Sipas ekspertëve, ato monedha vlejnë të paktën 350 milionë euro dhe janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit të varrosur, së bashku me anijen "Merkant Rojal". Edhe pse nuk është marrë, ka qenë vetëm një pjesë e gjuetisë për thesarin: pjesa e vështirë vjen tani, me daljen para një gjykate të Floridës për të vendosur se kujt i përket ai.
Mirë se vini në botën e piratëve të shekullit XXI, një bote jo më pak të çliruar nga paragjykimet, të egër dhe piktoreske nga ajo e piratëve që plaçkitnin lundërtarët në shekujt e mëparshëm. Dihet që oqeanet kanë qenë dhe janë streha e shufrave të arit, argjendit dhe xhevahireve, por deri më sot fatkeqësisht nxjerrja e tyre në sipërfaqe ka qenë shumë e vështirë, madje në shumë raste e pamundur.
Sot, progresi teknologjik i ka ndryshuar mjaft gjërat. Edhe nëse një anije e mbytur do të gjendej 20 mijë milje në thellësi, zbulimi i saj nuk do të ishte i vështirë. Gjuetia e thesareve është bërë një biznes, ku kompanitë private përballen pa përjashtim, të financuara shpeshherë nga shoqëri investimesh të cilët besojnë tek ata njësoj sikur luajnë ruletë: nëse humbasin, kanë shpërdoruar disa miliona euro, por nëse fitojnë mund të fusin në xhep 100 ose 200 herë më shumë.
Me ndihmën e sistemeve satelitore, radarëve të kompjuterizuar e të tjera pajisjeve të teknologjisë së lartë, këta piratë janë në gjendje të llogarisin se rreth tre milionë anije janë varrosur në fund të deteve, ose oqeaneve në ndonjë anë të tokës. Natyrisht, nga këto anije vetëm një pjesë e vogël transportonte ndonjë ngarkesë të çmuar, por sërish kjo është mjaftueshëm. Sipas një kërkimi të bërë kohët e fundit, janë rreth 3 milionë të tilla, pa llogaritur numrin e njerëzve që ndodheshin në këto anije. Operacionet për të gjetur anijet e mbytura dhe për t‘i nxjerrë në sipërfaqe shumëfishohen nga muaji në muaj, duke nxitur dy lloj qëllimesh. I pari është me karakter shkencor. Piratët modernë nuk shquhen për zgjuarsi: kërkojnë të peshkojnë thesarin, duke mos u shqetësuar për atë që i rrethon. Me pak fjalë, mbetja e anijes dhe gjithçka tjetër që ndodhet në bord injorohet ose lihet pas dore, apo më keq, shkatërrohet gjatë operacioneve të shpëtimit. "Për breza të tërë këto anije ishin si burime arkeologjike të ruajtura mirë në fund të detit, një zonë e paprekur nga dora e njeriut. Tani që mund të preken nga dora e njeriut, ekziston rreziku që të grabiten pa kurrfarë respekti për pasurinë historike dhe kulturore që përfaqësojnë dhe përfundimi do të jetë njësoj sikur të ishin zhdukur në pafundësi", pohon një profesor doktor për gazetën angleze "The Indipendent" ("Independent"), i cili ka publikuar një hartë të thesareve nënujore.
Në vitin 2001, UNESCO aprovoi një marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e pasurisë kulturore nënujore, por kundërshtime të vazhdueshme nga ana e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për këtë iniciativë u kanë hapur rrugën përfituesve të paskrupullt. Dy vjet më parë, me rastin e 200-vjetorit të betejës së Trafalgarit, një grup bipartizanësh parlamentarësh britanikë filluan të shkelnin mbi qeverinë laburiste, në atë kohë i drejtuar nga Toni Bler (Tony Blair) dhe tani nga Braun (Brown), që të firmoste marrëveshjen, por nuk ia arritën qëllimit.
Qëllimi i dytë është ligjor. Shpeshherë nuk është e qartë se kujt i përkasin thesaret e detit. Për shembull, në rastin e "Bllek Suan" ekspertët britanikë mendojnë se anija misterioze e gjetur nga shoqata "Odisej" të jetë "Merkant Rojal" dhe përmbajta e saj i takon Mbretërisë së Bashkuar. Por, Spanja është e bindur se bëhet fjalë për "Nuestra Sinjora de Mercedez" ("Nuestra Senora de Mercedes"), një anije lufte spanjolle e mbytur pothuajse në të njëjtën epokë me flotën britanike pranë Portugalisë dhe përmbajta e saj i përket autoriteteve të Madridit.
Drejtuesit e "Odisej" theksojnë se është e pamundur të njihet anija e gjetur, e si pasojë përmbajtja u takon atyre. Çështja do të zgjidhet nga një gjykatë e Floridës, aty ku është dorëzuar edhe plaçka prej 350 milionë eurosh. Në pritje të vendimit piratët i janë drejtuar gjuetive të tjera të thesareve nënujore si: "Jutlend" ("Jutland"), një anije lufte gjermane e mbytur gjatë Luftës së Parë Botërore, "Titanikut" ("Titanic"), "Adventurë", anijes së kapitalizmit, "Kid" ("Kidd") mbytur në 1698 para Madagaskarit, "Kuin‘s En" ("Queen‘s Anne") fundosur në 1718-ën në fund të Kalifornisë së Veriut, për të mos folur për flotën e 40 anijeve spanjolle, të cilat mendohen se janë mbytur pranë Floridës mes 1622-1733.
Net të errëta e me stuhi, piratë, përplasje, peshtafe me monedha ari e diamanti, kapitenë guximtarë, anije që fiksojnë fantazitë e kërkuesve modernë, si anijet fantazma që vazhdojnë të çajnë oqeanet me një thesar të fshehur në hambar.
Marre nga : Gazeta Shqip











