Tre tenoret sukses absolut ne Pallatin e Kongreseve

Këngët e njohura shqiptare "Për ty Atdhe", "Shqiponjë e lirë" apo pjesët botërore, "Ridi Paliacio", "La mento di Federiko", "Senza te", "Carmen don Hoze", "Granada", "Cielito lindo", "Nessun Dorme", etj., morën duartrokitjet e spektatorëve, ndërkohë që spikati potpuria dibrane, e përpunuar nga Edmond Zhulali dhe e përcjellë me mjeshtëri nga tre tenorët shqiptarë dhe ai hollandez Harie Van Der Plas. Publiku i pranishëm mirëpriti edhe interpretimin e këngëtares së njohur lirike Ramona Kaçi. "Koncerti "Tre tenorët" është një koncert elitar dhe që ka sjellë një traditë të bukur çdo fundviti për shqiptarët", i tha ATSH-së regjisori i këtij koncerti, Julian Napoloni.

Napoloni, një nga regjisorët më të njohur televizivë të viteve të fundit, e cilësoi këtë koncert si një "portë të hapur për tenorët lirikë dhe që çdo vit sjell për shqiptarët një repertor të ri dhe po aq festiv në festat e fundvitit". Për regjisorin Napoloni, koncerti është elitar për vetë materialin klasik që ai përcjell. "Në dy vitet e fundit më ka bërë përshtypje thyerja e kësaj elite, ku nuk mund të ndash sallën nga skena. Të dyja skajet janë pjesë e atmosferës së kësaj feste", tha ai. Koncerti 'Tre tenorët' u prezantua në këtë edicion të gjashtë nga aktorja e njohur e skenës shqiptare Elvira Diamanti. Artistët u shoqëruan nga Orkestra Filarmonike e Akademisë së Arteve, nën dirigjimin e italianit Orazio Barronello, ndërsa në piano ishte i mirënjohuri Genc Tukiçi. Udhëheqës artistik i koncertit ishte artisti i madh Ibrahim Madhi, ndërsa producent Edmond Tullumani. Koncerti u regjistrua nga Televizioni Publik Shqiptar, për t'u transmetuar gjatë ditëve të Vitit të Ri.

Marre nga : Gazeta Rilindjademokratike

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama