Akademiket e Ballkanit zbulojne vlerat e “Shekspirit te Lindjes”

Akademikët e Ballkanit zbulojnë vlerat e “Shekspirit të Lindjes”

Në konferencë marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësues nga UNESKO-ja dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Akademikët, studiues dhe personalitete si Jorgo Bulo, Alfred Uçi, Ali Aliu(Shkup), Feti Mediu(Kosovë), Xhevahir Spahiu, Dhori Qiriazi, Anton Papleka, Abdullah Rexhepi(Iran), Gazmend Shpuza, Shaban Sinani, Reza Karami(drejtor i fondacionit “Saadi Shirazi”) etj., me kumtesat e tyre ndriçojnë aspekte të ndryshme të veprës së Rumiut dhe reflekset e saj në kulturën ballkanike dhe botërore.

Rëndësia botërore e veprës së Rumiut lidhet me karakterin transnacional mbikufitar të përmbajtjes së saj. Në shumë vende e popuj Rumiu çmohet si një shenjtor dhe madje barazohet figurativisht me profetët, me patrikët e besimit në përgjithësi. Në kohët moderne, lavdia e artit të Rumiut ka pushtuar edhe Perëndimin, duke përfshirë botën atlantike.

Me veprën e tij letrare dhe filozofike, Rumiu reformoi mendimin shoqëror dhe filozofinë e besimit, duke u shndërruar në një predikues të ideve të Islamit të moderuar, që pati pasues të shumtë në gjithë botën, pasues, të cilët ndjekin edhe sot idetë e tij.

Rumiu ka patur një ndikim gjurmëlënës në zhvillimet shpirtërore shqiptare prej Rilindjes Kombëtare e këndej, duke ndikuar edhe te poeti ynë kombëtar Naim Frashëri.

“Masnavitë” e Rumiut janë përkthyer në shumicën e gjuhëve të botës. Botimi në anglisht, dy vjet më parë në SHBA, shënoi rekordin prej miliona kopjesh, duke u shpallur libri më i shitur i vitit 2004. Poezia e tij pëlqehet në të gjitha kulturat. Nuk është vetëm Madonna që ka marrë tekste për këngët e veta nga “masnavitë” e Rumiut. Ka pasur edhe nisma skenaristësh të shquar për të bërë jetën e tij objekt të filmave artistikë. Disa tekste të Rumiut janë bërë tekste këngësh, duke përfshirë edhe këngëtarë shumë të shquar perëndimorë. Shumica e teksteve të këngëve të njohura në Perëndim, si ”A Prayer“ (“Lutje”), janë marrë pikërisht nga vëllimi i botuar në SHBA me titullin “Word of Paradise” - “Fjalët e parajsës”. Poemat më të njohura për dashurinë, që krijoi Rumiu, janë pjesë e repertorit të aktorëve më të mëdhenj të Hollivudit. Aktoret Goldie Hawn dhe Demi Moore i kanë recituar ato për mjedise elitare. Disku i Shahram Shivas, me titullin “Rumiu: i dehur nga dashuria” (“Rumi: Lovendrunk”) është një ndër më popullorët në gjithë tregjet e muzikës bashkëkohore botërore.

Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” është iniciator i organizimit të konferencës shkencore ndërkombëtare kushtuar Vitit Ndërkombëtar të Rumiut, me mbështetjen e UNESCO-s, duke e bashkuar Shqipërinë me hartën e një shumice shtetesh euroaziatike dhe euroatlantike, që kanë programuar veprimtari kërkimore e përkujtimore në nderim të këtij jubileu.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të konferencës do të hapet një ekspozitë bukinistike me të gjitha veprat e Rumiut, i cili është përkthyer në mbi 25 gjuhë të botës, përfshi edhe dy botime të reja në shqip: një vëllim me poezi të zgjedhura nga Rumiu, përkthyer me mjeshtëri nga poeti Dhori Qiriazi, si edhe një vëllim tjetër përkthyer nga kleriku i Kosovës Qazim Bakalli.

 
Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama