Pas hapjes së ambasadës shqiptare në Nju Delhi pritet që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Indisë të jenë më intensive, edhe pse deri tani kanë qenë në një nivel miqësor. "India është një komb e vend i madh, një nga qytetërimet më rrezatuese që, ndër thesaret më të çmuara shpirtërore në historinë e saj, i ka me origjinë shqiptare", u shpreh Berisha. Por pika më e ndjeshme e lidhjes mes Shqipërisë dhe Indisë mbetet shenjtorja shqiptare, e cila u bë e njohur në të gjithë botën, sepse shkriu të gjitha energjitë e saj në ndihmë të qytetarëve në nevojë të këtij qyteti dhe vendi të madh.
Kryeministri ka bërë të ditur se negociatat janë në rrugë pozitive dhe se do të vazhdohet të këmbëngulet në mënyrë që ajo të prehet në vendin e origjinës së saj. "Ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje, të vetëdijshëm se ajo është një trashëgimi e jashtëzakonshme e këtij vend të madh. Me punën dhe veprimtarinë e saj, ajo u bë, pas Mohatma Gandhi-t, ndoshta njeriu më popullor i atij vendi", tha Kryeministri. Sipas tij, një tjetër lidhje që i përafron dy vendet është dhe Taj Mahali, një nga mrekullitë e arkitekturës njerëzore. "Çdo indian e di se arkitekti i këtij tempulli mahnitës ishte Mehmet Mokrari, shqiptari nga Mokra. Kjo është e vërteta e Taj Mahalit", tha Berisha, duke e quajtur disi të vonuar hapjen e ambasadës shqiptare në këtë vend, por gjithsesi është një përpjekje për të pasur kontakte të vazhdueshme jo vetëm diplomatike me këtë vend të madh.
Marre nga : Gazeta Shqip











