Vetëm para pak kohësh ju u shfaqët me një recital. Çfarë shënonte "ndryshe" ky koncert në të gjithë jetën tuaj artistike?
I fundit recital i imi ishte më 4 dhjetor dhe u bë për festën nacionale të Rumanisë, pas një specializimi që unë kisha bërë më përpara në Rumani dhe ideja ishte të përcillnim çfarë morëm për muzikën rumune nga Rumania, në bashkëpunim edhe me ambasadën. Programi ishte i bazuar në pjesë të kompozitorëve rumunë dhe shqiptarë, me pjesë rumune dhe shqiptare, apo pjesë të kompozitorëve klasikë, si Beethoven dhe sonata nr. 3 solo për violinë. Në fakt, ishte një lloj eksperimenti, pasi sollëm muzikën e kompozitorëve të huaj, shumica e veprave të të cilëve ishin premierë për ne. Them se u prit me shumë sukses dhe ishte shumë interesant, qoftë nga programi i zgjedhur, dhe unë jam shumë e kënaqur. Në shtrirje më të gjerë ky ishte aktiviteti im i fundit si soliste. Por duke folur për aktivitetin në përgjithësi mund të përmend aktivitetin me orkestrën e TKOB-it, ku kam luajtur koncertin e Sibeliusit për violinë. Kam marrë pjesë në koncertin që u zhvillua në Gjirokastër në shtator, e ftuar nga kuarteti i njohur francez Gaudi me sopranon Inva Mula. Po ashtu kam debutuar si soliste në bashkëpunim me ambasadën greke, interpretim që u përsërit në “Apolonia Festival”.
Keni disa vite që jeni violinë e parë në orkestrën e Operës dhe Baletit. Ç'mund të thoni për fillimet tuaja si violiniste? Si ndodhi që "u dashuruat" me violinën?
Nuk kam asnjë lidhje familjare me artin. Por profesori im, që ishte komshi, rastësisht më dëgjoi. Mora pjesë në konkursin për fëmijë, në moshën 6-vjeçare. E fillova si rastësisht këtë rrugë e pastaj e vazhdova, duke u bërë më vonë koshiente për talentin dhe ecuritë e mia artistike. Tani jam në një fazë që nuk e mendoj fare veten pa violinën. Më pëlqen shumë profesioni im.
Cilët kanë qenë ata persona që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj si artiste?
Mësuesit dhe pedagogët e mi. Por një ndihmë shumë të madhe psikologjike ia dedikoj vetëm nënës sime, që ka qenë kaq e përkushtuar dhe më ka mësuar të jem e vullnetshme, e përgjegjshme për vështirësitë që ka çfarëdolloj fushe, por sidomos profesioni i artit, të cilin e prek nga afër.
Folët për vështirësitë. Ju kanë bërë këto të mendoni për një largim nga Shqipëria?
Nuk ka qenë asnjëherë dëshira ime dhe nuk e mendoj të largohem. Megjithëse kushtet këtu janë aspak të favorshme për artistët. Por mund ta quaj veten të përkëdhelur, në kuptimin që investoj për diçka dhe e marr frytin e kënaqësisë që dua të marr nga koncerti duke dëgjuar opinione të ndryshme. Kjo më mjafton të ndihem mirë, megjithëse kushtet e motivet në Shqipëri, për të bërë një punë të vështirë, sidomos për solistet, janë të pakta.
Si janë këto kushte në TKOB?
Atje kushtet janë përmirësuar disi. Kam shtatë vjet si koncert-maestër, si violinë e parë, dhe kur vjen një i ri nuk është se pritet me shumë entuziazëm. Por pas një pune sistematike timen kam ndërtuar marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me kolegët e mi. Duhet punë shumë e madhe të jesh bindës për vendin tënd të punës. Ndihem shumë mirë, se e kam në maksimum vlerësimin e kolegëve të orkestrës dhe e ndiej veten mirë në TKOB. Bashkëpunojmë me dirigjentë të ndryshëm dhe mund të them se puna në opera, lloji i muzikës që është në opera e që ka lidhje direkt me kanton, të zhvillon për fazat muzikore. Me pak fjalë, e ndiej veten me fat që punoj atje.
Në të gjitha vitet e punës suaj, ka diçka që do të mund të veçonit nga interpretimet tuaja?
Do të evidentoja koncertin e Çajkovskit të luajtur me orkestrën e Radiotelevizionit vitin e shkuar, në mars. Atje mund të them se kam qenë e kënaqur, pasi zakonisht nuk jam e kënaqur me punën time. Njeriu kërkon dhe arti nuk ka fund. E kam ndier veten shumë mirë edhe në operën “Baterflaj”. Është një opera që në fakt unë e adhuroj e që gjithmonë kam dashur ta luaj. E kam përjetuar dhe më pëlqen shumë edhe fakti që vajza ime ka marrë pjesë në këtë opera. Kanë qenë shumë gjëra për të cilat e kam shijuar tamam atë opera. Do të theksoja se për artistin megjithatë skena ka gjithmonë emocione, të cilat fillojnë që në moshë fare të vogël. Pastaj, sa më i përgjegjshëm bëhesh, aq më të mëdha janë edhe emocionet, por edhe përballohen. Por nuk mund të them se jam mësuar me skenën. Veçse përgjegjësia rritet, njerëzit presin prej teje. Nuk është se mësohesh prej faktit se del shpesh apo rrallë në skenë. Për mua është njëlloj.
Bisedoi: B.Goce
Përkrah Moreas
Është tepër "e qetë" një ditë e zakonshme, por me tepër preokupim dhe dashuri. Një mëngjes që për Suelën fillon me vajzën e saj pesëvjeçare, Morean, dhe me kujdesin për ta çuar në kopsht. Më pas e ka radhën puna e përditshme në TKOB. Por veç kësaj, për atë vetë janë shumë të rralla ditët kur nuk mund të mos studiojë individualisht. "Përveç punës si të gjithë, nuk mund të rri pa marrë kontaktin e përditshëm me instrumentin". E përgjegjësitë janë edhe më të mëdha për një nënë, së cilës i duhet të rritë e vetme fëmijën e saj. Por me sa duket Piciri ia del mbanë duke gjetur tek e bija edhe një shoqe e "kolege" të devotshme. Gjë që i krijon "komoditetin" t'i përkushtohet me dëshirë më të madhe instrumentit. "Jam e divorcuar prej dy vjetësh dhe motivi më i madh për mua, për të bërë gjithë këtë, është vajza ime. Pas çdo shfaqjeje që bëj, ajo ka dëshirë të më japë lule e kërkon që gjithmonë ta marr me vete. Është shumë e lidhur me mua dhe merr pjesë në çdo aktivitet, i ndjek shfaqjet e mia qoftë në opera, qoftë jashtë saj", rrëfen artistja, duke shtuar se dëshiron që vajza e saj të bëhet një artiste me gjithë "sakrificën e jashtëzakonshme". "Është vërtet bukur dhe të zhvillon nga ana e perceptimit, nga ana e ndjesive, ndaj mendoj se do ta fus për të mësuar në ndonjë instrument", përfundon Piciri.
Marre nga : Gazeta Metropol











