A mund të jetojë një grua vetëm për mbrëmjen? Për ato orë kur ajo malësorja e Migjenit jeton mes luhatjeve të zemrës dhe trupit të mashkullit? Çfarë ka ndryshuar kaq vite pasi poeti imcak e shkroi këtë histori? Një orvatje në të shkuarën për t‘i dhënë kuptim të tashmes. Ky ishte pak a shumë koncepti regjisorial i regjisorit Enton Kaca në veprën "Udhëtimet e Lizës" shfaqur në skenën e Teatrit Kombëtar në kuadër të festivalit të regjisorëve të rinj. Një shfaqje e ndërtuar me copëza historish të shkëputura nga "Qershizat", "Puthja e Cubit" nga Migjeni, "Vjeshta e Xheladin Beut" nga Mitrush Kuteli dhe "Kënga" dhe "Viti i mbrapshtë" i Ismail Kadaresë. Një orvatje për të gjetur shkakun e asaj çfarë është ende prezente në ditët e sotme, dhunën dhe jo vetëm atë mashkullore. Një pjesë teatrale e ndërtuar mbi krijimet e autorëve më të njohur të letërsisë sonë, si për të na treguar se kaq vite pasi këto pjesë janë shkruar, ne ndiejmë pothuajse të njëjtën trysni në realitetin tonë dhe pse në forma të ndryshme.
Regjisori Enton Kaca rrëfen se kjo shfaqje ka lindur në sajë të një shqetësimi të vazhdueshëm që ai ndiente ndaj asaj çfarë ndodh sot. "Mua më ka shqetësuar jashtë mase periudha pas vitit 2006, për sa i përket situatës sociale ku ndodhet sot Shqipëria, varfëria, krimi, situata shumë të ndërlikuara qoftë ekonomike, qoftë sociale, rrugë që nuk kanë asnjë lloj zgjedhjeje", thotë ai. Jo pa qëllim ai ka zgjedhur "Qershizat" një pjesë që rrëfen për një grua me barrë, e cila është e uritur dhe kërkon të hajë disa qershi, por një grua e vjetër nuk e lejon t‘i hajë ato.
Ajo e lind fëmijën nën urrejtje dhe vuajtje dhe jo pa qëllim Migjeni pyet se "Po ky njeri çdo të bëhet?".
Do të bëhet Cub, një njeri me predispozita për t‘u kthyer në kriminel, i cili gjithnjë nuk do të mundohet të gjejë përgjigje pyetjes se përse vuan dhe pse bota është kaq e padrejtë. Për Kacën, krimi nuk është një element që vjen nga fakti se ne shqiptarët jemi gjakësorë apo se ne na pëlqen dhuna. Janë shkaqet e vjetra sociale, realitet ku lindin këta njerëz që i prodhojnë ato. Asgjë nuk vjen rastësisht dhe rritet në një moment. Po të shkojmë pak më tej diku në periferinë e kryeqytetit tonë ose në fshatrat e largët të vendit do të shohim se realitetet atje nuk përkojnë me ato realitete që shohim çdo ditë në ekranet tona. Bota jashtë qendrës është gjithnjë e më e vogël, gjithnjë e më e fokusuar drejt problemeve sociale ende larg zgjedhjes.
Gati 100 vjet pasi Migjeni ka shkruar për këto situata, ato mund t‘i gjejmë ende në ditët tona. Për Kacën, kjo pjesë teatrale është një mënyrë reflektimi që ai bën në mënyrën e tij si regjisor ndaj problemeve me të cilat përballet shoqëria ku ai jeton.
Në fund të fundit, teatri nuk mund të jetë i shkëputur nga realiteti, pasi të gjithë duam të shkojmë në teatër për të parë një pjesë të jetës sonë, kjo është ajo çfarë Kaca, ky djalosh që ka vetëm një vit që ka dalë nga skena e fakultetit kërkon të provokojë me teatrin e tij, të vërtetën, sado e trishtueshme të jetë ajo. "U bazuam te një përrallë dhe pikërisht te "Liza në botën e çudirave", por këtë radhë nuk kemi të bëjmë më me një përrallë, por me ngjarje reale të jetuara. Bota e çudirave ku ne jetojmë po ofron ditë për ditë ngjarje të dhimbshme, gati-gati ireale, të pabesueshme", thotë Kaca.
Vlen të theksohet dhe loja e aktorëve në këtë shfaqje. Adelina Muça, Enson Mula, Esmeralda Metka, Loredana Gjeçi, Orjon Halili, Rovena Lule sollën një teatër të gjallë, duke të çuar vite më pas, duke të bërë t‘i besoje dhe t‘i ndieje ato histori.
"Udhëtimet e Lizës" u shfaq në kuadër të festivalit të regjisorëve të rinj që po mbahet këto ditë në skenën e Teatrit Kombëtar. Një festival i nisur tre vjet më parë është dhe e vetmja alternativë reale e cila u jepet regjisorëve të rinj të diplomuar në Akademinë e Arteve. Po përtej kësaj alternative, festivali me pjesët që ofron ngjall dhe debatin mbi atë çfarë përfaqëson teatri ynë sot. Ndryshe nga skena klasike e shfaqjeve që jemi mësuar të shohim në Teatrin Kombëtar ato çfarë ofrohen nga këta regjisorë të rinj në skenë, është një mënyrë për ta parë ndryshe teatrin, një mënyrë për të kuptuar se ato çfarë na mungojnë teksa duartrokasim thjesht për inerci në shfaqjet që kemi parë për një vit rresht në skenën e teatrit tonë nacional, mund t‘i gjejmë në këto net pa shumë spektatorë të këtij festivali. Ky edicion po tregon se alternativat dhe mundësitë për një teatër ndryshe nuk mungojnë, por ngre dhe pyetjen se përse nuk i kemi prezent në teatrin tonë një teatër të tillë?
Në një tryezë debat që u zhvillua dje për të mbi shfaqjet që janë ngjitur deri tani në skenën e festivalit, regjisorë dhe aktorë të rinj, por dhe përfaqësues tashmë të vjetër të teatrit u munduan të argumentojnë në mënyrat e tyre se është politika teatrore ajo që pengon teatrin alternativ. U thanë të njëjtat fjali se nuk ka buxhet për të përkrahur të rinjtë dhe se projektet që ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar janë të limituara dhe këto projekte nuk mund t‘i rrezikojnë me eksperimente.
Por si do të jetë e ardhmja e këtyre regjisorëve që shfaqen me aq pasion për teatrin dhe aq të vërtetë në të vetmen mundësi që u jepet këtë festival?
Të ndërgjegjësuar për gjendjen në të cilën ndodhet jeta teatrale në Shqipëri dhe për mundësitë e pakta që mund t‘i ofrohen nga i vetmi institucion teatror, që në fund të fundit edhe nëse do të kishte më shumë kapacitete nuk do të kishte mundësi t‘u jepte hapësirë të gjithë regjisorëve të rinj, Kaca mendon se ka ardhur koha që çdo artist i ri duhet t‘i gjejë vetë format për t‘u rritur profesionalisht për t‘u promovuar.
"Situata është shumë individuale, secili duhet ta zgjedhë vetë këtë punë. Unë nuk kam pritur që Teatri Kombëtar të jetë promotor i punës sime në këtë profesion. Unë në këtë 1 vit kam bërë 6 shfaqje, kam punuar me një trupë italiane në Leçe kam punuar si aktor, por kam bërë dhe asistent-regjisorin dhe aktorin 6 herë. Në një vit 8 shfaqje nuk janë pak", thotë ai. Të njëjtën gjë ka bërë dhe regjisorja Rovena Lule. Kaca tregon se ata janë bërë një grupim artistësh, të cilët punojnë bashkë nën moton "Teatri i ri". Është një mënyrë që ata kanë gjetur për të mos e lënë veten në këtë hapësirë boshe që të ofron jeta teatrore në vend. Për të mos rënë pre e pesimizmit apo gjendjes se këtu nuk mund të ndryshojë asgjë. Ata nuk kanë kohë për të humbur derisa gjendja në Shqipëri të ndryshojë, derisa Ministria e Kulturës ta kuptojë se ashtu siç investohet në sektorë si turizmi, teatri është thembra e Akilit në kulturën e një populli. Dhe se një teatër që ka jetuar gati gjysmëshekulli nën censurë ka më shumë se çdo sektor tjetër i artit nevojën për mbështetjen buxhetore.
Në fakt, këta të rinj e pranojnë se skema në të cilën funksion teatri sot ka shumë për të dëshiruar. Janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, duke u nisur se si miratohen projektet në Teatrin Kombëtar, apo cilët janë këta njerëz që i vënë vulën artit... Por për sa kohë teatri komandohet nga politika është e kotë të kërkosh përgjigje në pyetje që gjithnjë do të mbeten pa një të tillë.
Dhe për sa kohë që nuk kemi ende një strukturë e cila më shumë se çdo sektori tjetër do t‘u jepte hapësirë të rinjve, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të dëgjojmë fjali të tilla nga regjisorët e rinj se "Pas katër vitesh që kam mbaruar shkollën, kjo është pjesa e parë që unë vë në skenë". Të mos vësh instinktet e tua si artist për katër vjet rresht në skenë, do të thotë në një farë mënyre t‘i lësh të vdesin ato.
Eshtë koha kur ky festival të mos shihet thjesht si një garë e zakonshme ku në fund do të ndahen dhe tre çmime. Por si një mundësi për të zhvilluar më tepër këto fryte që dhjetë vjet më pas do të bëjnë të mundur që teatri shqiptar të mund të prezantohet denjësisht në skenat e teatrove më të njohura të botës, çka ka munguar këto vite. Apo do të ndryshojnë mendimin tonë për teatrin, të na bëjnë të shkojmë më shpesh në të.
Marre nga : Gazeta Shqip











