Një shekull më pas vijojnë letrat e Presidentit të Republikës Franceze, Albert Lebrun, drejtuar madhërisë së tij, Mbretit Zog I. Një ndër to daton 17 gusht 1934, mbi emërimin e Marcel Roy në funksionin e të dërguarit të jashtëzakonshëm e Ministër Fuqiplotë i Republikës Franceze pranë madhërisë së tij. Ajo që të tërheq vëmendjen nuk është çështja për të cilën flitet, por mënyra se si ky burrë shteti i drejtohet mbretit të shqiptarëve. Letra (me shkrim dore) fillon me "Cher et grand Ami" (Mik i shtrenjtë) dhe mbyllet me "vlerësimet më të larta e të sinqerta". Një komunikim tepër i ngrohtë mes shtetarësh.
Të kësaj linje janë letrat e personaliteteve franceze dërguar Ismail Qemalit në mbështetje të çështjes shqiptare në vitin 1913. Letra të princit Wilhelm Wied dërguar mbështetësit shqiptar, raportime të diplomatëve francezë mbi ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri, si raporti i toger-kolonelit Cretin, Komandant i Kufinjve shqiptarë dërguar gjeneralit të trupave franceze të Selanikut. Cretin ofron disa informacione për Kongresin e Lushnjes, jep të dhëna personale për delegatët që morën pjesë dhe mbi qëllimin e Kongresit në vitin 1920. Por duket se Francës nuk i kanë besuar vetëm shtetarët.
Kemi letra të dërguara nga Shkodra, apo komuniteti shqiptar në Rumani, dërguar Konferencës së Paqes në Paris, apo Parlamentit francez, për të mbrojtur kufinjtë, apo edhe për raste më individuale, siç është mbrojtja e Avni Rustemit. Duket se shqiptarët kanë besuar që herët në drejtësinë franceze.
Por krahas diplomacisë, Shqipërinë dhe Francën i kanë lidhur edhe marrëdhëniet ekonomike. Këtë e dëshmon korrespondenca e Drejtorisë së Përgjithshme të Posttelegrafës së Shqipërisë me Drejtorinë e Përgjithshme të PTT-së Paris, për vendosjen e komunikacionit Shqipëri-Francë. Një korrespondencë e zhvilluar në gusht të vitit 1927. Në një rrafsh të gjerë janë edhe marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve, apo komunikimet individuale mes personaliteteve të njohura. Disa dëshmi në këtë fushë janë ftesa drejtuar Jeronim De Radës për të marrë pjesë në Kongresin XII të Orientalistikës për problemet e gjuhës, në vitin 1902; një rekomandim për mbështetje financiare për At Gjergj Fishtën, ftesa që një teatër parizien i bën sopranos Tefta Tashko Koços për të interpretuar një rol në skenën e njohur botërore, etj. Ndër dëshmitë më të fundit hyjnë dorëshkrime të veprave të shkrimtarit të Ismail Kadare, vepra më e parë e të cilit dhe më kryesorja më pas do të përkthehej në gjuhën franceze gjatë dekadave të diktaturës (frëngjishtja ishte gjuha e parë e huaj ku u përkthye Kadare dhe romani i parë ishte "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"), si dhe raporte që shkrimtari është detyruar të bëjë mbi udhëtimet e tij në Francë. Nuk mungojnë edhe letrat me karakter më personal, siç janë ato për një shërbim të kryer, apo një libër të dërguar, si në rastin e Lumo Skëndos i cili merr falënderime nga Mario Roques, për një libër të Kristoforidhit (1926)… Histori e gjatë shekullore, shumëdimensionale që mbërrin në ditën tona, sot më e mundshme, më e prekshme, më e hapur dhe me mjete komunikimi më të shpejta.
I hershmi
Një ndër dokumentet më të hershme, që dëshmon për marrëdhëniet shqiptaro-franceze, daton në shek. XV. Bëhet fjalë për një ekstrakt nga kronikat e Benoit Mailard, i cili ka lidhje me stratiotët shqiptarë (nga familja shqiptare e Stratiotëve) gjatë luftërave të Italisë.
Letrat e Perandorit
Nga Arkivi i Shtetit dalin edhe dy letra që Napoleon Bonaparti i dërgon Ali Pashë Tepelenës. Janë të shkurtra, përgjigje të letrave që Ali Pasha i kishte dërguar perandorit përmes sekretarit të tij, Mehmet Efendiut, që vetë Bonaparti e konsideron të devotshmë e të kujdesshëm. Në letrat e korrikut 1807, ai shpreh hapur miqësinë me Ali Pashën dhe i tregon për ecurinë e fushatave të tij.
Drejtësia franceze
Kur çështja e kufijve ishte e nxehtë dhe pushtimi shumë afër, shkodranët dërgojnë një letër në Paris. Një letër proteste (1919) për Presidencën e Konferencës së. aty shprehin dëshirën për tu integruar brenda territorit të Shqipërisë së pavarur. Një vit më vonë, kolonia shqiptare në Rumani i drejton organeve të shtypit botëror, parlamentit francez, Ministrisë Franceze të Drejtësisë, telegrame dhe letra proteste për mbrojtjen e Avni Rustemit.
Dorëshkrimet e Kadaresë
Një stendë e veçantë i kushtohet Ismail Kadaresë. Ekspozohen faksimile e dorëshkrimit të romanit "Qyteti pa reklama", i shkruar në Moskë 1959, fletë nga dorëshkrimi i romanit "Vajza e Agamemnonit", depozituar fillimisht nga autori në "Banque de Cite", Paris, në vitin 1986, si dhe raportime për botimin e romanit "Dimri i madh" dhe për xhirimin e filmit "Gjenerali i Ushtrisë së vdekur" në korrik të vitit 1978. Pasi shpjegon arsyen e vizitës në Francë, në raport Kadare shkruan: "Shtëpia botuese "Fayard" e kishte bërë gati kopertinën e librit bashkë me tekstin e kopertinën e prapsme. Gjysma e tekstit ishte e mirë dhe e prezantonte drejt romanin, por ashtu siç parashikohej, gjysma tjetër nuk ishte e mirë. Ajo kishte fraza sensacionale, sipas stilit komercial dhe ndonjëherë jepte gjëra pa asnjë bazë për realitetin tonë".
Alma Mile : Gazeta Shekulli











