Primitivet e Maks Velos

Primitivët e Maks Velos
Ditë e mirë për ta takuar Maksin është mesjava. Atëherë është kthyer nga ndonjë udhëtim i papritur dyditor në Korçë, në Sarajevë, në Budva apo diku tjetër jashtë kufirit që e kapërcen i vetëm falë makinës që më në fund e ka. Përshtypjet janë pastaj për dëgjuesin udhëtim më vete: në çfarë rruge, bregu, tuneli ka kaluar, çfarë tokash dhe punë të bujqëve modernë është ngopur duke parë, çfarë kafeje ka pirë tek malazezët e Nikshiqit, çfarë ushqimi "të pastër" ka ngrënë tek bosnjakët e Sarajevës e kështu më radhë. Këto rrëfime kundërshtojnë historitë me shqiptarë që Maksi i hedh në tavolinën e kafesë me gazeta para. Shumica e tyre kanë të bëjnë me teatrin tonë në rrugë e sheshe realë dhe virtualë: teatri i zakoneve të njeriut të tranzicionit dhe teatri i maskave të përditshme publike, politike, kulturore. Dhe që po t'i shtosh tablotë e teatrit të diktaturës (regjim ku s'e kategorizon dot as sot 17 vjet më pas, thotë ai), do ta bënin edhe Joneskon e teatrit absurd "të ndihej idiot".

Kështu pra, në mesjavë, para se të niset fjala vjen në Shkodër ku priftërinjtë katolikë e kanë ftuar për një diskutim për religjionin, të hapur për komunitetin, ai na tregon ciklin pesëdhjetëvjeçar të vizatimeve, "vizatime shqiptare" i quan. Merret me mend se është një cikël që lidhet me shqiptarin, me figurën e tij jo thjesht sociale, antropologjike, psikologjike, arketipale, dhe njëherësh me të gjitha këto faqe që i bëjnë 60 "shenjat" një serial unikal, të thjesht për syrin, kompleks për interpretimin.

I ka ekspozuar tek veranda me tri faqe vitrazh, në katin e tretë të shtëpisë në Rrugën "Hoxha Tahsin", shtëpi ku jeton qysh nga vitet '60 kur nisi të vizatojë në këtë formë. Përshëndet nëpër shkallë motrën Diana, dhe me hapin dinamik të atleteve na sos në verandën që e rreh dielli i zbehtë dhe lagështia e nëntorit ku rrinë bashkë 60 vizatime dhe 60 pëllumba që i ka rritur ai. Ka veshur një bluzë sportive dhe marka e saj në anën e majtë shënon: "Human nature".

Para se të na tregojë një më një për "tributë" e tij, ndalemi pak tek vizatimet që ka realizuar gjatë qëndrimit të fundit në Paris. Vizatime thjeshtësisht elegante të Notrë Damës dhe Kullës Ejfel e fshehur nën mjegull, të urave, kafeneve dhe të portreteve në kafene. Figura sinqerisht infantile që ai i ka parë në muzeun e artit Quai Branly po në Paris që u kushtohet veprave të qytetërimeve të Afrikës, Azisë, Oqeanisë dhe Amerikave. Në muret e dhomës-studio ka varur maska dhe objekte me po këtë frymë primitive. Një prej tyre Maksi e ka punuar vetë. Në këtë linjë rri dhe një pjesë e koleksionit të jashtëzakontë të punimve në dru bushi krijuar nga mjeshtri popullor xha Laze. Piktori e bindi dikur që në vend të lugëve dhe furkave prej druri të krijonte njerëz në dru, "të turpëronte" thikën e Xha Lazes që deri atëherë nuk pranonte të gdhendte figurë. Kjo pjesë e koleksionit i shpëtoi humbjeve që piktori pati nga konfiskimi dhe shkatërrimi i veprave pas arrestimit dhe burgimit në vjeshtë të vitit 1978. Ky koleksion i vogël nuk ka më pak nga magjia që ofrojnë sot koleksionet e artistëve surealistë të viteve 30, si Andre Breton.

Vlerë koleksioni ka cikli i vizatimeve shqiptare që na shtyu për këtë bisedë me Maks Velon, ngaqë janë krijuar në gjysmë shekulli dhe sepse aty në formë moderne është gdhendur shqiptari i tribuve. I ka hapur në xhamin e verandës si një erashkë me skena nga jeta primitive për të krijuar linjën e albumit të ardhshëm. Figurat janë mbushur me laps të zi litografik mbi letër të lagur. Maks Velo është natyra e piktorit që nuk mori kurrë një formim akademik për teknikën e të vizatuarit. Arti, thotë ai, s'është çështje teknike. Vizatuesi i mirë është fotograf shumë i mirë, por tek abstragimi të çon vetëm kultura. Nga linjat e qarta ai shkon deri në shpërbërjen totale të figurës së lebërve, kuksianëve, druvarëve, të orkestrave të jugut, të valleve, të valles së shpatave, të çetës së Shahin Matrakut. Torsi i këtyre njerëzve të dashur u ngjan ashikëve, format e të cilëve i kanë lënë gjurmë të thellë që në fëmininë e hershme. E ka shpjeguar totemin e ashikut që në faqet e para të autobiografisë "Kohë antishenjë" ku për paradoks të lavdisë së artit të pikturës, ka rrëfyer dhe injorancën e hetuesit shqiptar që e akuzonte për adhurimin e piktorëve si "Van Gongu".

Ne kemi përballë figura "të deformuara" shqiptarësh të cilëve u shkon fjalia: janë ashtu siç kanë jetuar. Maks Velo ka shndërruar në formë përmbjatje të jetës kolektive gene të së cilës trashëgojmë sot. Prandaj quhen "vizatime shqiptare", 1957-2007, që dashur pa dashur kanë një autorioni të fshehur nën to.

Kur në vitin 2005 ai ekspozonte një pjesë të ciklit, një njeri me shije të hollë për artin, një piktor politikan, shkruante në librin e përshtypjeve: Paçim e dhënçim të gjithë si Maksi!

Është e vështirë t'ju pyesësh për një punë që e keni filluar 50 vjet të shkuara. Çfarë kemi këtu të ekspozuar?

Kemi një mendim të vjetër që më godiste nga brenda dhe që sa më tepër kalonin vite, unë ende vazhdoja të merresha me këtë temë që mund ta konsideroj nga temat e mia kryesore. Më ka udhëhequr, më ka ngacmuar gjithmonë, madje më ka ndihmuar edhe në artin abstrakt. Domethënë është tema e tribuve shqiptare. Tani mendoj se janë bërë aq sa mu duk me vend që të bëj një album.

Sikurse e shihni, unë nuk kam bërë vizatime etnografike, vizatime ekzakte, analitike, por vizatime sugjestive të cilat janë një tentativë për të zbërthyer qenien e këtyre njerëzve, dëshirat, jetën e tyre.

Këtu gjen jugun, lebërit, kuksianët, i kemi ata duke ngrënë, duke vallëzuar, duke kënduar, duke qëndruar dhe thoni se përfaqësojnë tribu. Si ta kuptojmë këtë "tribu".

Duhet të jemi realistë në analizën sociale të shoqërisë sonë, shoqëri e cila ka qenë dominuar nga tribu. Dhe për mendimin tim vazhdon edhe sot të udhëhiqet nga tribu qoftë edhe këto që janë shndërruar në tribu qytetare.

Ku e shikoni të shfaqur tribunë qytetare?

E shoh në organizimin dhe marrëdhënien e shoqërisë sonë e cila gjithmonë funksionet dhe besimin në vend që t'i transmetojë tek të tjerët, tek shoqëria vetë, i kalon në genin familjar. Funksionet shoqërore kjo shoqëri ia kalon njeriut të familjes, si njeri i tribusë, si njeri i fisit, i klanit që është gjithnjë më i sigurtë. Vetëm tek ai ka besim dhe atij i jepen qoftë edhe funksionet shtetërore. Pra megjithëse jeta e shqiptarëve është zhvendosur në qytete, ajo është organizuar si një tribu.

Jemi tek kuptimi negativ që mbart fjala tribu?

Jo, jo, mua fjala tribu më pëlqen shumë dhe nuk arrij ta kuptoj pse ju keni këtë mendim, që ka një nënkuptim pezhorativ. Tribu është një grumbull njerëzish të cilët kanë organizimin e tyre dhe që kanë disa rregulla të caktuara. Dhe kjo është vlerë. Sigurisht për ne është shumë e rëndë që të vish në epokën moderne me jetën e dymijë vjetëve para Krishtit, por ja që kjo është e vërteta. Të paktën unë kështu e kam parë. Po ju kujtoj se nga trashëgimia shpirtërore e shqiptarëve e vetmja që njihet nga UNESCO si pasuri botërore jo materiale është iso-polifonia që vjen nga shumë-shumë thellë. Fakti që kjo tribu labe e ka ruajtur këtë gjë është e mirë, por njëkohësisht ka qenë e keqe për tribunë vetë. Unë i kam dashur këta njerëz, i dua këta njerëz. Jam marrë për një kohë të gjatë me ta dhe kjo besoj tregon për një preokupim timin të thellë. E kam dashur tribunë kudo që ka qenë.

Sigurisht, në këtë rast unë kam analizuar dy tribu që më kanë bërë shumë përshtypje: lebërit edhe kuksianët. Në fakt me lebërit jam marrë më shumë. Janë me dhjetëra vizatimet dhe pikturat dhe numrin më të madh të veprave që kam shitur, e zënë pikërisht këto.

Nga viti 57 në 2007, është gjysmë shekulli krijimtari, dhe paralel me të keni trajtuar këtë temë në formën që do ishte e papranueshme për kanonet e realizmit socialist.

Kjo është një nga gjërat e mira. Po të mos kisha nevojë shpirtërore, po të mos e kisha tribunë si një burim krijimtarie, atëherë do ta kisha lënë rrugës. Po ja që e ndoqa për 50 vjet dhe mu bë një nga nxitësit e mi indirektë. Shkonte nga shkonte koha dhe unë padashur isha në një hotel në Paris duke vizatuar këto tribu, u kthehesha lebërve dhe prapë kthehesha të bëja një gjë abstrakte. Primitiviteti i tribuve ka qenë ai zjarri, ai prushi që e ka ngrohur veprën time. Nëse kjo vepër ka një shenjë të caktuar, vetjake, merita është pikërisht e tyre.

Sa për kohën e kanoneve që i referoheni, kisha kuptuar që nuk duhet të bazohesha në artin e realizmit socialist, në atë art zyrtar, por duhet të kërkoja në një vend tjetër dhe, në mënyrë natyrale unë kërkova tek arti popullor. Sikurse e shihni kam me qindra objekte të mbledhura dhe kjo më mbushte me kënaqësi, më gëzim. Ishte një art abstrakt, ishte një art primitiv, ishte një art primar nga i cili ti mund të merrje gjithë elementet dhe kjo bëri që qysh në vitin '64, të krijoj pikturë abstrakte dhe të vazhdoj me këtë art që kam deri sot. Kështu që unë kam dhënë për këto tribu dhe njëkohësisht kam marrë shumë prej tyre. Ai shpërblim, ai kompesim, ai thesar që dua t'u lë atyre, janë pikërisht këto vizatime, një libër me këto vizatime...

Që ju i quani thjesht "shqiptare".

Dua ta titulloj "Vizatime shqiptare", por besoj se do të jetë edhe si enciklopedi për tributë e Ballkanit, për jetën dhe artin e tyre, për mënyrën e organizimit, mënyrën e sjelljes dhe gjithë vlerat i kanë ofruar Evropës së sotme. Në qoftë se ne pretendojmë të hyjmë në Evropë me vlerat tona, me artin tonë, duhet të kemi një pozicion të drejtë ndaj kësaj trashëgimie. Më duket se një nga pikat kyçe, më të para, më me vlerë dhe më artistike është dhe vënia e tyre në një kontekst modern. Po flasim vërtet për tributëe vizatimeve të mia që për mua janë njëkohësisht tepër moderne, nuk janë vetëm tribu me një jetë primitive.

Afërinë e hershme tuajën me artin primitiv ju e keni shpjeguar në disa tekste autobiografike. Kjo tendencë është shumë e fortë tek ky cikël.

Gjithmonë e më tepër po del në dukje nga studiues e kritikë të ndryshëm që moderniteti ka ekzistuar gjithmonë. Pra nuk është e vërtetë që ne jetojmë vetëm në një epokë moderne dhe që kemi aftësira thjeshtëzimi dhe sintetizimi shenjash. Pra, kjo nuk është e vërtetë. Njeriu që kur ka filluar të merret me art ka pasur njëkohësisht tentacione drejt një shprehjeje moderne. Një nga pasuritë më të mëdha e gjejmë sot në zemër të Francës, në Paris në muzetë e artit ku Pikaso, Matisi, Braku po ashtu, shkonin vazhdimisht. Një i tillë është sot muzeu i ri i artit Quai Branly. Po dallohet që ka objekte që këta piktorë i "kanë marrë", gati i "kanë kopjuar" nga ky lloj arti. Sepse kjo pasuri e jashtëzakonshme e popujve, qoftë e më primitivëve të Afrikës, Azisë, Indisë, Indonezisë, pasuria e artit islam gjithashtu, artit japonez, kinez, australian, ka shprehje tejet moderne që na lënë të habitur neve njerëzve modernë sepse aty gjen po këto kërkime që bëjmë ne sot. I kam vizituar gjithmonë këto lloj muzesh. Gjatë kësaj kohë që u realizua muzeu i Quai Branly, kjo vepër madhore e cila ishte testamenti artitistik i Shirakut, ishte kërkesë e tij, një nga gjërat që u thosha miqve francezë ishte që vërtet ata kanë bërë dashurira me çupka, po njëkohësisht kanë bërë një gjë të mirë, kanë lënë nga një vepër të tillë.

Quai Branly mu duk si një shtazë, i ngritur pikërisht nga një gërshetim i artit të arkitekturës moderne me arkitekturën primitive. Aty bëj shpesh vizatime të objekteve. I bëj sepse më fiksohen më mirë dhe njëkohësisht kam një kujtim direkt nga dora ime.

Na jepni një përkufizim për "primitivët" tuaj në figura, për gruan, për burrin dhe për ato objekte që i rrethojnë.

Sikurse e shihni, gruan e kam vendosur në pozita shumë demokratike. Më duket se edhe pozita e saj ka qenë e tillë. Është e çuditshme se në këto tribu primitive siç i quajta në fillim, ajo nuk ka qenë e mbuluar, pra që i shpëtuan një influence të fuqishme orientale që erdhi bashkë me islamin.

Burri sigurisht është kapadai, është një burrë që kryen edhe akte që ne nuk i pranojmë. Për shembull, tek një nga vizatimet keni lebërit që kthehen nga grabitja. Burri ynë i këtyre fiseve ka jetuar me parimet e një force, e dhunës, e gjësë me pak punë. Ata që pijnë duhan, kërcejnë, grabisin etj. Kurse gruaja është e zënë me punë, rrit fëmijë, bagëti.

Ndërda objektet e tyre janë shumë interesante, janë të stilizuara, janë me një vlerë të madhe që ne akoma nuk dimë t'i fusim në përdorimin industrial, në dekorin tonë.

Sikurse e shihni unë punën time e kam bërë, përfundimisht. Kam harxhuar kohë, energji, edhe materie. Është një nga testamentet e mia artistike. Të tjerat, botimi dhe ekspozimi nuk varen nga unë.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama