Pas hekurave per pasion te profesionit

Pas hekurave për pasion të profesionit
E konsideron një veprim që do t‘i sjellë diçka pozitive njerëzimit, kërkon të përjetojë vetë botën pas hekurave dhe të rrëfejë efektin që luan te të dënuarit. Është i bindur se kushtet e burgjeve reflektojnë besnikërisht nivelin e demokracisë së një vendi.

E nisi këtë rrugëtim rastësisht, pas një përvoje humanitare në një burg kilian. "I thashë vetes si mund të qe i plotë përkushtimi im në rast se nuk përfshihesh tërësisht në të". Kështu, me t‘u kthyer në Belgjikë formuloi një kërkesë për t‘u burgosur. Iu përgjigjën se për këtë ai duhej të shkelte ligjin, "të paktën të vidhte ndonjë pulë". "Sa kohë do më dënoni në rast se e bëj?", pyeti shkrimtari. "Jo më shumë se pesë vjet" qe përgjigjja e autoriteteve. Këmbënguli. Më në fund arriti të bindte një gjyqtar se disa net "në kafaz" nuk mund ta dëmtonin sistemin.

Me kalimin e kohës u kthye në një punë. Belgu De Kok, i lindur në vitin 1964, e ndan sot karrierën mes punës me kohë jo të plotë të të burgosurit vullnetar, mes karrierës së shkrimtarit, aktivitetit në një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve dhe punës pranë një spitali të Anversës. Gjatë kësaj kohe ka publikuar dy libra të pabesueshëm, "Hotel Burgu" dhe "Shpellat e Kongos", kujtime nga qelitë e burgjeve, të shpërndara në të pestë kontinentet, një udhëtim në ferrin e qelive dhe njëherësh një apel i dhimbshëm që të drejtat njerëzore të mos shkelen me këmbë me t‘u kyçur një bravë. Është një dramë të cilën Kok e përshkruan pa iu dridhur dora. Observon me kujdes dhe mban shënime. "E dini diçka?", thotë buzagaz, "një ndër mësimet më të rëndësishme që kam nxjerrë gjatë këtij rrugëtimi është që më të frikshëm janë gardianët, se të dënuarit".

I ka rrahur të gjitha burgjet, që nga Sidni në Ouagadougou, nga Bangkoku në Kubë. Nuk ka ardhur ende në Shqipëri, ndoshta për shkak të gjuhës, pasi e sheh si të domosdoshme të njohë gjuhën e të dënuarve. Në përgjithësi kërkon ndihmën e ndonjë ish të dënuari me njohjet e duhura, për t‘i krijuar mundësinë të hyjë brenda qelive. Tani që librat e tij kanë fituar popullaritet, gjërat i janë lehtësuar së tepërmi: pranojnë ta fusin pas hekurave pa i bërë shumë naze. Kjo nuk vlen për rastin e amerikanëve, të cilët nuk ia kanë pranuar kërkesën për ta qëndruar disa net në qelitë e Guantanamos; as edhe kinezët. "Në Pekin m‘u desh të arrestohesha vërtet". Kujton: "Në sheshin Tienanmen u dhurova ushtarëve një tufë lulesh, bashkë me një pusullë ku shkruhej ‘paqe dhe liri‘. Mjaftoi që të më plasnin me shpejtësi brenda".

Kujtimet e Kokut përshkruajnë skutat më të errëta të planetit. "Ekzistojë shumë burgje të tmerrshme nëpër botë, rrëfen. Më vjen ndër mend një burg në Haiti, ku gjendeshim 18 të burgosur brenda një qelie prej 18 metrash katrorë. Nuk ndodhi asnjëherë që të na nxirrnin në ajër të pastër. Që të gjithë të palëvizshëm në të njëjtën pikë, disa edhe prej tetë vjetësh. As edhe një nga objektet për të garantuar kushtet më minimale të jetesës, vetëm një kovë ku kryenim të gjithë nevojat personale. Gratë qenë më me fat: kishin mundësi të dilnin një herë në ditë nga qelia e tyre për të boshatisur kovat e qelive të burrave. Në Japoni, vazhdon ai, sistemi është i tmerrshëm. Të dënuarve nuk u lejohet të flasin, as të shohin në sy gardianët. Po ta bësh, dënohesh me izolim. Në Dubai është edhe më keq akoma. Gjendesha mes atyre njerëzve që u janë prerë gishtërinjtë apo duart. Aty, në rast se nuk e paguan pulën, të presin diçka. Gardianët më shpjeguan se i kishin trajnuar në Arabinë Saudite. Një ndër kurset i dedikohej tërësisht mësimit të prerjes së gjymtyrëve, ku kujdes të veçantë i kushtohej procesit të zhytjes së pjesës së mbetur në një vaj të posaçëm të nxehtë, për të ndalur rrjedhjen e gjakut. Frikë? Sigurisht", pranon belgu, i cili ka kërkuar që në të gjitha rastet të trajtohet si të burgosurit e tjerë. "Në Kigali më sulmoi një i çmendur. Donte të më vriste". Rrëfen se në rrethanat më të këqija, mbrojtja e vetme të ofrohet vetëm nga solidariteti i shokëve të qelisë, "megjithëse është rregull i përgjithshëm kujdesi për të mos cenuar autoritetin e kapos së burgut". Vlente kudo. Edhe në vende të civilizuara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Atje janë paranojakë. Më mbyllën në San Kuintino. Atje, pas 11 shtatorit nuk lejonin më të hynin në burg as furçat e dhëmbëve apo revistat. Kontrollet bëheshin me kujdes të atillë që kalonte limitet e manisë".

Rezultati është që në rast se do të qe i detyruar të zgjidhte mes një burgu me kushte optimale të Teksasit, apo një tjetri të tmerrshëm në Afrikë, Kok do t‘i duhej ta vriste shumë mendjen. "Në Kongo gjendesh në qeli bashkë me 20-30 të tjerë, dhe nëse nuk mjafton ushqimi, të gjithë të dënuarit ndajnë me njëri-tjetrin atë që kanë. Në Amerikë je i detyruar të qëndrosh vetëm gjatë gjithë kohës dhe luan mendsh". Është fat i mirë që ekzistojnë burgjet me pesë yje. Në Norvegji, për shembull, "ku të burgosurit e Bastojit gjenden në një ishull dhe banojnë nëpër shtëpi bashkë me 7-8 të burgosur të tjerë, ku edhe punojnë, gjithçka vërtitet rreth respektit reciprok".

Impenjimi i shkrimtarit ka dhënë disa rezultate. Fondacioni i themeluar prej tij ka arritur të grumbullojë fondet e duhura për të ngritur nga zero një burg në Kivun e Veriut, në Kongo. Në rast se dikush e pyet përse e vazhdon gjithë këtë mundim, tregon se "ajo që më ka prekur më shumë në privimin nga liria është vetmia që injektohet në mendjen e njerëzve. Njoha një grua të moshuar në Limë të Perusë, e cila mbaroi dënimin dhe u lirua pas 27 vjetësh burgim. Tri ditë më pas u lutej autoriteteve të burgut ta fusnin përsëri brenda, pasi jashtë nuk i kishte mbetur më asnjeri. Është e drejtë të paguash për krimet e kryera, por pagesa mund të zgjasë pafundësisht". Kërshëri duhet të ngjallë fakti nëse i ka shkuar ndonjëherë mendja të arratiset. "Nuk mund të them që po, ndoshta ngaqë nuk kam ndenjur ndonjëherë brenda për shumë kohë. E pastaj, për të qenë i sinqertë, për mua pengesa e përhershme është hyrja në burg dhe jo dalja".

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama