Arkeologet rrezikojne Apolonine

Arkeologët rrezikojnë Apoloninë

Shqetësimi është ngritur nga drejtori i këtij parku arkeologjik, Marin Haxhimihali, pranë Institutit Arkeologjik dhe atij të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe një ekip kontrolli prej Këshillit Shkencor të Institutit Arkeologjik ka mbërritur mesditën e djeshme në Fier, për të verifikuar ngjarjen në vend. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, ka pohuar për gazetën "Shqip" se dëmtimi i një pjese të madhe të murit të amforave ka sjellë urdhrin për ndërprerjen e gërmimeve, ndërkohë që me fillimin e shirave rrezikohet edhe përmbytja e bibliotekës, amfiteatrit dhe një pjesë e mirë e objekteve me vlera të mëdha. "Erozioni i shkaktuar nga gërmimet e kësaj ekspedite, gërmime që kanë abandonuar projektin e miratuar më parë, rrezikon përmbytje të disa monumenteve të sipërfaqes së parkut arkeologjik. Ne si institucion e kemi bërë prezent shqetësimin tonë edhe pranë Ministrisë së Kulturës dhe departamenteve të posaçme. Nuk ka munguar gatishmëria e tyre dhe angazhimi total, por deri më sot në terren nuk është bërë asgjë. Qysh me shirat e ditëve të fundit duhet pranuar se kjo sipërfaqe ende e pazbuluar përfundimisht ka pësuar dëmtime të mëdha", thotë Haxhimihali. Gjithashtu, drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë pohon se "Është bërë një punë e madhe, por për fat të keq është lënë pjesa më e rëndësishme përgjysmë. Mbulimi i kësaj strukture të veçantë gërmimesh nuk është kryer, ndërsa është zbuluar e gjithë sipërfaqja qysh në shirat e parë. Është zhvilluar edhe konsultë në nivel të lartë shkencor për këtë etapë dhe duhet theksuar se një handikap ligjor ka shkaktuar këtë dëm të madh për parkun tonë dhe për vlerat që mbart ky park. Është braktisur totalisht konservimi që do të thotë ruajtja e sipërfaqes së gërmimeve dhe nuk është mirëmbajtur asnjë nga amforat e zbuluara". Drejtori shpjegon se shekullin e III para erës sonë, kohë në të cilën datojnë objektet e zbuluara së fundi, banorët e atëhershëm kanë përforcuar një mur me amfora, për t‘u mbrojtur nga përmbytjet, ndërsa sot, pas gërmimeve të para, pikërisht mbrojtja e shekujve më parë është rrëzuar nga arkeologët. Specialistë të ekipit të ardhur nga Tirana për të inspektuar dëmtimet në park kanë vënë në dispozicion legjislacionin që mbron këto dëmtime, duke pohuar se në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore, si dhe Konventën Evropiane, të cilën e ka nënshkruar edhe Shqipëria, parashikohet konservim dhe ruajtje e të gjitha objekteve të zbuluara.

Ekspedita la punën në mes

Një ekspeditë arkeologjike shqiptaro-gjermane u detyrua nga autoritetet e Parkut Arkeologjik të Apolonisë të braktiste punimet në fund të muajit tetor. Drejtori i Parkut thotë se arkeologët e kësaj ekspedite devijuan planin e gërmimeve dhe dëmtuan rëndë një nga muret që mbronte qytetin nga përmbytjet

Zbulimet

Fakte për shkëmbimet e ilirëve

Ekspedita gjermano-shqiptare, e cila gërmoi për një muaj në një pjesë të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, mundi të zbulonte 2100 amfora, të cilat i përkisnin shekullit II dhe III para erës sonë. Arkeologët thonë se një pjesë e këtyre amforave i përkasin zonës së Italisë së Jugut dhe pjesës së Mesme të saj, ndërsa pjesa tjetër, Korinthit të Greqisë. Sipas specialistëve, këto zbulime vërtetojnë ekzistencën në kohë të hershme të marrëdhënieve tregtare midis Ilirisë, Greqisë dhe Italisë. Amforat ishin pjesë e një muri portik, që u zbulua në tetor nga ekspedita shqiptaro-gjermane. Ky mur ka mundësuar ruajtjen nga përmbytja të amfiteatrit të qytetit të Apolonisë, të bibliotekës dhe një numri të madh objektesh të tjera publike. Gërmimet e fundit kanë bërë që tashmë këto objekte të rrezikohen seriozisht nga ujërat.

Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama