Nuk jam per Teatrin Kombetar

Nuk jam për Teatrin Kombëtar

E dukshme është që në një skenë të vogël të Teatrit Kombëtar që mund të ishte cilido vend në natyrë, me një trupë aktorësh të rinj, me veprën "Udhëtimet e Lizës", ai krijon aromën që shqisat e kanë humbur të zjarrit me dru, dritën e kursyer sa për t'ia nisur një rrëfimi për shkatërrimin, fshatin real dhe fshatin e mendjes, gruan që rrjep gjelin si të dojë të heqë lëkurën që ia kanë trashur, rruarjen e burrit si ceremonial i një miti që po bie,vajzën me të bardha dhe humbjen e burrërisë, mbytjen me përdhunë në vozë dhe bukurinë e një trupi të vogël me fustanin prej uji, denoncimin dhe vajtimin e të vdekurës me një "Jasaman" dasme.
 
Janë ikona që të duash t'i interpretosh si "duhet" të çojnë në radhë të parë tek bota shqiptare që njohim dhe së dyti tek bota shqiptare që ndjejmë. Ajo që dimë për këtë botë i përket asaj që ka ndodhur, ndodh (gruaja nën burrin, mjerimi, viti '97, vetëshkatërrimi, psikologji e rënduar) dhe ajo që ndiejmë për këtë botë është diçka e pasigurtë, diçka mes ankthit mos përsëritet e kaluara, mos këta jemi në të vërtetë, ata pra që në gjunjë i vë pesha e vet. Botën e parë regjisori e mbështet në strukturën e saktë të tekstit të montuar, e relievit të lëvizjes së gjithçkaje në skenë, e vetëdijes së aktorëve për linjat e "historive", e mënyrës se si ata e dëgjojnë skenën dhe njëri tjetrin; botën e dytë e mbështet në heshtjet mes "akteve", një nga gjërat më të mençura që Entoni ka pasur dhuntinë t'i vulosë pauzat me një tokëz pezulli të rëndë dhe pa ngjyrë emocionale. Askush s'lëviz, askush nuk flet, skena i ngjan trupit që pas përpëlitjes shtrihet përfundimisht në tokë, ndërsa fryma përfundimisht ngjitet lart. Për aq fragment kohe sa ç' i duhet spektatorit të besojë që nuk është rastësisht i ulur përballë kësaj loje që quhet teatër.

"Udhëtimet e Lizës" u vlerësua në festivalin e teatrit të të rinjve për regjinë më të mirë, e Enton Kacës dhe vlen të veçohet këtu edhe loja e Orjon Halilit dhe aktores tjetër të re Loredana Gjeçi, e cila pati dy interpretime shumë të mira në këtë festival. Nëse do të jepej një çmim për aktoren ky do t'i shkonte Loredanës. Nuk u kuptua dhe as u sqarua nga ana e organizatorëve se përse duhej dhënë vetëm çmimi për aktorin më të mirë dhe jo për aktoren, kur në tërësi ky festival pati një nivel të lartë të interpretimit nga ana e vajzave. Për pjesën tjetër të prurjeve, intervista me Entonin lë të kuptojë se çfarë nuk shkoi si duhet me të rinjtë që bënë festivalin dhe çfarë duhet ndryshuar nga ata më zanatçinjtë e Teatrit Kombëtar. Dhe, që ky festival duhet të vazhdojë.

Kur po merrje çmimin the që sot është e vështirë të hash një drekë normale e jo më të bësh teatër.

Janë fjalë që nuk më përkasin vetëm mua. Dihen vështirësitë sociale, ekonomike, politike, kulturore ku gjallon shoqëria jonë. Duke menduar që dhe për vende të konsoliduara teatri është një art i vështirë, dhe akoma më e vështirë është të prodhohet teatër i mirëfilltë dhe jo limonatat e përhershme që janë në shitje lart e poshtë, mendoj se ka qenë heroizëm nga gjithë këta njerëz që kanë prodhuar nëntë shfaqje për dy muaj punë që nga nisja e festivalit.

"Udhëtimet e Lizës" la gjurmë në këtë festival, për arsye se ishte e gjitha e ndërtuar mbi një lëndë shqiptare, autorët, teksti, "ngjarjet", dhe bënte kontrast me disa shfaqjeqë kishin rënë në kurthin e gjoja mesazheve aktuale me dramaturgjinë botërore.

Kur në vitin 2005kam vënë në skenë "Karriget" e Joneskos, mendova se kisha bërë një zgjedhje shumë të mirë dramaturgjike që i fliste shoqërisë sonë. Por mbasi mbaroi kjo shfaqje kuptova që kisha bërë një gabim, kuptova që shumica e kësaj lloj dramaturgjie vdes një javë pas shfaqjes. Atyre që e kanë konsumuar këtë vepër teatrore nuk u ngel asgjë në kokë. Atëherë vendosa që herës tjetër të punoja për një vepër që i ka rrënjët këtu, tek unë, tek ty, që na përket të gjithëve dhe për të cilën unë nuk kam pse të shtirem për diçka që e di që është pjesë e imja. Për shembull nëse do të flasim për '97-ën, asnjë nga aktorët aty nuk ka pasur nevojë të shtiret, sepse kishin përballë ca njerëz që i kanë hequr vetë në kurriz këto ngjarje dhe që nuk do të lejonin t'i mashtroje sado pak apo të abuzoje me një ngjarje sepse na qenke artist dhe po na tregoke diçka që është e ngritur në realitetin artistik. Absolutisht jo. Do ishte shumë herë më mirë të punonim mbi gjëra të përditshme që na prekin.

Si e shpjegon që kishte shfaqje të vëna në skenë nga regjisorë të rinj po që dukeshin të vjetra?

Pyetja që do ngrija unë është kjo: me çfarë gjuhe flet aktori, me cilat fjalë flet regjisori. Dhe kjo nuk duhet të ngelet vetëm tek teksti që të ofron një dramaturgji. Ky besoj është defekti themelor i regjisurës shqiptare, sepse e gjithë puna skenike bazohet tek teksti, tek vënia në skenë e këtij teksti ashtu siç e ka shkruar autori. Ndërkohë që nga momenti që është shkruar një vepër, qoftë dhe një vit më mbrapa gjërat ndryshojnë, jeta normalisht ndryshon. Ne nuk jemi më ata që kemi qenë para disa vitesh, po ashtu ndryshon qyteti ku ti jeton, ndryshojnë shokët, ndryshojnë njerëzit e tu të dashur. Dhe të gjitha këto ndikojnë tek individi. Pse atëherë këta regjisorë të rinj me këto dramaturgji pak klasike nuk arrijnë të shprehen? Sepse koncepti, mentaliteti përsa i përket regjisurës është i bazuar tek një klishe mediokre e teatrit borgjez realist që ka 150 vjet që ka vdekur dhe ka të paktën 100 vjet që po punohet në fushën e teatrit kërkimor i cili ka prodhuar situata të jashtëzakonshme artistike.

Ky festival pati regjisorë apo vënës në skenë?

Ky festival pati vënës në skenë.

"Udhëtimet e Lizës" ka pasur më pak spektatorë nga të tjerat, megjithatë në fund ti u shpalle regjisori më i mirë. Këtë paradoks të vogël të marrëdhënies së spektatorit me veprën në rastin tënd si mund ta komentosh?

Carmelo Bene, një aktor regjisor italian që ka punuar në Paris, tregonte: Kur shkoj në teatër dhe shoh disa vende bosh, them: ah, sot mungokan disa njerëz. Dhe kur shoh që salla është plot them: ah, sot s'paska asnjeri këtu. Ky është dhe thelbi i kësaj pune. Nuk është sasia e spektatorëve ajo që përcakton cilësinë e një shfaqjeje. Ka pasur raste që dhe dhjetë spektatorë kanë parë shfaqje super të bukura, super emocionale. Kështu që nuk është për t'u shqetësuar. Aktori dhe regjisori kanë për detyrë t'i përkushtohen totalisht atij individi që ka marrë përsipër të harxhojë një apo dy orë kohë nga jeta e tij për teatrin. Sepse në fund tëfundit teatri për këta njerëz bëhet, jo për veten. Të ishte për veten do të bënim teatër në shtëpitë tona dhe kaq.

Enton pse vepra nga autorë që trajtojnë realitete shqiptarësh të para luftës, "Viti i mbrapshtë" nga Kadare, "Qershijat" dhe "Puthja e Cubit" nga Migjeni, "Vjeshta e Xheladin Beut" nga Kuteli.

Përgjithësisht zgjedhja u bë në bazë të lidhjes që këta tre autorë kanë me njëri-tjetrin. Janë autorë që i kanë folur shoqërisë shqiptare më shumë se të tjerë. Dhe na kanë folur jo me fanatizëm apo me tifozllëk për sa u përket vlerave apo kulturës tonë të lashtë, heroike, por kanë folur haptazi për të gjitha problemet që kjo shoqëri e jona ka pasur. Po t'i shohësh me vëmendje ata i lidh mënyra realiste e të gjykuarit dhe të parit të fenomeneve me shumë frikë, alarm dhe tension çka të jep ty një ndjesi negative dhe mundohesh ta kalosh atë faqe libri ku flitet për këta njerëz të egër që vrasin pa pikën e arsyes, për këto paradokset sociale, dogmat morale, për ato lëvizjet e çuditshme politiko-ekonomike, për humbjen e idenditetit, për humbjen e shoqërisë, për maskilizmin e shqiptarëve, për gruan gjithmonë e dhunuar, e përdorur si objekt. Me gjithë këtë nuk ka më nevojë të diskutohet marrëdhënia e këtyre tre autorëve.

Ti thua që kishit rënë dakord me grupin e aktorëve që nuk do të bënit teatër, që nuk do ndërtonit karaktere.

Menduam të bënim një punë që quhet performance text, që bazën e ka nga "teatri i varfër" i Jerzy Grotoëskit. Aty janë vendosur disa rregulla që nuk janë definitivisht rregulla përsa i përket mënyrës së performimit në teatër të një aktori, por që janë një bazë e mirë pune për të bërë diçka ndryshe. Teksti është një komponent i veprës teatrore siç është kostumi, gjesti, kënga, do të thotë që teksti nuk ka atë formën primare të ndërtimit të një vepre teatrore. Ne nuk donim të kishim një dramaturgji fikse dhe këta njerëz që do prezantoheshin nga aktorët të mos ishin karaktere, sepse është më bukur mendoj unë që të jenë këta njerëz që prezantojnë veten në këtë realitet skenik sesa të bëjnë sikur është dikush tjetër. Pra çështja vërtitet tek kush është kush. Tek "Hamleti" në aktin kur ai u shpjegon aktorëve se si duhet të interpretojnë ka një pyetje retorike: Me cilët lotë qan Hekuba?... me lotët e aktorit.

Na thuaj diçka për veten, çfarë ushqimi shpirtëror merr, çfarë lexon, dëgjon, ku udhëton…

Sa për leximet kam vite që nuk blej ndonjë libër në gjuhën shqipe përveçse atyre që janë të domosdoshëm, mundohem të dëgjoj muzikë jo si kjo që po dëgjojmë, (Mark Anthony). Kam një afrimitet ndaj muzikës elektronike, jazz-it, jam i hapur dhe për forma të tjera të të shprehurit të artit, nuk kam asnjë lloj kundërshtie për letërsinë moderne apo klasike. Sa për kinemanë nuk shkoj asnjëherë në Millenium, nuk shoh televizor, nuk ndjek emisionet televizive, shumë rrallë shoh lajme, po aq rrallë lexoj gazetën me interes për mënyrën se si përjetohen disa ngjarje të jetës në Shqipëri. Kam një vit që punoj aktor me me trupë italiane të teatrit kërkimor projektet e të cilës janë të fokusuar më shumë në temat e luftës dhe të Mesdheut. Aty kam punuar me aktorë nga Malta, Palestina, Qipro, Turqia. Kemi zbuluar se shumë fjalë i kemi të ngjashme, ushqime, rituale, zakone. Është shumë e çuditshme të mendosh për raportet oksident-orient kur nifma Europa që i ka dhënë emrin kontinentit Evropian oksidental e ka origjinën diku në Liban. Këto kultura më kanë bërë të ndjeshëm përsa i përket të parit të teatrit edhe të jetës bashkë, sepse teatri tek e fundit është jetë dhe asgjë s'mund të jetë jashtë gjithë kësaj. Kur ti ndjen që ka diçka që nuk shkon në jetët e këtyre njerëzve të cilët mundohen të bëjnë një gjë tëpërbashkët, kjo të jep një ushqim shpirtëror i cili është shumë herë më i mirë se ai i jetës së përditshme dhe monotone.

Ka shanse që të bashkëpunosh me Teatrin Kombëtar, sidomos sidomos tani që fitove çmimin?

Ka fjalë, por nuk e di si ka për të funksionuar. Kam dëgjuar shumë histori me peripeci për projektet në teatër ku shumë herë regjisorët janë detyruar të marrin në projektet e tyre aktorë që janë pjesë e organikës së teatrit pa dëshirën e tyre. Pse? Sepse kanë detyrime ndaj TK.

A do ishe gati të punoje me këtë frymë që ka TK?

Nuk e besoj, sepse natyra ime e punës është shumë larg konceptit për teatrin që ka Teatri Kombëtar. Natyra ime e punës është t'i servirim shoqërisë sot disa gjëra që të jenë ndryshe nga ato të zakonshmet. Ky është hapi i parë. Unë nuk mund të bëj dot shfaqje në sallën e TK. Kam vendosur që të mos bëj më shfaqje në një sallë teatri, sallë teatri borgjeze tipike alla italiana. U bënë dy vjet që nuk bëj shfaqje në një sallë të tillë, përveç kësaj here ku ishim të detyruar prej festivalit. Do të shfrytëzojmë hapësirat publike urbane që mund të kthehen shumë mirë në një hapësirë skenike ku njerëzit të na ndjekin.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama