Robert Shvarci qe kam njohur

Robert Shvarci që kam njohur

Është dhe një homazh i vogël për njeriun e madh, i cili i dha një kuptim rinisë time". Albumi me foto bardhë e zi, botim dygjuhësh (shqip-anglisht) i "Onufrit" përmban edhe poezitë e Shvarcit "Tingëllim për Shkodrën" (qyteti ku ai erdhi në vitin 1938 nga Sarajeva, kreu shkollën fillore dhe e quajti gjithmonë Shkodrën qytetin e dashur të fëminisë së tij), "Për të pagjeturit e Otrantos", "Vargje lamtumire për një shok rinie" dhe "Ma vranë Sarajevën".
Të ftuarve në folenë e artistëve "Noel", mbrëmë në promovimin e librit, iu shërbye një gotë kalvados, pija e preferuar e Shvarcit e sugjeruar nga autori i tij i zemrës të cilin e pruri thuajse të gjithë në shqip, Erich Maria Remarque.

Jemi njohur, Roberti dhe unë, në vitin e largët 1944, në klasë të parë të gjimnazit të Tiranës. Jemi ndarë tri herë nga njëri tjetri: kur mua më futën në burg, kur ika nga

Shqipëria dhe kur u nda ai nga kjo botë. Pak, po të mendosh se kjo miqësi zgjati gjashtëdhjetë vjet dhe shumë për ne, që nuk bënin dot pa njëri tjetrin.

Ndërmjet fotografive të vjetra ruaj edhe një që ka një vlerë të veçantë për mua: është fotografia e Robert Shvarcit, me një kushtim mbrapa saj, ku ai pat shkruar: "më të dashurit nga të paktët".

Kanë kaluar më se pesëdhjetë vjet nga koha kur më është dhuruar kjo fotografi: shumë gjëra kanë ndryshuar. Mbase ndryshimi më i rëndësishëm, të paktën për mua, është se dikur mendimi i vdekjes nuk ishte kaq i ngulmët sa sot. Por kur vdekja vjen mbas një jete dinjitoze dhe të dobishme, shtyhemi të mendojmë se ajo nuk mund të shuajë vlera të tilla siç janë respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, dashuria për të vërtetën, vetëdija e të qenit të lirë brenda nesh, miqësia e dëlirë dhe e painteres, që i duron të gjitha provave të kohës.

Këto cilësi i kishte Shvarci!

Por miqësia me një njeri të veçantë përmbyll një të mirë dhe një të keqe: e mira është se ndoshta edhe pa u kujtuar, fillojmë e jetojmë në simbiozë me vlerat që nuk i gjen rëndom ndër njerëzit e tjerë; e keqja është se kur ai nuk jeton më, nis e krijohet një përshtypje pafuqie, një ndjesi zbrazëtie, gati-gati një vetëdije e çuditshme se, edhe në bëfshim përpara, do të na mungojë siguria që ndienim pranë njeriut të veçantë. Siguria që rrezatohet nga personaliteti i tij.

Ky njeri i veçantë ishte Shvarci.

Jeta pranë njerëzve si ai është e bukur. E bukur, sepse pranë tyre mund të zbulosh vlera që ndryshe do të mbeteshin të panjohura dhe që i japin vetë jetës një kthesë të vlertë, sepse na edukojnë ndjeshmërinë ndaj të bukurës dhe të ndertës, dëshirën për ta pasuruar jetën gjithmonë e më shumë, aftësinë për të dalluar të natyrshmen nga shtirja. Dhe këto krejt natyrshëm, thjesht me shembullin e jetës së tyre.

Këtë dinte ta bënte Shvarci.

Nuk pat mëtuar kurrë shpërblim për miqësinë që e falte me gjithë zemër, pa rezerva, deri në fund. Të të rrethonte me përkujdesje miqësore, të mos e fshihte miqësinë, edhe kur një gjë e tillë shihej me sy të keq, madje edhe dënohej (flas për kohët kur miqtë duheshin zgjedhur me biografi të mirë), ta shndërronte miqësinë në krenari dhe me këtë krenari pastaj t'i dilte përpara të keqes (flas për ato ditë kur të mbaje në shtëpi, siç pat bërë Roberti, një njeri të sapo dalë nga burgu që nuk kishte të drejtë të banonte në Tiranë ishte një gjë me zarar), jo ta nënçmonte, por ta përbuzte ligësinë, pa u shtirë si hero, por pa u zvarritur përtokë, të gjitha këto kërkonin shpirt të madh.

Dhe shpirt të madh kishte Shvarci.

Kur në Tiranën e viteve '60-'70 intelektualët e kohës bënin çmos t'i nxirrnin namin vetes si krijues (të një letërsie me porosi), Shvarcin e pat karakterizuar thjeshtësia, dëshira për të mos rënë në sy, në shumë raste të mbyllurit në vetvete, në një univers të panjohur për shumicën, por që ai e ruante me xhelozi. Sepse ishte bota e tij ajo që ai e kishte krijuar pa zgjatur dorën për të lypur pak lavdi. Bota e tij: kishte filluar ta ndertonte atë botë të kulturuar dhe të pasur, që në adoleshencën e hertë të tij, atëherë kur shkruante tregime të shkurtra policore që neve, shokëve të tij, na linin gojëhapur. Atë botë më vonë e pasuroi me hovet fisnike të një zemre të mbushur me dashuri për jetën dhe kurrë me urrejtje për njerëzit. Mbase edhe me ironi. Me ironinë e tij që e përdorte si armë mbrojtjeje dhe jo mësymjeje. Për shumëkënd ai ishte njeri i

ndryrë në vetvete, që nuk hapej. Nuk e bënte këtë për mendjemadhësi dhe as për

ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve: por ishte i vetëdijshëm se jetonte në një kohë të vështirë dhe të rrezikshme, kur nuk duhej shumë që të të paditnin për agjitacion po të

flitje qoftë edhe vetëm për vlerën letrare të Remarkut.

Kështu u formua Shvarci.

Nga ç'pat në jetë, asgjë nuk e pat lypur. Prandaj edhe ishte krenar: gjithçka e kishte arritur vetë. Dhe, siç thotë Ardian Klosi, e pat krijuar duke i kushtuar vetëm në një pjesë fare të vogël të kohës së tij krijimit të mirëfilltë, sepse pjesën më të madhe të kësaj kohe e pat kaluar si murgjërit e mesjetës që kopjonin tekstet e lashta: duke përkthyer zëre se pa shpërblim qindra faqe mbushur me ideologji boshe dhe kallpe që nuk thoshnin asgjë. Xhevahiret e shqipërimeve të tij i ka bërë në kusurin e kohës, duke punuar në kushte të pamundura: me grua e djalë ai ka jetuar vetëm në një dhomë e kuzhinë! E pra përkthimet e tij janë xhevahire të njëmendëta. Shqipërimet e Shvarcit rrinë përbukuri përballë përkthimeve të të mëdhejve të letërsisë shqiptare: ai qe mjeshtër i fjalës së shkruar. Pa bujë e pohë, pa rrahur gjoksin, pa ndukur njeri nga setra por duke punuar me ngulm, me thjeshtësi e me dashuri deri ditët e fundit të jetës, ai na dha një varg kryeveprash që tingëllojnë shqip po aq bukur sa dhe në gjuhët nga janë përkthyer. Jo vetëm sepse këto gjuhë i zotëronte, por sepse e donte jashtë mase gjuhën tonë. Kujt nuk i vjen ndërmend thirrja e tij e flaktë për pastërtinë e gjuhës? Si të mos na ngjethin katër vargjet e shkruara në 1990-ën, trembëdhjetë vjet para se të vdiste që mbajnë titullin MBI VARRIN TIM: "Nga dashuritë e tij të mëdha - nga dashuritë e tij të forta, - vetëm njërën s'e harxhoi kot: - atë për gjuhën shqipe"? Ky është Shvarci.

Tashti që artisti i fotografisë, Roland Tasho, po na dhuron albumin për Shvarcin,

mendoj se figura e këtij lavruesi të madh të gjuhës dhe të fjalës sonë artistike, do të marrë një ravijëzim më të plotë, duke përmbushur jo vetëm një dëshirë të kahershme të vetë Tashos, por, ma do mendja, edhe atë të atyre që do të duan të ruajnë në kujtesën e tyre jo veç korpusin e përkthimeve të Shvarcit, por edhe shëmbëlltyrën e tij. Dhe kjo e nderon Roland Tashon e na shtyn ta falënderojmë.

Por edhe të mendojmë se i detyrohemi edhe më shumë të mirit, të palodhurit, njerëzorit Robert Shvarc. Që të gjithë ne.

Amik Kasoruho : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama