Pashku modern i letrave shqipe

Pashku modern i letrave shqipe

Anton Pashku mbetet një lloj fenomeni letrar me një prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike; vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të ngritur deri në model. Vetë shkrimtari pat shënuar se "Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një "gjuhë normale". Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për "gjërat më normale" nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Kur janë të ngjeshura mirë e mirë pranë njëra-tjetrës, këto shenja krijojnë aso relacionesh të reja që mund të kyçin ndër to eksplozionet e panumërta jetësore që kanë intensitete shumë të larta".

Vepra letrare e Anton Pashkut prezanton në mënyrën më të përkryer dramatikën e jetës, pavarësisht nga zhvendosja e saj nëpër kohë që duket sikur është e palëvizshme, e ngrirë, dhe në këtë kontekst, ajo prezanton fatin e njeriut në përgjithësi, si individ apo si kolektivitet njerëzor. Më saktë, ai kundron rrethin ekzistencial të njeriut dhe formëson një tekst të tillë letrar ku mund të nxirren segmente të shumtë kuptimorë. Aty ka simbolikë dhe përmes saj kundrohet fati i mjedisit, fati i personazheve; në rast se hiqet mbulesa e simbolikës, mund të kundrohet më me lehtësi kthjelltësia e mjedisit dhe e personazheve. Aty mitet sikur preken, kthjelltohen, sikur hetohet atmosfera artistike, një atmosferë krejt sugjestive, me një harmoni a kombinim ngjyrash, që mund të shërbenin si dekor në lëvizjen e jetës dhe vdekjes, dhe natyrisht, këto shumë pranë njëra-tjetrës. Por, më tepër se e ndjenjës, vepra e Pashkut është vepër e mendimit dhe dendësia e saj mbërrin në kufijtë më të dukshëm të maksimales. Ndërsa, realizimi i një teksti cilësisht të lartë, është arritur vetëm përmes një pune të studiuar imtësisht.Këtë gjë e ka shpjeguar vetë autori për një nga veprat e tij: "Në dramën "Gof", për shembull, zbatova matematikën dhe teorinë engjyrave. Mirëpo, së pari, shfletuam të gjitha gazetat e periudhës '37-'38-'39. E thithëm krejt atë pluhur. Tek pastaj, fillova të përdor trekëndëshin: kjo vjen deri këtu, kjo tjetra mbërrin deri aty. Saktë e përcaktoja intensitetin e shprehjes..."

Pa kurrfarë dyshimi është mbërritë në mendimin se Anton Pashku mbetet njëri prej stilistëve më të mëdhenj në letërsinë tonë. Vepra e tij është parë në shumë anë a kënde venerimi, çka flet se kjo vepër është kthyer në pikë referimi të vazhdueshme. Dendësia e mendimit dhe estetika e lartë e tekstit, ka bërë që shpesh vepra e tij të jetë vështirësisht e kuptueshme, siç dëshmon gjithashtu se teksti i tij, qoftë në dramë, në prozë të shkurtër apo dhe në romanin "Oh", kërkon një rilexim apo një vëmendje maksimale në të lexuar.

Vlerësimet për këtë vepër janë të shumta dhe kritika letrare (kryesisht në Kosovë) e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij prej fillimeve të publikimit, pavarësisht se një vepër letrare si e tij, ose më mirë, një vepër letrare si e Anton Pashkut,edhe sot kërkon venerime pas venerimesh. Me të drejtë është konstatuar se "Anton Pashku mbetet Xhojsi i letërsisë shqipe" (I.Rugova); "Përdor metodën e shkrimtarëve të shquem të Perëndimit dhe asht nën ndikimin e tyne. Veprat e e Foknerit dhe Xhems Xhojsit, Tomas Vulfit dhe të tjerëve, ma tepër shkrimtarë anglo-amerikanë, të cilët i ka pasë si lektyrë në takimet e përditshme me librin-kanë ndikuar ma shumë se të tjerët" (H.Mekuli).

Në Shqipërinë e para viteve '90, kur në letërsi socrealizmi kish frymë mbizotëruese, as që mund të bëhej fjalë për qarkullimin e veprës së Pashkut: tek-tuk ndonjë tregim i botuar dhe gjithçka tjetër e mbuloi heshtja. Sidoqoftë, afërsisht edhe në këto rreth dy dekada vite të hapjes së Shqipërisë, funksionon ende një lloj anatemimi krejt i pashpjegueshëm, gati-gati cinik: vepra e tij e plotë s'është botuar ende në Tiranë, kur në Prishtinë ajo është botuar dhe ribotuar disa herë, duke përfshirë këtu edhe botimin për nxënësit e shkollave të mesme në kolanën "Lektyrë shkollore".

Anton Pashku u nda nga jeta më 31 tetor 1995. Ai la pas një vepër solide letrare, me shfaqjen e saj më të dukshme të modernitetit, vepër që mbetet nga shfaqjet më të dukshme të mjeshtrisë letrare, me prirje të vazhdueshme për kah përsosja e tekstit. Si çdo krijimtari e madhe dhe që dallohej menjëherë prej letërsisë vegjetuese, të përkohshme, të letërsisë për letërsi, u fut dalngadalë në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letrave shqipe, ekskluziv për kah fryma letrare, për kah ndriçimi i fjalëve, i frazës, i figurave, i kuptimshmërisë. Shkurt, një shkrimtar që krijoi harmoni artistike në krejt veprën e tij.

 
Petrit Palushi  : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama