Rovena Dilo Ketu njerezit mendojne se mund te gdhihen te gjithe artiste

Rovena Dilo: Këtu njerëzit mendojnë se mund të gdhihen të gjithë artistë

Rovena Dilo e ka një formulë se si të mbijetojë në një treg kaotik muzikor, se si të ruajë vlerat e saj edhe pa u bërë domosdoshmërisht pjesë e ndonjë grupimi apo klani! “Eshtë më e qëndrueshme gjithçka, kur je ti që e zgjedh grupimin dhe ofertën dhe jo e kundërta. Kjo po, të jep mundësi të mbijetosh mirë dhe në paqe me veten”, thotë në një intervistë ekskluzive për MAPO-n këngëtarja e cila këndoi për herë të parë për gjithë shqiptarët në vitin 1993, kur mori pjesë me këngën “Nëse natën vij”, në Festivalin “Këngët e stinës”.


“Nuk ka më mirë se sa të bësh gjithmonë atë që mendon se të përfaqëson më mirë”, thotë më tej ajo, ndërsa analizon në këtë intervistë, jo vetëm tregun aktual muzikor, për të cilin pranon se është kaotik, por edhe mënyrën se si mund të gjendet një sistem që promovon vlerat e mirëfillta dhe më tej akoma, edukon publikun. Media, mendon ajo, punon me inate, tregu kaotik huton publikun aq sa e bën të besojë se kushdo mund të bëhet artist, e nga ana tjetër artistët vetë janë si kopsa të shkëputura e nuk dinë të organizohen. Atëherë kush do të sigurojë ruajtjen e vlerave të mirëfillta? “Shteti!”, përgjigjet Dilo: “Le të adaptojë mënyrën si funksionon kjo detyrë në Greqi, apo Itali, apo kudo tjetër ku është kuptuar nevoja për të ruajtur vlerat. Besoj se institucionet e këtij vendi duhet të kujdesen që të gjejnë mënyrën e duhur si të promovojnë vlerat e mirëfillta, si të ruajnë këto vlera e në fund të fundit si të edukojnë publikun me këto vlera”.


Për këngëtaren e cila këtë vit do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me një bashkëpunim me Armend Rexhepagiçin dhe Aida Barakun, është e papranueshme që “të gjendemi përballë personazheve kaq “cheep”, kaq pa vlerë që promovohen si artistë të mëdhenj”. Sipas saj, “Shqipëria nuk përbën në vetvete një treg kaq të madh sa të ofrojë kaq shumë “artistë”. Ndaj dhe njerëzit janë hutuar vërtet. Mendojnë të gjithë se mund të bëhen artistë dhe se mund të arrijnë gjithçka. Kushdo mendon sot se mund të shkruajë një libër e të bëhet shkrimtar, se mund të këndojë një këngë në një skenë e të bëhet këngëtar, se mund të hedhë ca ngjyra në telajo, e të bëhet piktor!”.

MAPO: Ju do të merrni pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH. Do t’i riktheheni këtij festivali në një mënyrë origjinale. Mund të na thoni diçka konkrete për këtë angazhim tuajin?
Rovena Dilo: Eshtë ende herët që unë të zbuloj gjëra konkrete. Por mund t’ju them se do të marr pjesë në këtë festival me një bashkëpunim me Armend Rexhepagiçin dhe Aida Barakun. Kënga do të kompozohet nga Armendi dhe do të ketë tekstin e Aidës. Detaje të tjera publiku do t’i marrë vesh më vonë.

MAPO: Si mund të mbijetojë një artist në Shqipëri pa u bërë pjesë e asnjë grupimi apo klani? Si mund të mbijetojë në një situatë të tillë një artist duke qenë për më tepër, Rovena Dilo?
Rovena Dilo: Unë mbijetoj dhe mbijetoj mirë! Kam bindjen se secili nga ai që ju e përkufizoni si grupim, po të dish të presësh, do të ketë oferta dhe oferta shumë të mira madje. Ajo që unë mendoj se është më me leverdi për një artist është që këto oferta t’i zgjedhë vetë. Pra është më e qëndrueshme gjithçka, kur je ti që e zgjedh grupimin dhe ofertën dhe jo e kundërta. Kjo po, të jep mundësi të mbijetosh mirë dhe në paqe me veten. Unë kam bindjen se nuk ka më mirë se sa të bësh gjithmonë atë që mendon se të përfaqëson më mirë.

MAPO: Pas hyrjes në një treg kaotik, bota e artit gjendet befas në një luftë mes interesave të mirëfillta ekonomike dhe vlerave të vërteta. Si e gjykoni këtë luftë dhe nëse do të mundeshit, a mund ta pasqyroni përgjigjen tuaj me situata konkrete?
Rovena Dilo: Konkretja është shumë e pisët! Unë mendoj se realiteti përmban ca të vërteta që nuk janë aspak në favor të vlerës. Eshtë e vërtetë ajo që thoni ju se bota e artit gjendet në një treg kaotik. Por unë mendoj se kaos ka në të gjitha fushat e jetës. Vetë njeriu shqiptar është në kaos. Mendoj se e gjithë shoqëria shqiptare ende nuk është pozicionuar dhe niveluar siç duhet. Nivelet e pozicionimit të secilit janë të paqarta këtu. Aq sa duket sikur kushdo mund të bëjë gjithçka, por ama asnjë nuk është në vendin e vet, atje ku duhet të jetë i pozicionuar.
MAPO: Por kjo ama nuk ju pengon juve personalisht të jeni e pozicionuar atje ku duhet, apo jo?
Rovena Dilo: Aspak. Sepse unë nuk bëhem thjesht pjesë e kërkesave momentale të tregut në këtë vend. Unë jam pjesë e një kërkese që shkon përtej momentit. Unë nuk mendoj sot për sot dhe nuk bëhem pjesë e këtij proçesi momental. Ajo që unë bëj është aty dhe do të mbetet aty: në raftet e gjërave që do të mbeten me kohën jo në atë pjesë të raftit që “strehon” gjëra që do të hidhen! Unë nuk kam dashur asnjëherë të futem atje ku mund ta ndjeja veten pis…

MAPO: Një pyetje që është bërë gjithmonë por që realisht vlen të bëhet sërish: është ky treg kaotik që ushqen shijet e publikut, apo është publiku që kërkon të ketë këtë cilësi që i ofrohet?
Rovena Dilo: Unë mendoj se ne kemi nevojë për rregulla dhe standarte të cilësisë, jo të kaosit. Publiku do të edukohet me atë që do t’i ofrohet. Arti ka më shumë fuqi imponuese se publiku, flas për artin e vërtetë. Por arti në Shqipëri është lënë mënjanë, për hir të një dëshirë absurde për t’u harbuar! Hedhja në treg e lloj lloj personazheve pa vlerë, që nuk dinë ç’të japin e ç’të thonë, për mua është një harbim i vërtetë.

MAPO: Po media, çfarë roli luan në këtë drejtim?
Rovena Dilo: Mendoj se është absurde që media në vetvete nuk koordinohet e nuk kuptohet me veten. Këtu media më duket se punon me inate. Media besoj se nuk lançon apo promovon artin e vërtetë por promovon ata që i quan artistë të vetët. Cdo media kështu promovon artistë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe këtë nuk e bën sepse ata artistë duhen promovuar vërtet e se ia vlen ti promovosh. E bën, mendoj unë, me atë tendencën e pakuptimtë: këtë artist po e promovoj unë dhe është i imi! Por nga ana tjetër, ata që dëmtohen të parët e që dëmtohen më shumë, janë vetë artistët.

MAPO: Gjendemi kështu përballë situatës kur media, sipas jush, nuk luan siç duhet rolin e saj, artistët vetë nuk janë të organizuar për të mbrojtur vlerat, dhe tregu në anën tjetër funksionon në kaos, e publiku përtyp atë që i ofrohet! Kush duhet të kujdeset në këtë mes për të ruajtur vlerat?
Rovena Dilo: Shteti! Le të adaptojë mënyrën si funskionon kjo detyrë në Greqi, apo Itali, apo kudo tjetër ku është kuptuar nevoja për të ruajtur vlerat. Besoj se institucionet e këtij vendi duhet të kujdesen që të gjejnë mënyrën e duhur si të promovojnë vlerat e mirëfillta, si të ruajnë këto vlera e në fund të fundit si të edukojnë publikun me këto vlera. Ka plot mënyra, por që këtu nuk po zbatohen ende. Eshtë e papranueshme për mua, të gjendemi përballë personazheve kaq “cheep”, kaq pa vlerë që promovohen si artistë të mëdhenj. Shqipëria nuk përbën në vetvete një treg kaq të madh sa të ofrojë kaq shumë “artistë”. Ndaj dhe njerëzit janë hutuar vërtet. Mendojnë të gjithë se mund të bëhen artistë dhe se mund të arrijnë gjithçka. Kushdo mendon sot se mund të shkruajë një libër e të bëhet shkrimtar, se mund të këndojë një këngë në një skenë e të bëhet këngëtar, se mund të hedhë ca ngjyra në telajo, e të bëhet piktor!

MAPO: Tani që e shikoni karrierën tuaj në mënyrë objektive, a ka diçka që mendoni se do të mund ta kishit bërë më mirë?
Rovena Dilo: Unë mendoj se gjithçka që bëjmë lidhet ngushtë me natyrën komplekse njerëzore dhe është shumë e vështirë ta kuptosh këtë natyrë. Ndoshta do të kisha bërë gjithçka sërish ashtu siç e kam bërë deri tani. Njeriu gabon sepse nuk është i përkryer.

MAPO: Mund të veçoni dot një këngë nga gjithë këngët tuaja?
Rovena Dilo: E kam shumë të vështirë, i dua të gjitha njësoj. Por besoj se publiku mund ta bëjë këtë gjë, pasi varet nga shijet e secilit. Unë i shikoj punët e mia si pjesë e një zingjiri të plotë që përbën karrierën time.

Kristi Pindeli : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama