Ndonëse drejt operas gjatë vitit drejtohet një publik i zgjedhur, janë po këta që do të përjetojnë një natë speciale. Organizimi është pak a shumë në linjat e mëparshme. Do të ketë një skenografi të veçantë të menduar për këtë mbrëmje dhe një program, në të cilin natyrshëm do të mbretërojë valsi. Vitet e shkuara u tentua që natyrshëm të përfshihej edhe publiku në performancë, mes të cilëve nuk munguan ata që hezitonin të përfshiheshin. Për të kremtuar këtë 5-vjetor, është menduar për disa elemente shtesë në organizim. Protagonistët e mbrëmjes do të jenë Trupa e Baletit e TOB, të cilët do të interpretojnë pjesë me koreografi të realizuara nga Enada Hoxha, Manjola Hasani, Evis Nallbani etj. Pjesa më e madhe e programit do të jetë me muzikë të Shtraus, e shkëputur nga opera e fundit që u vendos në skenë “Lakuriqi i natës”. Ndërsa nuk do të mungojnë solistët e njohur dhe të rinj të shoqëruar nga Orkestra e TOB-it nën dirigjimin e Zhani Cikos, Edmond Dokos dhe Alqi Lepurit. Ashtu si edhe vitet e shkuara, në paradën e kostumeve gjatë mbrëmjes së 30 dhjetorit nuk do të mungojnë as ushtarët e Gardës. Një pjesë e publikut do të jetë i ftuar të marrin pjesë në “Grand Ballo” nga teatri i Operas, por nuk do të përjashtohen as ata që kanë dëshirë t’i bashkohen kësaj mbrëmje. Për ta do të jenë në dispozicion biletat, të cilat për këtë rast do të kenë një çmim prej 1000 lekësh të reja. Ndërkohë që pothuajse të gjitha institucionet kulturore e kanë mbyllur kalendarin e vitit 2007. Edhe javët e para të 2008-ës pritet të jenë të qeta dhe të zbrazëta nga aktivitetet.
Ballot vjeneze
Shtrati vjenez i përket shumë viteve më parë. Në një situatë që s’ka të ngjarë me Vjenën e sotme. Filli i tyre nis nga pjesë të shkurtra të muzikës qytetare të titulluara “lingler”. Karakteri i tyre popullor, bënte që ato të ekzekutoheshin në restorante tipike vjeneze. Të vendosur në kodra të mrekullueshme, vetëm aty gërshetohej kuzhina, tradita popullore dhe prodhimet bujqësore. Të gjitha funksiononin sipas një “kanuni” gojor që duhej respektuar. Në tryezat e tyre duhej të servirej vetëm verë e prodhuar nga vreshti që i përkiste gjithsecilit. Një ambient i tillë ishte vatër e gëzimit ku nuk mund të mungonte muzika. Ishin pikërisht orkestrat e thjeshta vjeneze që luanin natyrshëm dhe pa partitura këto pjesë. Pjesë e këtyre familjeve ishte edhe ajo e Shtrausit, e cila këtë traditë e çoi më përpara. Këtu filloi edhe kultivimi i kësaj muzike. Rryma popullore u fut në rrugën e operetës dhe ata u bënë mbretërit e kësaj tradite të bukur. Kjo kushtëzoi që nga forma e një valle popullore siç ishte valsi, të merrte përmasat e një vepre krijimi simfonik orkestror. Kështu u krijuan suita të tëra valsesh, të cilat nga një krijim i thjeshtë popullor që interpretohen me dy tre instrumente u bënë vepra të orkestruara, tradita e të cilave vazhdon edhe sot. Këtu bën pjesë edhe marshi, valsi, fantazia orkestrore që familja e Shtrausit dhe të tjerë kompozitorë të asaj kohe i ngritën në kulminacionin e tyre. Duke u ngritur muzika në këto nivele, nuk mund të lejohej një koreografi e krijuar spontanisht. U bë e domosdoshme realizimi i një koreografie të kultivuar, e cila me kalimin e kohës u ngrit në nivele skenike.
Marre nga : Balkanweb.com











