Pse punon?”. “Kujt i duhen përkthimet e tua?”. Kushedi sesa herë duhet t’ia kenë bërë këtë pyetje pa përgjigje, burrit të urtë. Mbase, duhet t’ia ketë bërë edhe vetes. Vërtetë, kujt i duhen?! Vlash Prifti ka heshtur. Dhe, tashmë hesht. Me një qese të rregullt ka mbledhur përgatitjet e kohëve të fundit për artin modern, klasik, koncepte arti, dhe i mban pranë vetes. Ngjitur. Kur i hap, shfaqen me një kaligrafi të rregullt, por disi të nxitur, të rreshtuar gjërat e tij të jetës. Përkthime e përkthime pafund. Dhe, janë aq shumë e shumë. Anipse, deri më tani, thjesht teori grafike, germa, ilustrime... Të pabotuara. Krejt të pabotuara.
Pedagogu i Akademisë së Arteve ka mundur që të botojë deri më tani vetëm një tekst, që u ka shërbyer për vite studentëve të tij. Mandej asgjë. Në kohën e pakët të lirë është ngulur në Bibliotekën Kombëtare dhe në atë të Akademisë (Dikur Instituti) dhe ka rrëmuar. Fillimisht ka kopjuar. Me durim murgu. Pastaj, 68 vjeçari, që ruan një gjendje të mirë fizike, ka ngritur kështjellën e tij të germave dhe përkthimi të një literature të tërë për grafikën dhe artin pamor. Ka qëmtuar nga mjeshtrit, autorët, krijuesit më në zë të huaj gjërat më të mira dhe i ka arkivuar. E nuk është qarë. Kanë qenë ngushëllimi i tij. Argëtimi i tij. Jeta e tij. Të paktën, kjo punë e ka pasur një qëllim: studentëve të tij, kurrë nuk i ka munguar kuptimëria për grafikën.
Për artin... dhe ai
“Unë them se çdo gjë do të shkoj në vendin e vet... dhe kultura dhe çështjet e saj janë një çështje e emancipimit”. Z.Vlash Prifti, sot, është pedagog i jashtëm i grafikës në Akademinë e Arteve. Ka vite që përkthen dhe do të vazhdojë të përkthejë. Një karrige, një stilolaps, fletë të pastra dhe divani. Kjo është butaforia e tij. E mjaftë. Po të prishet sadopak kjo qetësi, atëherë do të humbet gjithçka.
Arti grafik i referohet krijimit të dizajnit në përgjithësi përmes ekspresionit artistik. Por, në Shqipërinë pa traditë, atij i është dashur shumë që ta përcjellë teorinë e grafikës. Tradicionalisht, arti grafik nënkupton “aftësitë e aplikuara të tregut me një teknikë printimi”. Këto aftësi që përfshijnë veç të tjerave litografinë, seriografinë dhe të tjera disiplina, tashmë mund t’i gjesh kudo ndër fletët e tij...
Në kohët e sotme, artet grafike përdorin një varietet të mediumeve për të arritur efektet artistike dhe dekorative. Artistët grafikë u duhet që të desinjojnë, promovojnë , shfaqin, paketojnë dhe të përdorin talentin e tyre krijues dhe aftësitë, kurse njerëzve si Vlashi për t’ia bërë sa më të thjeshtë , studentëve... publikut artdashës.
...E quan veten kritik të artit pamor. Por nuk kritikon. Shqiptarët të keqkuptojnë dhe edukata etike lë shumë për të dëshiruar, shprehet. Bëhesh armik, për një fjalë goje. Ka mbaruar Liceun Artistik dhe më pas..pas një ndalese prej vitesh...Institutin e Lartë të Arteve në degën e grafikës. Ka bërë shkollën në mëngjes dhe njësoj nuk e ka ndërprerë punën. Pas shkollës ka dhënë mësim. Në vitet e ndërprerjes ka punuar në Porcelan në siriografi, një degë e re, që atij do t’i zbulonte magjinë e artit. Por artisti Prifti, në jetën e tij të gjatë ka krijuar pafund në qeramikë dhe vazhdon të punojë. Pjesëmarrës i rregullt i ekspozitave kombëtare të qeramistëve shqiptarë. Modest. “Ishte një degë që në bashkëpunim me gjermano-perëndimorët do të shkonte përpara. Mu desh të punoja shumë...”, shprehet për punën e tij. Në laboratorin e teknikës së grafikës, shumë gjëra do të mbanin vulën e përpjekjes së tij, por edhe dashurisë së tij. “Që nga viti i parë, jam marrë me përkthimin e teknikave të grafikës. Ekzistonte mundësia që të merrja libra si pedagog dhe mes tyre të rrëmoja dhe rrëmoja pafund”, tregon burri. Sërish studionte në Bibliotekën Kombëtare dhe atë të Shkollës. Punonte pa ndërprerje.
E vetmja pasuri ishte shkolla në familjen e tij me shumë numra fëmijësh. Ndërsa, motivi i tij, përpjekja për të përkthyer literaturë për pajisjen e studentëve. Shqipëria nuk kishte traditë në grafikë. Nuk e ka krijuar. Si pedagog duhet të fillonte nga Ground 0 në vitin 1969. Quhej art minor. Më tepër akoma, duhet të kishe parasysh që mos të punohej me shkollat perëndimore...dhe e vetmja që përdorej për ilustrime ishte shkolla e Bahauz, që kishte funksionuar deri më vitet ’30. Kur kishte ardhur Hitleri në fuqi dhe për modelin e tyre kishte probleme...Eduart Munsch, babai i Britmës etj, etj. Sot, grafika ka ndryshuar, por jo përpjekja e tij, që qëndron në labirintet e literaturës së pafundme të artit viziv.
Objektivi i artistit grafik është që të shpërndajë informacionin për publikun në disa variante dhe rrugë të ndryshme në mënyrë që të merren me mënd disi imazhe të produktit. Artistët grafikë të sotëm zhvillojnë plane disenjimi për CD ROM, websites, logos, printime të ndryshme, prezantime filmash dhe videosh, poster, broshura, handbills dhe materiale të tjera promocionale materiale, por pa pasur parasysh, se edhe në Shqipëri është punuar shumë dikur. Por, pa zë. Kishe të bëjë me një art, që konsiderohej i rrezikshëm për Partinë. Për Z.Vlash Prifti, mjetet tradicionale të artit grafik, lapsi, letra dhe shumë gjëra të tjera të imagjinatave janë të shenjta. Vërtet me shpikjen e kompjuterit është shtuar teknologjia për të përdorur software dhe për të përfituar punë, por, ajo grafika dhe literatura e tij do të mbetet ashtu e thjeshtë: Dhe, Burri, nuk ka vendosur të ndalet. Do të punojë, dhe, tashmë një libër i tij është futur në proces. Pas kaq vitesh. Më në fund. Nëse do ketë sukses, i ka premtuar botuesi i tij Krenar Zeno ( i njohur për botimet Zenit), atëherë do të punoj sërish për të sjell një botim tjetër. Presin shumë e shumë të tjera për historinë e artin, probleme të artit, magjinë e saj... Por, nuk ka kohë. Burrit i duhet që të nxitojë sepse pret pafund të botojë. Ja pse punon!
Ben Andoni : Revista Mapo











