Një ditë përpara se të zhvillonte edicionin e tretë të Super Models of The World/Albania 2007, fotografi ndërkombëtar Fadil Berisha ishte më entuziast se kurrë e në të njëjtën kohë më i mendueshem se asnjëherë tjetër gjatë ndonjë prej qëndrimeve të tij në Tiranë. Në dorë, atë ditë të lodhshme provash, mbante një prej kopjeve të ftesave të këtij aktiviteti. Në ballinën e kësaj ftese shfaqeshin 5 modele shqiptare me një make-up ndër më profesionalët e me veshje të modës së fundit. Pesë vajzat e reja shqiptare, modele të Ford-it, nuk mund të dalloheshin aspak si shqiptare, ndërsa ishin "integruar" plotësisht në botën globale të modës, që njeh vetëm bukurinë fizike individuale, por nuk spikat dot origjinën apo vlerat etnike të kujtdo që pozon deri në atë nivel… "Duke i parë këto vajza, u ndjeva i lumtur, nuk e keni idenë sa i lumtur, por njëkohësisht edhe i mërzitur, pasi teksa i shikoj ashtu të pozojnë as më mirë e as më keq se të gjitha modelet më të mira në botë, ndjej se do jenë pjesë e një bote që nuk do t'ia dijë fare për faktin se ato janë shqiptare…".
E thënë shkurt: ky fotograf që ka bërë të emocionohen disa nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës dhe spektaklit botëror, ndonëse këto vjet ka luftuar ashtu si askush tjetër që të promovojë Shqipërinë në këndin më të bukur të saj, sapo shikon se falë punës së vet ka arritur të ndihmojë disa vajza shqiptare të çajnë në botën e modës, ndihet keq, që në atë moment ato i përkasin thjesht modes. Pothuajse askush nuk do të mund të dallojë se ato janë vajzat e vendit të tij. Të zbukuruara në atë mënyrë, të integruara profesionalisht në botën globale të modës, ato vajza përfaqësojnë thjesht e vetëm bukurinë e tyre, jo direkt Shqipërinë… Në fund të fundit, kush do të interesohet të dijë se nga cili vend vijnë ato bukuri që shfaqin imazhin e tyre personal në katalogje, revista apo reklama ndërkombëtare…?!
Fadil Berisha, ama, nuk ndalet. Vazhdon të besojë se Amerika dhe Europa kanë tashmë gjithçka e se përtej çdo gjëje, kanë nevojë vetëm për origjinalitet. Ai vazhdon të besojë se Shqipëria dhe shqiptarët munden ende t'i ofrojnë kësaj bote pikërisht origjinalitetin e tyre dhe asgjë tjetër veç këtij origjinaliteti. Ndaj edhe përveç kontratave super të shtrenjta në botën e modës që ai pa problem arrin t'i firmosë, interesohet sot, në vitin 2007, ashtu si dy dekada më parë, që të fotografojë vajza shqiptare në Tiranë e në Prishtinë, që ti promovojë ato në SHBA, e që të tregojë në një mënyrë ose në tjetrën, me çdo çmim e mundim, se shqiptarët janë në mënyrën e tyre origjinale, tejet të bukur…
Nga ana tjetër, fotografi i njohur ndihet shumë i inatosur me faktin që ndonëse shqiptarët lindin, sipas tij, artistë, ata shumë rrallë kanë mundësi ta tregojnë artin e tyre. "Ka popuj sot në botë që mund të mos kenë asgjë, megjithatë fëmijët e tyre, që kur janë në djep i mësojnë të mendojnë se janë më të mirët, më të bukurit, ata që kanë më shumë mundësi, etj. Ndërkohë që ne shqiptarëve, që në djep na thuhet se jemi të varfër. Prindërit tanë na thonë shkoqur e me zë të lartë se ata janë të varfër e kështu kanë për të qenë edhe pasardhësit e tyre. Shqiptarët, mësohen kështu që të jetojnë të kufizuar dhe nuk stimulohen në asnjë moment që të kërkojnë diçka më shumë, që të dalin jashtë kornizave dhe pengesave të trashëguara, që në fund të fundit kanë qenë pengesa të prindërve të tyre, jo të atyre vetë…", thotë për MAPO-n Fadil Berisha.
MAPO: Cfarë mund t'i ofrojmë ne botës… Pse vazhdoni të këmbëngulni se ne kemi ende bukuri për "të ofruar"…?
Fadil Berisha: Cdo gjë që ne mund t'i ofrojmë sot botës duhet të jetë origjinale. Amerika, Europa dhe çdo pjesë tjetër e zhvilluar e kësaj bote, i ka tashmë të gjitha. S'ka nevojë për asgjë, ndaj gjithçka që ne mund të ofrojmë është origjinaliteti ynë. Për këtë arsye, në Super Models of The World, vajzat që sfiluan kishin në çdo moment në veshjen dhe paraqitjen e tyre diçka origjinale nga folklori apo tradita shqiptare. Ne mund t'i ofrojmë botës talentin që kemi. Nuk di nëse ju që jetoni këtu e ndjeni, por unë vetë ndjej se shqiptarët janë të mahnitshëm, super të talentuar dhe me kaq shumë energji! Shqiptarët lindin si artistë, por deri më sot nuk i kanë patur mundësitë të tregojnë artin e tyre.
MAPO: Ju jeni personazhi tipik i njohur shqiptar që nuk do të flasë asnjëherë për anët e errëta të shqiptarëve. Vërtet mendoni se ne jemi thjesht e vetëm të bukur…?
Fadil Berisha: Unë mendoj se ne, ashtu si dhe çdo popull tjetër kemi të mirat e të këqijat tona. Por unë nuk dua të flas për të këqijat, të cilat në fund të fundit e gjejnë gjithmonë një hapësirë nga ku të dalin e të shfaqen. Dua të flas e të tregoj vetëm anët e mira të shqiptarëve, vetëm anën e bukur të tyre. Jo pak herë më ka rastisur që të sjell në Shqipëri miq të mi të huaj, madje të njohur, e të dëgjoj fillimisht nga ta se Shqipëria është një vend, sipas tyre, i rrezikshëm për t'u vizituar. Por kur kthehen nga Shqipëria, pasi e kanë parë e prekur me duart e tyre, ndryshojnë krejtësisht përshtypje. Pse? Sepse deri atëherë nuk kishin patur asnjëherë mundësi ta njihnin realisht atë. Ndaj dhe besoj se sot ia vlen ta prezantosh Shqipërinë me këdo që nuk e njeh, por që vazhdon ta paragjykojë…
MAPO: Cfarë të reje sollët këtë vit me Super Models of the World?
Fadil Berisha: Ky spektakël është i jashtëzakonshem. Dua që kushdo të kuptojë se nuk ka dhe as që ka për të patur ndonjëherë pengesa për të marrë pjesë në të. Për shembull, nëse një vajzë merr pjesë në këtë event kur është e vogël por nuk fiton, e pas ndonjë viti, rritet dhe përmirëson imazhin dhe talentin e saj, e dëshiron ta provojë sërish, atëherë askush nuk e ndalon! Nga ana tjetër, ky event nuk ka juri. Agjencia që e organizon në rang botëror, është ajo dhe vetëm ajo që përzgjedh vajzën që fiton konkursin. Një komision prej agjencisë mat çdo detaj dhe parametër të pjesëmarrësve dhe vendos. Kaq! Ama, nga ana tjetër vajzat që marrin pjesë, edhe nëse nuk fitojnë mbartin me vete një përvojë të jashtëzakonshme: gjatë shfaqjes finale ato sfilojnë me make-up më të mirë, veshin veshjet më të bukura që mund të kenë veshur ndonjëherë, gjenden befas në fokusin e kamerave dhe të publikut, si asnjëherë më parë. Me pak fjalë, e gjitha është një përvojë që ato do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre.
Kristi Pinderi : Revista Mapo











