“Shen Pali solli Krishtin ne trojet shqiptare”

“Shën Pali solli Krishtin në trojet shqiptare”

Shën Pali ka udhëtuar në trojet shqiptare. Ka ndaluar në Durrës dhe në zonat mbi Mat. Thanas Gjika mbron tezën se krishtërimi në Iliri është përhapur nga goja e vet apostujve të Krishtit. Historiani i letërsisë i ka kushtuar një libër të tërë studimit të kësaj teze. Sipas tij, trojet shqiptare duhet të jenë patjetër në hartën që Vatikani ka hartuar për udhëtimin e apostullit Pal. Deri më sot kjo gjë është përjashtuar. Gjika, i cili prej më shumë se 10 vjetësh jeton në Amerikë ka promovuar dje librin "Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re". Me studimet e tij mbi letrat e apostullit dhe shënimet biblike, ai shprehet se ka fakte të pakundërshtueshme që apostulli Pal, i cili ka përhapur krishtërimin në shek I pas Krishtit ka qëndruar në trojet shqiptare.

Në një libër të plotë ju ngrini tezën se Shën Pali ka udhëtuar në brigjet e Adriatikut. Mbi ç'argumente e mbështesni tezën?
Në fund të biblave të botuara pas vitit 1845 e këtej ka një hartë ku tregohen udhëtimet e Shën Palit, vendet ku apostulli përhapi krishtërimin. Në këto harta nuk tregohen trojet shqiptare. Deri më sot herë pas here nga shumë historianë është thënë se Shën Pali duhet të ketë qenë në Durrës. Duke lexuar letrat e tij, dokumente të ndryshe dhe shënime biblike vërtetova se disa fjali të tij nuk mund të shpjegohen nëse nuk interpretohet drejt teksti dhe nëse nuk lidhen me udhëtimin e tij në Ilirikun e Jugut (zonat mbi Mat, Lezhë dhe Durrës). Mjafton të përmendim një rast. Në një letër të apostullit për romakët shkruhet: "Atyre nga Maqedonia dhe Greqia u vajti në mendje të mbledhin ndihma për të varfrit e Jeruzalemit". Po qe se ai do të ndodhej në Maqedoni në kohën kur shkruante do të thoshte "këtyre nga Maqedonia dhe atyre nga Greqia". Po ashtu, po të ishte në Greqi. Kjo tregon se ai shkruan nga një vend jashtë Greqisë dhe Maqedonisë. Ky vend ka qenë Durrësi, që ishte port ilir i varur direkt nga Senati i Romës dhe ishte i pavarur nga pjesa tjetër e Maqedonisë. Gjithashtu, në letrat e tij ai flet edhe për nxënësit. Përmend se "dërgova Titin në Dalmaci", por ai në asnjë letër nuk tregon se ka dërguar nxënës në vende ku nuk ka qenë vetë më përpara. Prandaj ai patjetër që ka qenë në Shqipëri, në territoret e mbi Matit.

Ju e mbështesni tezën vetëm në këto lexime gjuhësore?
Si historian letërsie unë arrij konkluzione përmes interpretimit të vet tekstit biblik dhe shënimet në të. Por fakti që Shqipëria është vendi që ka respektin më të madh për Shën Palin dhe jemi i vetmi vend që kemi kisha, legjenda dhe emra vendesh për të është një tjetër argument. Një krahinë si ajo pas malit të Dajtit me 14 fshatra nuk mund të ndryshonte emrin në Shu Pal, nëse aty nuk është njohur apostulli. Ai ka predikuar aty, bëri mrekulli dhe shkoi më tej në Mirditë, në Kabash ku ka manastire të vjetra. Apostulli i bënte predikimet në greqisht dhe fakti që ai shkruan se: "U jam mirënjohës dhe grekëve dhe barbarëve" (shqiptarët quheshin barbarë pasi nuk dinin greqisht) tregon se ka qenë në këto zona ilire ku dikush i ka shërbyer për përkthim. Të dhënat kryesore janë të vet Shën Palit, por janë keqkuptuar ose nuk janë kuptuar më parë.

Atëherë pse janë përjashtuar këto troje nga harta?
Fatkeqësia ka qenë se pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Vatikani nuk mundi të fuste studiuesit e vet për të bërë studime të mëtejshme. U vendos sikur apostulli i parë nuk ka qenë në brigjet e Adriatikut, por nga Selaniku ka shkuar në Korint dhe është kthyer mbrapsht gjatë udhëtimit të tij të tretë.

Si e shpjegoni faktin që mes letrave të Shën Palit nuk gjendet një që t'u jetë drejtuar ilirëve?
Apostullit Pal i kanë humbur disa letra, të tjera i janë bashkuar si një letër e vetme. Ka qenë zakon i tij që para se të vinte në një qytet të dërgonte një letër për të përgatitur vajtjen, të mblidhte ndihma, por edhe të jepte këshilla. Kur ai kthehet nga udhëtimi i katërt, përputhen të gjitha nevojat dhe mundësitë që të ketë pasur një letër për durrsakët. Por mbledhja e këtyre letrave ndodhi në vitin 95 të shek I pas Krishtit, 30 vjet nga koha kur ai i shkroi(nga viti 50 deri në 64 kur vdiq). Letrat janë mbajtur nëpër kisha. Njeriu që u interesua për mbledhjen e tyre ishte Onesimi, një ish-skllav, i cili mundi të bëjë mbledhjen e letrave që ishin afër si në Korint, Efes, Selanik, kurse Durrësi ishte shumë larg komunikimit. Letra ose është neglizhuar, ose ka humbur. Banorët shqipfolës të zonës mund të mos kenë treguar interes ndaj kësaj letre të shkruar në greqisht dhe ka mundësi që pergamenat të jenë dëmtuar në mungesë të arkivave. Romakët i përndiqnin dhe ishte e vështirë për t'i ruajtur letrat. Roma i digjte ata që kapte.

Çfarë tregon fakti që Shën Pali ka udhëtuar në tokat e asaj kohe?
Kjo tezë tregon kulturën e krishterë të përvetësuar nga shqiptarët. Ata nxorën njerëz të shquar në krishtërim. Kemi Shën Astin që pati një vdekje tragjike nga ushtarakët romakë, Shën Jeronimin, i pari që përktheu biblën në latinisht dhe shumë të tjerë. Ne kemi qenë një popull i kulturuar, kristian, por rrethanat e rënda historike na kanë bërë që të ndryshojmë besimet fetare apo të quhemi dhe ateistë.

Kujt botime i jeni referuar?
Biblave të botuara që nga 1840 dhe kryesisht në anglisht. Aty fillojnë shënimet, të cilat i komentoj dhe korrigjoj për problemin ku dhe kur janë shkruar gjithë letrat, ungjijtë të përmbledhura në Dhiatën e Re.

Ka pasur reagime për këtë tezë?
Në fillim profesorët amerikanë nuk e pranonin. Unë nuk shkruaj dot anglisht, vetëm lexoj dhe flas. Bëra një përmbledhje me 33 faqe për rezultatet kryesore, ma përktheu vajza dhe e paraqita te disa profesorë. Pastaj më uruan dhe më paguan dhe shpenzimet e botimit të librit. Ata nuk lëshojnë nëse nuk ka rezultat shkencor.

Do botohet në anglisht?
Patjetër. Pas sugjerimeve që do marr këtu, do të përpiqem ta ripunoj dhe ta bëj një variant më të ngjeshur e më komod për t'u lexuar


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama