Në Institutin e Historisë ekziston prej vitesh një dorëshkrim me një përkthim të bërë nga një figurë fatkeqësisht e mbetur e panjohur për publikun, siç është Veniamin Dashi, koleg me Eqrem Çabejn dhe Aleks Budën, por që pas Luftës së Dytë Botërore mbeti në hije për "arsye biografike". Për këtë arsye ky variant përkthimi është tejet i cunguar. Prej tij, ishin shkurtuar në mënyrë selektive nga Instituti i Historisë së asaj kohe, pothuajse gjysma e librit (350 nga 800 faqet e librit). Në botimin e përgatitur nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, që ka marrë për bazë përkthimin e V.Dashit, këto faqe janë përkthyer nga Afrim Koçi. E gjithë kjo do të thotë se deri më sot, duke përjashtuar ata pak që kanë mundësi t'i referohen veprës origjinale në gjermanisht, pjesa më e madhe e studiuesve i janë referuar një vepre deri diku të falsifikuar.
Nga ana tjeter, s'kemi të bëjmë thjesht me një vepër me rëndësi historike. "Studime Shqiptare" është e shkruar bukur dhe ka vlera të mëdha sepse ndihmon që nëpërmjet së shkuarës, të kuptojmë më mirë shumë nga problematika e sotme shqiptare.
Vepra është e ndarë në gjashtë pjesë kryesore: Pjesa e parë dhe hyrëse, përmban një vështrim të përgjithshëm gjeografiko-etnografik të shqiptarëve dhe të vendit te tyre.
Pjesa e dytë përfshin shënimet e një udhëtimi që Hahni bëri në vitin 1848 anë e mbanë Shqipërisë së asaj kohe, duke na dhënë një tablo mjaft realiste dhe tërheqëse të realitetit të kohës. Pjesa e tretë jep një tablo etnografike, ku përshkruhen zakonet e krahinave të ndryshme ku banonin shqiptarët. Pjesa e katërt ka të bëjë me historinë e popullit shqiptar, duke ndalur në historikun e hollësishëm të mjaft vendeve e qyteteve në krahina të ndyshme të Shqipërisë. Pjesa e pestë, i kushtohet mitologjisë së shqiptarëve, duke kërkuar njëkohësisht shpjegimin, krahasimin dhe rrënjët e çdonjërit prej miteve.
Pjesa e gjashtë që titullohet "Alfabeti i shqipes" na jep një tablo interesante të të gjithë përpjekjevetë deri atëhershme për të shkruar gjuhën shqipe. Pjesa e shtatë dhe e fundit, i rikthehet dhe njëherë historisë së shqiptarëve.
Me këtë vepër J.G. fon Hahn shfaqet jo vetëm me kompetencën shkencore të një dijetari skrupuloz, por edhe me talentin vëzhgues të një humanisti që e njeh mjaft mirë botën shqiptare, duke jetuar gjatë mes tyre, në cilësinë e konsullit austriak në Janinë.
Për përgatitjen e kësaj vepre është angazhuar një ekip profesionistësh. Kështu krahas dy përkthyesve të mirënjohur, redaktor i librit është prof. Ethem Lika. Konsulente shkencore Anila Omari, korrektor Ramazan Vozga. Vepra e J.G. fon Hahn-it "Studime Shqiptare" është jo vetëm një ndër veprat themelore të studimeve shqiptare, por madje konsiderohet si një ndër themelueset e tyre.
Re. Ku. : Gazeta Shekulli











