Mjeshtri Francis Bacon dhe te tjere

Mjeshtri, Francis Bacon dhe të tjerë

"Ëndërr e dyfishtë, mes artistit dhe mjeshtrit", ekspozita me vepra grafike 1962-2007,

e kuruar nga Achille Bonito Oliva dhe që i kushtohet shtypshkronjës romane 2RC, hapet më 14 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Deri në 14 janar 2008 "Doppio sogno dell'arte- 2RC - tra artista e artefice" qëvjen në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës si iniciativë e Ministrisë së Jashtme Italiane, prezanton disa dhjetëra vepra të artistëve që kanë punuar për 2RC, dhe paraqesin një koleksion të gjërë të historisë së artit të krijuar nga vitet 60 deri në ditët e sotme.

Nëpërmjet kësaj historie dalin në pah dhe marrëdhëniet që kjo shtypshkronjë ka pasur me shumë protagonistë të artit të gjysmës së dytë të shek. XX.

Një udhëtim interesant në historinë e 2RC Stamperia d'Arte, e krijuar në Romë në 1959 nga Valter dhe Eleonora Rossi, dy të rinj studentë të Akademisë së Arteve të Bukura të Brerës në Milano, së bashku me kushëririn e tyre Franco Cioppi.

Që nga viti 1962 deri në 2006 do të shtypnin me 2RC artistët Lucio Fontana, Alberto Burri, Gio Pomodoro, Giulio Turcato, apo emra të njohur të artit figurativ botëror si Joan Mirò, Alexander Calder, Man Ray, Henry Moore, Giacomo Manzu, Arnaldo Pomodoro, Francis Bacon, Julian Schnabel, Enzo Cucchi, Jannis Kounellis dhe shumë të tjerë.

Achille Bonito Oliva, kuratori i ekspozitës që është prezantuar në Itali në disa qytete gjatë vitit 2007, shkruan: "Koleksioni është kryqëzim i historisë së artit bashkëkohor nga vitet '60 deri në ditët tona, përtej çdo kufiri breznor dhe poetik. Paraqet një panoramë, shfaqjesh dhe cilësie, shumë serioze të krijimit artistik të gjysmës së dytë të shek. XX deri në ditët sot."

Traditë krijuese tërësisht italiane. Aftësia e artizanit për t'u bërë mjeshtër, prodhues i një vlere që i shtohet projektit fillestar të artistit. Vepra e tërë bëhet fryt i një pune më katër duar, një vepër ndërmjet artistit, artistit dhe mjeshtri, konceptit dhe zbatimit. Me këto katër fjali mund të përmblidhet marrëdhënia që shtypshkronja romane krijonte me artin figurativ.

Valter dhe Eleonora Rossi bashkë me Franco Cioppin do ta hapnin 2RC me bindjen e qartë që grafika të ishte tamam një gjini e vërtetë arti, njëlloj si piktura dhe skulptura dhe jo një përjashtim i këtyre të dyjave: qëllimi ishte që të krijohej një laborator që të zhvillonte teknika të ndryshme të grafikës për t'u dhënë mundësi artistëve për të punuar dhe për të eksperimentuar lirshëm si me çdo lloj mjeti tjetër.

Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, mjeshtërit e rinj nisën të shtypnin një seri me gjashtë incizime të Lucio Fontanas, që u dha atyre çmimin e parë për grafikë në Tokio.

Ky ishte fillimi i aktivitetit të 2RC Edizioni d'Arte e cila në vazhdim filloi të kërkonte bashkëpunim me artistë që ishin më ambiciozë në kërkimet e tyre. Ndërmjet viteve 1962-1969 do të shtypnin me 2RC Alberto Burri, Gio Pomodoro, Giuseppe Capogrossi, Giulio Turcato, Piero Dorazio, Pietro Consagra, Achille Perilli, Beverly Pepper, Adolph Gottlieb etj.

Në vitin 1969 Unesco porositi një seri grafikash që do të afronte një sërë artistësh me famë ndërkombëtare mes të cilëve Joan Miro, Alexander Calder, Louise Nevelson, Sebastian Matta, Man Ray, Max Bill etj. Mundësia për të krijuar incizime me format jo të zakontë do të tërhiqnin tek 2RC vëmendjen jo vetëm të kolesionistëve privatë dhe muzealë, por edhe artistë si Sam Francis, Henry Moore, Pierre Soulages, Giacomo Manzu, Arnaldo Pomodoro, George Segal, Graham Sutherland, Alechinsky dhe shumë të tjerë.

Në fund të viteve '80 mjeshtërit e 2RC arrijnë të realizojnë një nga ëndrrat më të mëdha të karrierës së tyre, kur drejtori i Marlborough Gallery të Nju Jorku, u propozoi të realizonin një incizim me Francis Bacon. Ishte pikërisht Eleonora Rossi që e bindi artistin anglez për të eksperimentuar me teknikën grafike. Duke mbivendosur lastrat, Eleonora Rossi ia doli t'i japë jetë një ngjyre për të cilën artisti anglez mendonte se grafikisht nuk do të ishte e realizueshme: një portokalli e thellë, që e nxiti të krijonte një seri incizimesh që u ndërpre papritur nga vdekja e piktorit.

Bacon ishte një lloj kulmi i arritjeve të deriatëhershëm që e shtriu bashkëpunimet e shtypshkronjës përtej oqeanit.

Kjo histori e artit italian dhe botëror i serviret publikut shqiptar nga një prej kuratorëve më të rëndësishëm të artit pamor, Prof. Achille Bonito Oliva i cili e ka ideuar ekspozitën për Fondacionin Arnaldo Pomodoro të Milanos.
 
E.D.  :  Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama