Shkoder Mikel dhe Ernest Koliqi dy visare te kombit shqiptar

Shkodër: Mikel dhe Ernest Koliqi, dy visare të kombit shqiptar
"Këtu banuan Kardinali i Parë Shqiptar Mikel Koliqi dhe njeriu i shquar i letrave shqipe Ernest Koliqi", shkruhet në pllakën përkujtimore që u vendos sot në banesën e vëllezërve Koliqi, në lagjen "Gjuhadol" të qytetit të Shkodrës, në prani të dhjetra banorëve, intelektualëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor. Ndrekë Bazhdari, banor i kësaj lagjeje, njohës dhe mik i familjes Koliqi, njëkohësisht dhe drejtues i shoqatës së të persekutuarve, dega Shkodër, tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast se "vendosja e kësaj pllake është një nderim i madh që i bëhet këtyre dy figurave të shquara të kulturës shqiptare, Mikel dhe Ernest Koliqit, të cilët, me aktivitetin e tyre nderuan jo vetëm Shkodrën, por mbarë Shqipërinë". Drejtori i Bibliotekës "Marin Barleti", Gjovalin Çuni, përcolli për të pranishmit një historik të shkurtër të familjes Koliqi si dhe aktivitetin në fusha të ndryshme të dy vëllezërve, Mikel dhe Ernest. "Në këtë shtëpi, Mark Koliqi dhe Age Simoni do të kishin tetë fëmijë, të cilët në jetën e tyre që të gjithë lanë gjurmë të veçanta, por që natyrisht mes tyre spikatën Mikel dhe Ernest Koliqi", tha Çuni. Sipas tij, Mikel dhe Ernest Koliqi ishin dy vëllezër atdhetarë, dy artistë, dy shkrimtarë, dy visarë të kombit shqiptar, Dom Mikel Koliqi, kardinali i parë shqiptar dhe Ernest Koliqi, politikan, shkrimtar elegant e publicist, gjithnjë i vlerësuar, por edhe i kontestueshëm në çdo kohë, do të vijonte fjalën e tij Çuni. "Historia e familjes Koliqi, ashtu siç shkruante vetë Ernest Koliqi, ishte një histori me drita e me hije që vlen të njihet, me lidh stinën me stinën, brezin me brezin", cilësoi ai. Mikel dhe Ernest Koliqi studiuan dhe u laureuan në Itali, përkatësisht në vitet 1931 dhe 1937, në Milano dhe në Padova. Ernesti iu përkushtua fushës së letrave, ndërsa Mikeli iu dorëzua Zotit, duke u bërë bari i shpirtrave në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, por pa lënë mënjanë dhe talentin e tij në fushën e artit dhe kulturës.

Themelues i korit "Scuola Cantorum"

Themelues i korit "Scuola Cantorum", Mikel Koliqi kompozoi rreth 40 pjesë korale, muzikoi tre melodramat e Dom Ndre Mjedës "Rozafa", "Rrethimi i Shkodrës", dhe "Ruba e Kuqe". Dom Mikel Koliqi ishte dhe letrar mjaft i aftë. Me pasionin dhe këmbënguljen e tij, ai themeloi dhe drejtoi për disa vite me radhë revistën e vyer "Kumbona e së dielës". Po aq i njohur do të ishte dhe i vëllai i tij Ernesti, i cili, pas përfundimit të studimeve në Itali, erdhi në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në rimëkëmbjen e vendit. "Ernesti u mor me politikë, por shpirti i mbeti gjithmonë tek letërsia", tha Çuni në fjalën e tij, ndërsa u ndal në goditjen e madhe që do të pësonte jeta e tyre nga regjimi komunist. "Jeta e vëllezërve Koliqi filloi si poezi, por vijimi i saj ishte një tragjedi e denjë për t'u shkruar nga penat shekspiriane. Komunizmi i kushtoi 42 vjet burg dhe internim Dom Mikelit, ndërsa Ernesti do të përndiqej, brengosej, fyej", vijoi drejtori i Bibliotekës "Marin Barleti". Por, megjithatë, të dy vëllezërit patën ngushëllimet e tyre në këtë jetë 'plot me lot'.

Më 1993, Nënë Tereza u ul në gjunjë para Dom Mikelit

Dom Mikeli jetoi me fenë dhe muzikën që i tregonte rrugën e vështirë të jetës për të shkuar në lumturinë e vërtetë, ndërsa Ernesti, me penën për të hedhur muzën e tij të brendshme. Stuhitë, njëra pas tjetrës, kaluan, por rrënjët mbeten. Ernesti vdiq në 1975 në Romë, ndërsa Dom Mikeli u mbijetoi vuajtjeve çnjerëzore dhe arriti të shijonte dhe disa vite demokraci. Në vitin 1992, Dom Mikeli u dekorua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin "Pishtar i Demokracisë", ndërsa në vitin 1996 do të nderohej po nga Presidenti me Urdhrin "Nder i Kombit".

Në vitin 1993, Nënë Tereza u ul në gjunjë para Dom Mikelit duke i thënë: "Më jep bekimin tënd, sepse ti je martir", ndërsa Papa Gjon Pali i Dytë, në takimin që pati me të, e përgëzoi dhe vlerësoi për gjithë atë jetë plot vuajtje që kishte kaluar. Në vitin 1992, Dom Mikeli u emërua Ipeshkv, ndërsa në 26 nëntor të vitit 1994, ai mori titullin Kardinal, i pari në vendin tonë. Pas marrjes së këtij titulli, Mikel Koliqi u shpreh: "Papa më ka zgjedhur mua për Kardinal se isha më i moshuari…, titullin e kardinalit e ka marrë Shqipëria". Tre vite më vonë, në vitin 1997, Mikel Koliqi mbylli sytë, duke lënë pas një histori të pashlyeshme të jetës së tij të mundishme.

Marre nga : Gazeta Rilindjademokratike

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama