Korcë – Tek e shihte të digjej mes flakëve ndjeu dhimbje. Të paktën ajo, jo. E shpëtoi nga flakët për ta ekspozuar dekada më pas. Në ambientet e saporikonstruktura të shkollës së parë shqipe, në Korçë, piktori Maks Velo hap një ekspozitë. Është një ngjarje e veçantë, ashtu si përurimi i ambienteve të "ABC-së". "Këtu, Vangjush Mio ka hapur ekspozitën e tij të parë, kjo ide më ka ngacmuar gjithmonë, për të arritur sot në hapjen e ekspozitës së piktorit Maks Velo",- tha drejtori i Muzeut Kombëtar Mesjetar, Lorenc Glozheni, në ceremoninë e përurimit të ambienteve të shkollës dhe ekspozitës së piktorit. Ekspozita quhet "Retrospektivë" dhe përmbledh disa nga punët më të mira të piktorit, të cilat u përkasin vitëve 1960-2005. Edhe pse jo rrallë herë është e vështirë të flasësh për krijimtarinë, pasi ajo shprehet më mirë se vetë fjalët, Maks Velo ka shkëputur diçka nga laboratori i vet krijues. Flet për tematikat e punimeve të tij, për dashurinë e pambaruar për Korçën, prej së cilës ai ka trashëguar vetëm të mira, si dhe për një pikturë që po ekzpozohej për herë të parë. "Pikturën e hodha ta digjja atëherë, kur ndiqesha nga regjimi komunist. Shumë të tjera i dogja, por për këtë më erdhi keq, kur e pashë të digjej mes flakëve. E hoqa megjithëse ishte djegur pjesërisht", - tregon Velo. Piktura pjesërisht e djegur kishte mbetur diku në shtëpinë e artistit, i cili u arrestua në vitin 1978. Tema e saj është marrë nga folklori. Në të paraqiten dy instrumentistë popullorë.
Një gërshetim i traditës me modernen. "Kjo pikturë ka vuajtur së bashku me mua. Ndihem i gëzuar që mu dha rasti ta ekspozoj, duke falenderuar retauratorët e Muzeut Kombëtar Mesjetar, të cilët kanë punuar me përkushtim për ta restauruar në vendet që ishte dëmtuar", - thotë artisti Velo. Vizitorë të shumtë kanë qëndruar para punimeve të shumta të Velos, të ekspozuar në të dy sallat e muzeut, ku spikatnin tematika të ndryshme, si "Jenicerët përmbysin kazanin me hallvë", "Çeta e Shahin Matrakut", "Cirk" etj. " Ndihem krenar, që jam nxënësi i të madhit Mio."- u shpreh artisti.
Përurimi
Rikthehet mësimi në shkollën e parë
Një performancë e re e Shkollës së Parë Shqipe është shpalosur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e serenatave. Mësënjtorja e parë shqipe ku startoi shqipja jonë, e cila mban datën simbol të 7 marsit 1887, tashmë ka kaluar të qënin muze. Kjo shkollë po i rikthehet traditës emocionuese të të dhënit mësim. Atje ku dikur uleshin nxënësit e parë të mësuar shkrim dhe këndim do të vazhdojnë të ulen edhe nxënësit e sotëm, për të zhvilluar orë të veçanta mësimi nga mësuesit e tyre. Do të jenë kryesisht ato orë që kanë të bëjnë me tematika të historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar. Për këtë qëllim është rikonstruktuar një klasë, duke imituar atë të viteve, kur u hap kjo shkollë. Për realizimin e këtij projekti Minisria e Arsimit dhe Shkencës ka akorduar një fond prej 2,1 milionë lekësh të reja. Tashmë ky muze nuk do të ketë vetëm vlera muzeale por edhe funksionale. Vizion i ri i këtij muzeu është kryer nën kujdesin e Meuzeut Kombëtar të ArtitMesjetar në Korçë. Përurimi i rikonstruksionit të muzeut simbol për qytetin e kulturës, u bë në prani të shumë të ftuarve, ku nuk mungonin drejtues të pushtetit vendor, intelektualë, mësues dhe artistë.
Xhon Baka : Gazeta Shekulli











