Pianist virtuoz dirigjent kozmopolit dhe ambasador i paqes

Pianist virtuoz, dirigjent, kozmopolit dhe ambasador i paqes


Daniel Barenboim tërheq vëmendjen jo vetëm si dirigjent në pult, por edhe si njeri aktiv në politikë. Të mposhtësh paragjykimet dhe stereotipet duke kontribuar për pajtimin, i angazhuar për këtë deri më sot ai nuk është tërhequr as prej pengesave burokratike dhe as prej armiqësive personale. Në kujtesën e publikut ende ka mbetur  indinjata e shkaktuar me premierën e uverturës së Rihard Vagnerit (Richard Wagner) nga opera "Tristani dhe Izolda" në vitin 2001 në Izrael. Muzika e kompozitiorit, që konsideorhet si antisemitist, nuk lejohet të interpretohet as sot e kësaj dite publikisht në Izrael.

Divani Lindje-Perëndim

Bashkë me teoricienin e letërsisë Eduard Said Barenboim themeloi në vitin 1999 okestrën Divani Lindje-Perëndim, që përbëhet prej muzikantëve të rinj nga Izraeli, Palestina, Egjipti, Siria, Jordania dhe Libani. Në verën e vitit 2005 orkestra dha një koncert në Ramallah, që u transmetua drejtpërdrejtë në mbarë botën. Daniel Barenboim kujton: "Kjo që ne kemi bërë këtu në fakt mund të jetë vetëm shkalla e parë. Ne kemi pasur kontakte vetëm në nivelin e muzikës dhe krejtësisht jashtë politikës."

Në radhë të parë artist

Pavarësisht angazhimit politik Barenboim i kushton rëndësi të madhe të qenit në radhë të parë artist. Gurin e themelit për këtë ai e ka vendosur qysh në fëmijëri. Biri i një çifti ruso-hebre lindur në vitin 1942 në Buones Aires, qysh i vogël konsiderohej si një pianist gjeni. Ai tërhoqi vëmendjen fillimisht në Argjentinë dhe më pas edhe në Evropë. Por ai nuk mbeti vetëm kaq. Shumë shpejtë ai ndoqi kurset e dirgjimit dhe filloi karrierën së pari në Izrael dhe më pas në Austri. Vitet 60-të ai i kaloi kryesisht në Londër dhe në Paris si pianist dhe si dirigjent. Në Paris ai u martua me violonçelisten Zhakline dy Pre (Jacquelin du Pre´).

I kërkuar nga të gjitha orkestrat e botës

Qysh pas debutimit me orkestrën filarmonike të Londrës në vitin 1967 Daniel Barenboim është i kërkuar nga të gjitha orkestrat e botës. Njëkohësisht ai ka publikuar edhe një sërë disqesh me koncertet e veta si pianist. Ndër to bëjnë pjesë edhe koncertet për piano të Bethovenit (Beethoven) dhe Moxartit (Mozart), veprat Johan Sebastian Bahut (Bach), të Federik Shopenit (Chopin) dhe të Johanes
Bramsit (Brahms). Gjithçka i shkoi më së miri, karriera e tij u kurorëzua në vitin 1991, kur atë e ftuan në Bajrojt, ku ai për 18 vjet resht ka qenë aktiv në çdo verë të festivalit të Vagnerit. Në vitin 1991 Barenboim morri përsipër drejtimin e orkestrës sinfonike të Çikagos.

Në vitin 1992 ai erdhi në Berlin

Vetëm pak kohë pas ribashkimit Daniel Barenboim nis punën në orkestrën shtetërore. Një ansambël ky me traditë dhe që gëzon prestigj ndërkombëtar. Në verën e vitit 2000 orkestra shtetërore e zgjedh atë si kryedirigjent të përjetshëm. Cikle të mëdha përpunohen së bashku me orkestrën si: të gjitha operat e Vagnerit apo simfonitë e Bethovenit. Muzikantët e orkestrës shtetërore janë gjithashtu të angazhuar si partnerë aktivë në projektin e Barenboimit për edukimin muzikor në territoret palestineze. Ky projekt përfshin edhe kopshtet muzikore të fëmijëve si dhe krijimin e një oerkestre të rinjsh palestinezë.

Çmimet

Për meritat e tij në pajtimin izraelito-palestinez Barenboim
është nderuar disa herë me çmime. Ai ndër të tjera ka marrë edhe medaljen Buber-Rosenzweig dhe në vitin 2006 çmimin e paqes të vëllezërve të fondacionit Korn & Gerstenmann. Barenboim marrjen e çmimit në Frankfurt e shfrytëzoi si një podium për të shpalosur sërish bindjen e tij politike: "Themelimi i shtetit të Izraelit edhe sot e kësaj dite di të thotë për mua një mundësi për krijimin e një shoqërie vërtetë normale. E këtu nuk ka vend pushtimi i territoreve dhe i njerëzve të tjerë. Asnjë popull nuk e ka një të drejtë të tillë, e aq më pak ne. Unë besoj, se është e qartë, që një zgjidhje ushtarake as nuk shtrohet për diskutim, në rast të kundërt ne do ta kishim bërë këtë."

Në vitin 2007 Daniel Barenboim mori titullin doktor nderi i Universitetit të Oksfordit për mjeshtërinë e tij muzikore, për angazhimin e tij në bashkimin e popujve si dhe për veprimtarinë e tij jetësore.

Gudrun Stegen : DW-World.de


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama