Vera pa kthim e Mustafait ne rumanisht

Vera pa kthim e Mustafait në rumanisht

Shtëpia Botuese prestigjoze "Junimea", e drejtuar prej një nga personaliteteve më të mëdha të letërsisë moderne rumune, Cezar Ivanescu-t, boton kësisoj romanin e dytë nga letërsia shqipe, pas romanit "Pallati i ëndrrave" të Ismail Kadaresë në vitin 2001. Romani është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu, dhe redaktore është Simona Modreanu. Botimi i këtij romani vijon menjëherë pas botimit në rumanisht të novelës "E madhe është gjëma e mëkatit" të Mitrush Kutelit, nga Shtëpia Botuese "Privirea" me përkthim po nga Luan Topçiu.

Romani i shkruar sipas "teknologjisë" së ëndrrës përbën një formë shprehjeje artistike tejet inteligjente, që i siguron thellësi domethënieve ndërtekstuale, krijon simbole që priren drejt universalitetit. Nga ana tjetër, "Verë pa kthim" ndërtohet mbi një shtrat mitik ballkanik, ku mund të dallojmë tre nyjeve semantike kryesore: atë të kthimit (Odiseja, Konstandini, Ymer Aga etj), në një paralele të kthimit të të vdekurit (Kostandin-Gori), atë të mbajtjes së fjalës së dhënë (Konstandini dhe Doruntina, Ymer Aga) dhe atë të pritjes (Sana-Penelopa). Autori nuk sjell simbolet e mitit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dëshmon gjallërinë e skemës mitike në bashkëkohësi. Vegimi i romancierit ndërtohet sipas kësaj formule ku bashkëjetojnë miti, ëndrra, realiteti. Ëndrra gjeneron mitin dhe miti gjeneron ëndrrën, për te mbërritur në një realitet ku pritja kthehet në absurd, e kthimi në një iluzion. Ëndrra e Besnik Mustafajt në romanin "Verë pa kthim" është e kontrolluar dhe i qëndron besnik skemës mitike ballkanike. Autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe kanë sonduar në mitologji nga perspektiva e bashkëkohësisë, duke i dhënë kësaj letërsie përmasa moderne. Përkthimi dhe botimi i këtij romani në rumanisht e bën më të pranishme prozën cilësore shqipe në këtë hapësirë kulturore, duke realizuar njohjen, komunikimin dhe dialogun midis dy kulturave tona.

Marre nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama