Operacioni për rikonstruksionin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës kalon sot një moment të rëndësishëm, diskutimin. Arkitektët në orën 10 janë përballë tenderuesve për të sqaruar se si do të jetë fytyra e re e objektit që në vitin 1986projektohej nga Klement Kolaneci me destinacion muzeun për Enver Hoxhën dhe parashikohej si një qendër me më shumë funksione se kaq, por që në fakt nuk do t'i kishte asnjëherë. Piramida e cila pas vitit '91 mori emrin Qendër Ndërkombëtare e Kulturës, ka shërbyer më shumë si qendër ambulantësh, si magazinë e të tjera.
Shteti shqiptar, për shndërrimin e saj në qendër (vërtet) kulturore, hap fondin 300.000 € (euro) dhe autoriteti që e mban këtë peshë është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Studiot projektuese që konkurrojnë për projektin dhe që do të paraqiten sot janë: PRAS tecnica edilizia S.R.L (GroupLeader) & COMI studio (Groupmember) italo-shqiptare; PROTEC Srl nga Italia; Luis Berger & "ECE" Shpk, studio franko-amerikano-shqiptare; dhe Presint Enginnering SRL nga Italia. Pra arkitektët shqiptarë janë partnerë në këtë sipërmarrje. Tenderi i rikonstruksionit është shpallur më 5 nëntor dhe do të zhvillohet më 2 dhjetor.
Objekti mendohet të realizohet brenda 14 muajve. Sot mund të mësojmë më shumë se çfarë peshe kanë për të zënë idetë e Klement Kolanecit i cili tre vjet më parë u ftua nga ishministri i Kulturës, Blendi Klosi, për t'i ndryshuar faqen Piramidës së nxirë. Ai bashkë me arkitektin e ri Gjergji Mëhilli dhe studion e tij të projektimit "Enigma" fliste për një teatër me 500 vende, me skena dhe aksesorët e tjerë të nevojshëm për një teatër modern. Deri atëherë flitej për një projekt që mund të kushtonte 2.4 milionë euro, një pjesë do të shkonte për teatrin dhe një pjesë për pjesën e jashtme të Piramidës, e dëmtuar shumë këto vite. Sipas premtimeve, ky projekt duhej të kish mbaruar tashmë. Por merret me mend fati i projekteve që hapen para fushatave zgjedhore.
Vitin e kaluar, ishte kryeministri Sali Berisha që urdhëroi ish ministrin e Kulturës, Bujar Leskaj, të nxirrte nga sirtari projektin për Piramidën. Atëherë u tha se arkitekt Kolaneci do të ftohej për objektin që ai e njeh shumë mirë. Dhe një grup pune brenda ministrisë u ngrit për të riparë planin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Për sa kohë Berisha përmendte se aty do të jetë Teatri dhe Galeria e ardhshme Kombëtare, aq herë këto dy institucione janë stepur për të bërë investime në godinat përkatëse, gjithnjë me idenë se një ditë do të zhvendoseshin. Pra sot do të ketë një ide më të qartë se ç'lidhje do të ketë fytyra e re e Piramidës me dy institucionet kombëtare.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka bërë të ditur se projektit të parë për teatrin që zinte vetëm hollin e Piramidës, do t'i shtohen edhe gjashtë ambiente të tjera: kinema, auditorium muzike, sallë biblioteke-leximi nën tokë, kinema me 200 vende, galeri arti dhe qendër rinie multifunksionale. Aty mendohet të vendoset dhe pjesa e administratës së MTKRS që merret me kulturën.
Sa për kontributin e grantit grek prej 2.5 milionë euro që ka vite që përmendet, grant i premtuar nga qeveria greke në kohën e qeverisë me kryeministër Ilir Metën, ai quhet i djegur tashmë. Në raportin për buxhetin 2008, ministri i TKRS, Ylli Pango, tha se ky grant i ngrirë prej vitesh nukka për t'u lëvruar ndonjëherë.
Kështu që rikonstruksioni i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës po bëhet me kontributin e qeverisë aktuale.
Sa për ambientet me qira të QNK që shfrytëzohen nga individë apo shoqëri me kontrata të rregullta, është një çështje më vete. Këto subjekte do të duhet të largohen, sepse projekti i Piramidës kërkon shumë hapësira. Ndërsa viti 2006 ka shënuar fundin e afateve të kontratave me qira që disa subjekte kanë me institucionet shtetërore, ka të tjera që së fundi kanë investuar sikur mos t'iu duhet të lëvizin kurrë nga Piramida.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











