Variacione mbi kenget e dhjetorit

Variacione mbi këngët e dhjetorit

Solidaritet në Festivalin e dhjetorit. Veç 30 këngëtarëve dhe grupeve që konkurrojnë për çmimin e parë, po aq të tjerë të ftuar dalin në skenë për të kënduar, jo këngët e tyre të njohura, por pikërisht ato konkurrente. Kur mbi supe shton një vit më shumë, është një moment i mirë për të reflektuar. Për të qenë më i mirë, por edhe për të parë pas. Festivali i Këngës në RTSH vjen në edicionin e 46-të. Tashmë është zbuluar piramida funksionale e festivalit, regjisori, skenografi, skenaristi, prezantuesit (Kuke, Zahaj, Laço, Lila, Çako), madje edhe 30 këngët me gjithë këngëtarët e krijuesit. Nga gjiganti publik dalin thuajse çdo ditë lajme rreth festivalit. Të rejat më të fundit vijnë nga redaksia e muzikës. Ndryshe nga vitet e tjera, formula e prezantimit të këngëve nuk do të jetë ajo tradicionalja. Këngët në garë vijnë përpara publikut në dy versione. Së pari do të jenë konkurrentët që prezantojnë këngët e tyre e më tej ato do të vijnë përmes interpretimit të këngëtarëve të tjerë "Big". Është menduar që pas interpretimit të një grupi këngësh, ato të rikëndohen në formë kolazhesh nga emra të tjerë të skenës muzikore shqiptare, por që nuk marrin pjesë në festival. Një formulë që duket sikur të kthen pas në kohë, në vitet kur zhvillohej Festivali i Interpretuesve, kur këngët e bigëve "dubloheshin" nga zërat e rinj dhe në fund të festivalit kishim dy fitues. Këtë herë ndodh e kundërta.


Dhe nuk kemi dy fitues. Por edhe servirja e këngëve do të jetë ndryshe. Orkestrimi dhe interpretimi do të jetë një tjetër alternativë, duke iu përshtatur edhe karakterit të këngëtarit të ftuar. Do të jenë këngëtarë si Luan Zhegu, Sherif Merdani, Eranda Libohova, Frederik Ndoci, Kastriot Tusha, Agim Hushi, etj., që ngjiten në skenën e festivalit të fundvitit. Madje do të ketë edhe rikthime si "djemtë" e grupit "Na bashkoi kënga popullore", që do të mblidhen sërish për të kënduar, jo më këngë popullore, por të muzikës së lehtë. Sipas organizatorëve, kjo mënyrë e re prezantimi do t'i shërbejë garës, por edhe spektaklit. Ngjitja në skenë e emrave të njohur të muzikës shqiptare të të gjitha zhanreve krijon atmosferë, larmi zërash, por i shërben edhe vetë këngës. Duke qenë se ato do të interpretohen në dy variante, i japin mundësinë publikut të njihet më mirë me prurjet e festivalit, të krijojnë një ide të qartë mbi to, pavarësisht interpretimit. Në një farë mënyre është edhe mbushje e një boshllëku që ky festival ka në prezantimin dhe njohjen e këngëve. Përveç këngëve që dalin në finale, që ngjiten dy herë në skenë, pjesëmarrësit e tjerë kanë vetëm një shans për të dhënë maksimumin e për të bërë përshtypje tek publiku. Madje shumë mbeten gati të panjohura, pasi këngët e festivalit "lindin e vdesin" aty. Vështirë t'i gjesh ato në tregun muzikor. Një pengesë kjo e kapërcyer nga festivalet private si "Mikrofoni i artë", "Kënga Magjike" e "Top Fest", që përveçse i bëjnë një prezantim disajavor të gjitha këngëve në ekranin e televizionit, apo valët e radios, ia ofrojnë publikut në formën e CD-ve. Kështu që formula e gjetur këtë herë nga organizatorët e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, është një mundësi më shumë për këngën dhe publikun, i cili ka të drejtën e votës në natën finale.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama