Jetonin në një realitet që dhe ëndrrat i detyronte të ishin bardh e zi, kurse ngjyrat që prisnin telajot ndodheshin nga Parku i Liqenit, aty ku dhe dashuritë i ngjanin gjetheve që nuk prisnin as vjeshtën që të binin me trishtim, të përfundonin përdhe duke u shndërrar në humus për kujtimet. Enton Panariti u nis në Shtetet e Bashkuara tetë vite më parë, pikërisht me kujtimet e tij dhe me ngjyrat që dielli mesdhetar i Shqipërisë i kishte dhënë me vete, në një miks të pashmangshëm me kobaltin e perëndimeve të papërsëritshme të Tiranës, gotën e varfër të konjakut vendas, siluetën e Dajtit apo dhe detin dhjetra kilometra më tej.
Në fakt e gjithë jeta e Entonit kishte qenë një garë me fatin dhe me kokfortësinë e një sistemi. Edhe pse e konsideronin nga piktorët më të talentuar të brezit të tij, dyert e Akademisë së Arteve do të hapeshin me vonesë për të, vetëm atëherë kur talenti i tij ndodhi t´i shpërthejë me shkelma ato dyer të rënda. Në maj 1999 ekspozon në bienalen e të rinjve në Berlin, por vazhdon të pikturojë pa pushim, në ndërkohët e përpjekjeve të pafundme për mbijetesë në tokën e huaj. Në dy gjinitë e tij të preferuara: në grafikë ku përtej vizave të errëta dhe nervoze dallohej qartazi një mendim filozofik dhe në lojën e ngjyrave që të përthyera nga jashtë në brendësinë e tij, rikrijoheshin në dritë hije fantastike, njëlloj si të ardhura nga botë fantastike. Nga botë më të mira dhe si një përpjekje e dëshpëruar për t´i dhënë më shumë mirësi kësaj bote.
Në shtator, Enton Panariti hap ekspozitën e tij të parë në Agora Galery, New York, në Shtetet e Bashkuara. Një ekspozitë që u prit me interes dhe me habi. Dhe me kërkesën që kjo habi të vazhdojë dhe më tej me ftesat për të rihapur ekspozita edhe më pas me vepra të reja. Takohet me koleksionistë të njohur, shpjegon nga vjen dhe u tregon se rrënjët e tij vijnë nga Mesdheu, tregon dhe se në atë ekspozitë ka rrëfyer vetëm një çast të ngrirë të jetës së tij shqiptaro-amerikane. Një jetë të mbërthyer në telajo dhe me telajo të mbërthyera në mure me makthin e artistit që jeton njëherazi shumë jetë paralele, atë të përditshmen mes rritjes së fëmijëve e zjarrit të Krishtlindjeve në familje dhe atë fantastiken e ëndrrave që mbas realizimit, ndiqen nga të tjera ëndrra.
Një nga punimet e tij më të spikatura, pjesë e një variacioni të gjerë grafikash me të njëjtën temë, është dhe grafika pa emër që tregon një dem të tërbuar që penetron një femër. “Nuk mund të jap një shpjegim për të dhe nuk dua ta shpjegoj. Mund ta mendoni si të doni, sepse kam thellë – thellë një bindje se të gjithë e kemi përjetuar atë ndjesi dhembjeje, kur bëhemi dëshmitarë të dhunimit të ëndrrës sonë nga të tjerët. Kur në këtë botë brutaliteti dhe arroganca kanë më shumë vlerë se vlera vetë”, thotë Entoni. Sipas të cilit kryqi i të gjithëve ndjek nga pas në heshtje gjithkënd, në kërkim të gozhdës së rradhës që do të përdoret dhe për kapakun e arkivolit. Në atë udhëtim të fundëm që e kemi borxh të gjithë për ta kryer. Një kryq që na ndjek pas si dhe trashëgimia që marrim të gjithë nga atdheu.
Grafika tjetër, gjithashtu nga më të debatuarat, është ajo që paraqet një siluetë njerëzore mbas shpinës të së cilës dalin dy kokat e shqiponjës. Dhe flatrat. Që e bëjnë atë siluetë të ngjajë edhe si ëngjëll, edhe si një krijesë të gatshme për t´u flijuar për hir të urisë së dy kokave të shpendit që ndodhet në flamurin shqiptar. “Jetoj dhe dua të jetoj në mes të dy skajeve të një ure imagjinare që shtrihet nga dy anët e Atlantikut. Këtej kam varrin ende të hapur të fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë sime, kam varret e njerëzve të dashur dhe mbasditet e Tiranës, andej kam një hapësirë të gjerë përpara shtëpisë që duhet ta pastroj nga dëbora çdo ditë dhe mëngjezet e vrapit me ritëm amerikan”, thotë Entoni.
Që njëlloj si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, njëlloj si shqiponja në flamur, Entoni jeton mes dy botëve, jeton mes të shkuarës dhe të ardhmes, ndërsa mbush me ngjyra fantastike telajot e tij. Me ato ngjyra që mund t´i marrësh borxh vetëm nga fëmijëria. Edhe atëherë kur ajo është vetëm hapi i parë nga një kthinë e ngushtë jetësore që kufizohej me Galerinë e Arteve e Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në një botë të madhe të përtej Atlantikut.
Lorenc Vangjeli : Revista Mapo











