavi, në fund të viteve 80’ dhe fillim të viteve 90’. Është fitues i çmimit “Sony”, në vitin 1993. Ai ka shkruar tri libra për Evropën Qendrore dhe Lindore, të përkthyera në mjaft gjuhë të botës. Ndër ta mund të përmenden: “The Rebirth Of History: Eastern Europe in the Age of Democracy” (1990); “The Fall of Yugoslavia” (1992).
"Risjellja" e 'gurit' të albanologjisë
Titulli: Studime Shqiptare
Autori: Johan Georg fon Hahn
Përktheu: Veniamin Dashi dhe Afrim Koçi
Botimet: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit
Çmimi: 1 500 lekë
Vepra e J. G. fon Hahnit “Studime shqiptare”, e shkruar dhe e botuar në Gjermani në vitin 1949, konsiderohet si një ndër veprat themelore dhe themeluese të studimeve shqiptare (albanologjisë). Po ndonëse ajo vazhdon të citohet pareshtur, në fakt deri më sot janë të paktë ata që e kanë lexuar dhe mund t’i referohen asaj drejtpërsëdrejti. Në fakt, në Institutin e Historisë ekziston prej vitesh një dorëshkrim me një përkthim të bërë nga një figurë fatkeqësisht e mbetur e panjohur për publikun, siç është Veniamin Dashi, koleg me Eqrem Çabejn dhe Aleks Budën, por që pas Luftës së Dytë Botërore mbeti në hije për “arsye biografike”. Por ky variant përkthimi është tejet i cunguar për arsye biografie. Prej tij ishin shkurtuar në mënyrë selektive nga Instituti i Historisë së asaj kohe pothuajse gjysma e librit (350 nga 800 faqet e librit). Në botimin e ri, që ka marrë për bazë përkthimin e V. Dashit, këto faqe janë përkthyer nga përkthyesi i mirënjohur Afrim Koçi. E gjithë kjo do të thotë se deri më sot, duke përjashtuar ata pak që kanë mundësi t’i referohen veprës origjinale në gjermanisht, pjesa më e madhe e studiuesve i janë referuar një vepre deri diku të falsifikuar. Nga ana tjetër, s’kemi të bëjmë thjesht me një vepër me rëndësi historike. “Studime shqiptare” është një vepër e shkruar mjaft bukur, që lexohet me mjaft kënaqësi dhe ç’është më e rëndësishmja, ka vlera të mëdha, sepse ndihmon që nëpërmjet së shkuarës të kuptojmë më mirë shumë nga problematika e sotme shqiptare.
E ndarë në gjashtë pjesë kryesore, në pjesën e parë dhe hyrëse, vepra përmban një vështrim të përgjithshëm gjeografiko-etnografik të shqiptarëve dhe të vendit të tyre. Pjesa e dytë, mjaft interesante, përfshin shënimet e një udhëtimi që Hahni bëri në vitin 1848 anë e mbanë Shqipërisë së asaj kohe, duke na dhënë një tablo mjaft realiste dhe tërheqëse të realitetit të kohës. Pjesa e tretë përfshin një tablo etnografike, ku përshkruhen zakonet e krahinave të ndryshme ku banonin shqiptarët.
Pjesa e katërt ka të bëjë me historinë e popullit shqiptar, duke ndalur në historikun e hollësishëm të mjaft vendeve e qyteteve në krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Pjesa e pestë i kushtohet mitologjisë së shqiptarëve, duke kërkuar njëkohësisht shpjegimin, krahasimin dhe rrënjët e çdonjërit prej miteve. Pjesa e gjashtë, që titullohet “Alfabeti i shqipes”, na jep një tablo interesante të të gjithë përpjekjeve të deri atëhershme për të shkruar gjuhën shqipe. Ndërsa pjesa e shtatë dhe e fundit, i rikthehet dhe njëherë historisë së shqiptarëve.
Marre nga : Gazeta Metropol











