Arbereshet Standarti shqip i perjashtuar

Arbëreshët, Standarti shqip i përjashtuar

Prandaj parimi themelor është të kuptuarit: nuk dëshirojmë të shkruajmë për një pakicë ekstreme, për një elitë studiuesish shumë të kufizuar”


A është i mundshëm njënjësim gjuhësor i të folmeve arbëreshe nëpërmjet hartimit të gramatikave apo fjalorëve? Në pjesën e dytë të intervistës, Profesor Italo Fortino drejtuesi i Departamentit të Europës Lindore në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Napolit “L’Orientale” dhe titullar prej vitesh i Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë këtij Departamenti, përgjigjet mes të tjerash për “Shekullin” se përjashtohet absolutisht gjuha standarde shqipe. Kjo për faktin e thjeshtë se arbëreshët, me aq njohje të zakonshme të gjuhës, nuk e kuptojnë atë. Nisur nga parimi i të kuptuarit do të bëhen të gjitha zgjedhjet e mundshme të ardhmen.
Sa ndihmojnë tradita e shkruar e hershme si dhe përpjekjet e sotme për hartimin e gramatikave apo fjalorëve të të folmeve arbëreshe në një njësim të mundshëm gjuhësor?
Duhet të mbajmë parasysh që Ligji 482 i vitit 1999, i cili mbron pakicat gjuhësore historike në territorin italian, prandaj edhe atë arbëresh, flet për mbrojtjen e gjuhës së folur, dmth. mbron variantet arbëreshe që fliten në çdo fshat, por, meqë bëhet fjalë edhe për kulturën arbëreshe, kuptohet që duhet të studiohet edhe letërsia arbëreshe, pra gjuha e shkruar, si edhe në nivelin më të lartë edhe shqipja, sepse disa autorë arbëreshë kanë shkruar dhe shkruajnë shqip. Kur flasim për një njësim të gjuhës arbëreshe i referohemi gjuhës së shkruar, dhe një gjuhe të shkruar që mund ta kuptojnë të gjithë arbëreshët ose së paku shumica e arbëreshëve. Përjashtojmë së pari gjuhën standarde shqipe, sepse arbëreshët, me njohje të zakonshme të gjuhës, nuk e kuptojnë.

Një shembull sqaron gjendjen e kuptimit të shqipes: më 1 maj 2004 me rastin e promovimit të librit Opera letteraria të Vorea Ujkos në një fshat arbëresh ku studiuesit arbëreshë flitnin në një arbërishte të përbashkët, njerëzit e pranishëm kuptuam mjaft mirë, ndërsa kur folën studiuesit shqiptarë patëm nevojë për përkthimin, për të ndjekur punimet. Prandaj parimi themelor është të kuptuarit: nuk dëshirojmë të shkruajmë për një pakicë ekstreme, për një elitë studiuesish shumë të kufizuar. Nga ky parim rrjedhin të gjitha zgjedhjet. Edhe kur flasim për ndihmën që mund të japë tradita e shkruar e së kaluarës duhet të dallohen autorët që kanë shkruar në mënyrë të qartë, me një leksik të kuptueshëm, nga autorët që paraqesin vështirësi nga pikëpamja leksikore, si edhe në disa raste edhe nga pikëpamja sintaksore. Gramatikat arbëreshe më të fundit që janë shkruar me qëllime didaktike, mendoj që kanë shumë rëndësi, si edhe fjalorët, sepse janë një përpjekje për të sistemuar në mënyrë organike kategoritë gramatikore, si edhe leksikun. Nga këto studime shfaqet një prirje, patjetër interesante, që na çon në një njëfarë forme gjuhësore të përbashkët. Për sa i përket leksikut, në veçanti, shpresoj që të arrihet në një fjalor që dallon leksikun e gjallë, atë ende të përdorur në fshatrat arbëreshë, dhe leksikun e gjuhës së shkruar, atë që rrjedh nga vjelja e veprave. Në fund do të ishte interesante të njihet sa nga leksiku i shkruar sot është i kuptueshëm, pra i përshtatshëm të hyjë në përdorimin e zakonshëm të gjuhës së shkruar dhe të folur. Në këtë drejtim i sugjeroj Autorit të Fjalorit të Arbëreshvet (E. Giordano) të planifikojë një botim të dytë që mban parasysh një punë të tillë.


Si mund të shmanget rreziku i krijimit të një gjuhe artificiale?
Duhet shumë kujdes të mos krijohet një gjuhë artificiale, me elemente që popullsia nuk i njeh si të vetat. Do të ishte mbarimi i eksperimentimit të mësimit të gjuhës arbëreshe, sepse asnjeri nuk do ta ndiqte. Është kjo arsyeja pse nuk mund të përdoret shqipja në të shkruar në fshatrat arbëreshë.

Duhet një ndjeshmëri të veçantë e cila respekton nevojat psikologjike të njeriut. Përballë mësimit të një gjuhe, si arbërishtja, që nuk ka një funksion të fortë për sa i përket dobishmërisë praktike, sidomos të rinjtë arbëreshë janë në rrezik të kalojnë drejt në italishten e shkruar, pa shumë probleme, sepse është gjuha më e lehtë për ta shkruar dhe që ka më shumë mjete mësimi dhe raste njohjeje, siç ndodh në fakt tani në të gjitha fshatrat arbëreshë. Ruajtja e kulturës dhe e gjuhës arbëreshe, me të folur dhe me shkrim, duhet të bëhet në mënyrë harmonike me kulturën e gjallë, prandaj duhet të veprohet me kujdes. Arsyet psikologjike na thonë që është e dobishme të njihet kultura amtare, në mënyrë të plotë, për arsye kulturore, psikologjike dhe etniko -humanitare: së pari sepse çdo kulturë ka një vlerë më vete e cila kujton historinë dhe përmban botëkuptimin e një popullsie; së dyti sepse gjuha, ashtu si kultura amtare në përgjithësi, është gjuha e zemrës dhe ruhet sepse identifikohet me familjen dhe me komunitetin më të afërt. Nga respekti i kulturës dhe gjuhës familjare dhe fshatare varet edhe rritja e njeriut në mënyrë harmonike. Dhe sidomos sot në një botë të ndërlikuar dhe me shumë tronditje shpirtërore, ka rëndësi harmonia e zhvillimit psikologjik dhe kulturor të njeriut për t’i garantuar ekuilibrin dhe qëndrueshërinë më të plotë; së treti sepse çdo kulturë ose etni që dobësohet dhe vdes është një dobësim i përgjithshëm i të gjithë njerëzimit. Me një kulturë që vdes, vdes një pjesë të njerëzimit.


Mekanizmi i cili mund të garantojë esencialisht kalimin në shkrimin është gradualiteti, në mënyrë që studentët të mësojnë të shkruajnë duke e përvetësuar gjuhën që shkruajnë, dmth. nuk duhet ta ndiejnë si gjuhë të re, por si gjuhë të vetën që ata provojnë të shkruajnë. Prandaj së pari ata mësojnë të shkruajnë gjuhën që flasin dhe gradualisht zgjerojnë horizontin me një gjuhë që përmban disa elemente që e lartësojnë atë gjuhë, siç është natyrisht gjuha e shkruar e çdo populli.
A mbani lidhje me institucione simotra në Shqipëri dhe ku kanë synuar ato? Ndjeheni të përfshirë në problematikat që kalon shkenca gjuhësore sot apo të lënë mënjanë?


Prej gati 15 vjetësh midis Universitetit “L’Orientale” të Napolit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe në veçanti me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë është nënshkruar një marrëveshje kulturore që po punon shumë mirë. Kemi organizuar disa seminare për probleme të letërsisë dhe të gjuhësisë shqiptare me shumë dobishmëri për të dyja palët. Mjafton të shfletosh dy vëllimet e lartpërmendura, Albanistica Novantasette si edhe Albanistica Duemiladue që përmbajnë të gjitha referatet e mbajtura në këto seminare. Falë kësaj marrëveshjeje po botohet, siç kam kujtuar pak më parë, Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe. Në vitet e ardhshme marrëveshja do të ketë një funksion edhe më të rëndësishëm sepse Departamenti i Studimeve të Europës Lindore, që drejtoj unë, do të ndërkombëtarizojë Doktoratën për Kulturat e Europës Lindore, ku do të ftohen të marrin pjesë Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe Universiteti i Tiranës për një bashkëpunim shkencor dhe didaktik më të fortë dhe të frytshëm.

 
Për sa i përket problematikës së shkencës gjuhësore shqiptare ndjek me interes të veçantë zvillimet e debatit për çështjen e shqipes standarde, në veçanti gëzohem me të vërtetë shumë që është krijuar një Këshill Ndërakademik për Çështjen e Shqipes Standarde. Siç më duket ky Këshill merr shumë rëndësi në një moment të tillë sepse përfaqëson të gjithë botën shkencore mbarëshqiptare. Nëse nuk gaboj ky Këshill Ndërakademik përbëhet nga anëtarë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Arbëria. Figura si Shaban Demiraj dhe Rexhep Ismajli na thonë se debati bëhet në nivelin më të lartë dhe besoj që, patjetër, do të japë një kontribut të jashtëzakonshëm për pasurimin e gjuhës standarde. Mendoj edhe që të gjithë gjuhëtarët do të jenë të kënaqur sepse mirren parasysh gjuha shqipe dhe arritjet e saj pas 30 vjetësh nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Përveç kësaj, shpreh një gjykim shumë pozitiv edhe për metodën që ndiqet në debatin për çështjen e shqipes standarde. Me duket që nuk është diçka e improvizuar, por një debat që mbështetet mbi njohje shkencore më të avancuarat që njihen. I referohem takimit shkencor me Prof. Tullio De Mauro, të mbajtur në Tiranë më 5-8 tetor 2005, ku është rrahur çështja në vijat teorike të përgjithshme nga të cilat mund të rrjedhin drejtimet e përshtatshme edhe për gjendjen e gjuhës shqipe.


Si i shihni zhvillimet e reja shoqërore e gjuhësore në mbarë trevat shqipfolëse?
Studimi i gjendjes gjuhësore në përputhje me situatën e re sociolinguistike mendoj që është një fakt pozitiv, sepse tërheq vëmendjen e studiuesve për të përmirësuar disa aspekte gjuhësore që kanë ngelur të fosilizuara: është problemi i gjuhës së shkruar e cila ndryshon me më shumë ngadalësi në krahasim me gjuhën e folur. Por mendoj edhe që duhet të mbajmë parasysh që riformulimi i gjuhës bëhet vazhdimisht vetvetiu sepse gjuha nuk është një sistem statik, por një sistem dinamik. Atë e ndryshojnë vazhdimisht folësit si edhe shkrimtarët. Prandaj para se të mirren vendime teorike mendoj që duhet të kihet kuadri i situatës së përdorimit të gjuhës standarde dhe ndryshimet që mund të rrjedhin nga përdorimi i saj mëse 30-vjeçar.

Nëse dihet se si ndryshon gjuha, pastaj edhe gjuhëtarët kanë më shumë elemente për të diskutuar dhe për t’u orientuar në këtë fushë që mbetet patjetër delikate. Problemi nuk është riformulimi i kodit të standardit vetëm me qëllimin e riformulimit, por duhet verifikuar më parë nëse ekziston nevoja e riformulimit, dmth. nëse gjendja sociolinguistike kërkon një ndërhyrje në rishikimin e standardit për një rivlerësim të të gjitha mundësive gjuhësore. Besoj edhe që gjendja e re e Kosovës, që marshon në drejtim të pavarësisë, kërkon vëmendje të veçantë për një zhvillim harmonik të problemit gjuhësor. Dhe nëse mbahen parasysh të gjitha elementet e çështjes së gjuhës standarde, rruga më e përshtatshme është ajo e mbështetjes në një metodë shkencore të përforcuar. Një ndihmë në këtë fushë mund të vijë nga debati që sapo filloi me takimin shkencor të organizuar nga Istituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë i Tiranës (5-8 tetor 2005), ku Prof. Tullio De Mauro u deklarua i disponueshëm për një projekt që përfshin rivelimin dhe skedimin e usus-it të gjuhës shqipe. Në fund më duket një sukses i madh në këtë drejtim Akt-Marrëveshja mes Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) dhe Institutit të Studimeve Gjuhësore dhe Letrare (Universiteti “La Sapienza” i Romës) që ka si qëllim kryesor organizimin e një grupi studiuesish për të hartuar një projekt pikërisht për rilevimin dhe skedimin e usus-it të gjuhës shqipe të shkruar dhe të folur. Mendoj që kjo është një bazë e qëndrushme ku mund të mbështetet çdo debat për gjuhën standarde shqipe dhe një bazë që do të japë një ndihmë vendimtare për sqarimin e pozitave të rrymave të ndryshme gjuhëtare.

Marre nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama