I gjithë brezi i kryeqytetasve, që kanë moshën e artistit të fotos Roland Tasho, e njihnin Robert Shvarcin. Kush më shumë dhe kush më pak, të gjithë e kishin një kujtim me të. Kuptohet shumë syresh, thjesht virtual. Të gjithë i bashkonte veç mirënjohja ndaj përkthimeve të tij. Dukesh, sikur me Shvarcin, identifikonin autorët e ëndrrave të tyre. Por, fizikisht, e kishin vështirë që të flisnin me përkthyesin. Ngaqë, në Kullën Shvarc, ishte e vështirë që të depërtoje. E ruajtur me kyçe nderi, sqime, të duhej një rastësi fatlume që të jepte mundësinë, që ta njihje. Dhe, ajo nuk i vinte kujtdo. Ose ashtu si të vinte dhe do të ikte. Por, ja që Shvarci, do të dilte nga Kulla e tij dhe do të largohej qetazi në botën tjetër. Sërish, në një kullë, atë të respektit në amëshim. Ndoshta, merita e Tashos, veçuar teknikës për zbërthimin e personazhit të tij, ka qenë pikërisht këtu. Mes këtyre dy botëve. Ku kandari është më afër pasvdekjes, kur Tasho e përfundoi imazhin e tij, dhe, ne kemi nga një album bardhezi (i realizuar cilësisht nga ai me imazhin e Shvarcit),...imazhin e tij për ta pasur të gjithë ata, që e kanë admiruar.
I ka shkuar shumë bardhezija e albumit kësaj figure, sepse për të qenë të sinqertë, pak njerëz të qenësishëm të botës shqiptare mund të depërtonin tek ai. Shvarcin e kanë njohur thjesht bardhë e zi. Atëherë, në adoleshencën time, Robert Shvarci ishte vetëm një emër për mua, një emër që më kishte bërë një nder shumë të madh. Duke lexuar për të disatën herë romanin “Tre shokë”, libri më dukej sikur të ishte një vepër sa e Remarkut, aq edhe e Shvarcit, sa e autorit dhe e përkthyesit . Kështu shkruan vetë Tasho, që pas viteve ’90 do të frekuentonte mjedise ku rrinte Shvarci. E pas një pune disavjeçare, duke u munduar të disiplinonte padurimin e natyrshëm të mjeshtrit të përkthimit dhe modestinë e tepruar të intelektualit, ai arriti të finalizonte projektin e tij. Fotografia ime përcjell nderimin tim të thellë për Bertin dhe realizon një dëshirë të kahershme timen.
Një set fotosh i bërë në kuadër të projektit të “Karriges” së shkrimtarëve, një tjetër në liqenin artificial dhe pak intimitete nga jeta e intelektualit, janë përmbajtja e këtij albumi, që tash është edhe për publikun shqiptar dhe për njerëzit, që e kanë tjerrur në të gjallë shumë të veçantën e tij. Kuptohet se po të ishte gjallë, Shvarci, do të ishte një projekt i dështuar sepse modestia e intelektualit nuk ishte thjesht një stof, por një nga qëllimet e ekzistencës së tij. Aqsa edhe falë imazhit të albumit, atë e ke sërish aq “idhnak” dhe të padëshiruar ndaj lavdërimit dhe kultit, “që po i bëjnë”. Për Shvarcin, mjaftonte Puna. Të tjerat, le ti merrte lukunia e pseudove. Paskëtaj, ai vendi i veçantë në kafe, makina e shkrimit Olimpia dhe individualiteti i tij, që me sa duket duhej t’i bënte pyetjet më të mëdha për ekzistencën e tij në Shqipëri, fatin dhe pamundësinë.
Një mik i tij i vjetër, Amik Kasaruho, do të shkruajë në parathënien e librit të tij gjëra të rralla për njeriun: “Mbase ndryshimi më i rëndësishëm, të paktën për mua, është se dikur mendimi i vdekjes nuk ishte kaq i ngulmët sa sot. Por, kur vdekja vjen mbas një jete dinjitoze dhe të dobishme, shtyhemi të mendojmë se ajo nuk mund të shuajë vlera të tilla siç janë respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, dashuria për të vërtetën, vetëdija e të qënit të lirë brenda nesh, miqësia e dëlirë dhe e painteres, që i duron të gjitha provave të kohës. Këto cilësi i kishte Shvarci”.
Duhet të ketë qenë vërtetë e bukur jeta pranë Shvarcit. Jo më kot, kur kujton sot intimitete, ose dëgjon gjëra që duhet t’i marrësh me rezervë, mund të shikosh sesi të lbyr sytë qenia e veçantë. Nuk mburrej, nuk kërkonte, vetëm nuk...E dinte se jetonte në një kohë që nuk ishte për të. Që ishte kundra tij. E, asnjëherë nuk kishte ligësi, në këtë portret që të shikon sërish me pak cinizëm dhe shumë bezdisje nga fotot. Ishte i qartë në vitet e para ’90 se pak më shumë po t’i jepte gojës drejtimin e kishte pas dyerve me hekura; ashtu si pas viteve ’90, që po të bënte rolin e artistit potent dhe me shumë vlera, që ‘i ishin mohuar’, do të përfundonte akoma më keq: në llumin e frikshëm ku janë sot duke pluskuar masa e pafundme e pseudo-intelektualëve. Mbase kjo është një arsye për të vlerësuar më shumë albumin e Tashos.
Që nga galeria e grimasave, shprehjeve, qëndrimeve, ka nxjerrë atë që i duhej për t’i treguar njerëzve se jeta e disa individëve meriton më shumë, kur ka këto tipare. E ai njeriu, që ditën e kishte ndarë në segmente të pandërrueshme, punonte si murg. Kishte një gjykatës të ashpër që e priste për ditë: Ndërgjegjen e tij. Kjo e fundit, nuk e la kurrë. Duhet të ketë qenë shumë e ashpër deri në ditën e fundit, sepse Shvarci nuk u shmang kurrë nga Shvarci i përhershëm. Por, kaq ishte. Ishte lëkundur dhe ishte nisur vetë për diku. Donte, që të binte vetë diku..ishte lëkundur, kishte rrëshqitur.... Kjo ishte jeta tokësore e qytetarit Shvarc. Ose thjesht Një ditë nga jeta e Robert Shvarcit. “Eshtë dhe një homazh i vogël për njeriun e madh, i cili i dha një kuptim rinisë time”e përfundonme këtë fjali Tasho albumin e tij. Mbase, ky ka qenë edhe një nga homazhet më të bukura për autorin, ruajtja si e gjallë në celuloid.
Ben Andoni : Revista Mapo











