"Nuk ka njohur famën televizive, por nuk ka asgjë për t'u patur zili kolegëve të tij që kanë mbërritur majat e famës. Janë të pakursyera lëvdatat për Hektor Budllën, i cili prej disa vitesh është një ndër balerinët e parë të trupës së Balletto di Roma, një ndër trupat më të rëndësishme të baletit italian. Në Romeon dhe Xhulietën me protagonist Kledi Kadiun, Budlla luante Tebaldin, një rol që e ka mbuluar edhe në edicionin ku protagonist ishte Raffaele Paganini. "Por mbi të gjithë spikat madhështori Tebaldo i shqiptarit Hektor Budlla" shkruan Il Messaggero i atyre kohëve.
Kritikët e artit kanë kohë që kanë vënë në dukje aftësitë interpretative të Budllës. Në "Arrethyesi" të Çajkovskit, Budlla me rolin e Princit veçohet nga kritika si ai që "rri mbi të tjerët për aftësinë teknike dhe shprehëse." Ndërsa për rolin e Sanços në "Don Kishoti", kritika e ngre Budllën praktikisht në qiell duke e cilësuar interpretimin e tij "të paharrueshëm".
Budlla nuk është i vetmi shqiptar në Balletto di Roma. Për disa vite rresht krah tij ka qenë balerin solist edhe Leart Duraku ndërsa tani, përveç Budllës, pjesë e kompanisë është edhe Bernard Shehu.
Hektori e zbuloi baletin ndërsa kërcente me të ëmën në një dasmë shqiptare, ku dikush i mahnitur nga hirësia e valles së këtij vogëlushi i tha të regjistrohej në shkollën e Baletit. Kështu Hektori Budlla u regjistrua në shkollën prestigjioze të Tiranës dhe prej andej nisi rrugëtimi i tij i shkëlqyer në botën e artit. Nuk është bij arti, talenti i tij është diçka e lindur, tejet natyrale. Djaloshi nga Tirana kaloi adoleshencën në disiplinën e hekurt të shkollës së baletit, ashtu siç ajo ishte gjatë viteve '90, pa xhama nëpër dritare, pa sistem ngrohjeje, në një Shqipëri të zymtë prej nga gjithë të rinjtë ëndërronin të largoheshin. Edhe nga kjo shkollë që është pa dyshim një kartëvizitë prestigjioze e Shqipërisë në botë, që nga vitet '90 filloi një derdhje masive e trurit përtej kufijve shqiptarë. Por 8 vjetët me ditë të njëllojta që fillonin dhe mbaronin me balet në shkollë, i vlejtën Budllës për një karrierë të shkëlqyer që në moshë fare të re. Pasi mbaroi shkollën, 18-vjeçarit i rrinte ngushtë Tirana me baletin e saj të papërditësuar dhe vendosi të vazhdonte formimin e tij në Itali, por nuk është nga ata balerinët "hirushë" që kanë aq qejf gazetat italiane për tu ngjitur titujt "nga klandestin në star baleti", Budlla la Tiranën për tu përmirësuar, me një bursë për të studiuar balet në DAMS-in e Bolonjës, thjesht për të mësuar atë balet bashkëkohor që ende në Tiranë nuk është ngjizur. Por duket se ka qenë i nevojshëm vetëm një kurs 6-mujor në një shkollë tjetër për të rikuperuar mangësitë e Tiranës dhe për ta katapultuar balerinin që atëherë ishte vetëm 18 vjeç menjëherë në skenat më prestigjioze italiane. Që atëherë 25-vjeçari shqiptar vazhdon të punojë në një nga kompanitë më në zë të Italisë "Balletto di Roma" ku gjithmonë ka pasur role kryesore në kryeveprat e baletit botëror. Ka sfiduar moshën e tij të re jo vetëm nëpër veprimtarinë tejet të ngjeshur të kompanisë, por edhe në role të tjera për teatro dhe kompani po aq prestigjioze ku ka marrë pjesë si balerin i ftuar, privilegj ky i rezervuar vetëm për balerinët e mirëafirmuar ku ka kërcyer krahas yjeve më të shndwritshme të baletit të sotëm evropian, krahas atyre që ai me sinqeritet thotë se shkonte t'u kërkonte autografe.
Ç'e shtyn një balerin të largohet nga Shqipëria për të ardhur në Itali?
Fillimisht isha shumë pesimist se ishte shumë e lodhshme. Në fillim baleti është shumë i mërzitshëm, pastaj kur fillon të kërcesh të bësh shfaqje, të pëlqen më shumë. Mundësia e vetme për punë ka qenë vetëm teatri i operës, po aty, ata që kanë qenë më të mirë kanë ikur jashtë shtetit. TOB-i bën në vit vetëm katër shfaqje dhe bëhët garë kush të kërcejë më para, por balerini përmirësohet vetëm dukë kërcyer, kështu demoralizohesh. Dhebalerinëve u takon tëkërcejnë shumë pak. Kështu kam vazhduar shkollën me idenë se do të ikja nga Shqipëria. Bëmë dokumentet për studime në Itali dhe zgjodhëm një degë në DAMS-in e Bolonjës. Me ta mbaruar gjetëm menjëherë punë, sepse gjatë kursit vinin mësues që na vëzhgonin dhe na thanë që të bënim një provim tek Baleti i Romës (Balletto di Roma) ne shkuam dhe atje filloi gjithçka. Filluam punë që 19 vjeç. Kam bërë gjithçka në rrugë ligjore, as me gomone, as me not, vetëm se ia hodha pak sistemit sepse shkova për të studiuar tek DAMS-i dhe pastaj fillova të punoja. Që në baletin e parë që bëmë unë dhe Learti, shoku im i ngushtë më të cilin u nisa nga Tirana, na dhanë role të rëndësishme. Pastaj vumë Don Kishotin ku bëja Sanço Pançon ndërsa don Kishotin e bënte Andrea Roche. Kështu kërceja shumë, bënim 180 spektakle që në vitin e parë dhe kritika e priti shumë mirë dhe që aty filluan të besojnë tek mua. Pastaj bëmë "Hirushen" me Monteverden dhe aty bëja princin, roli më pak i rëndësishëm që kam pasur deri tani ka qenë Tebaldi.
Si është të jesh shqiptar brenda një kompanie kaq me emër?
Mirë, them mirë sepse nuk kam pasur ndonjëherë probleme me asnjë, më respektojnë, tani s'e di nëse shtiren, po nuk kam pasur kurrë probleme sepse jam shqiptar. E vetmja frikë që kam pasur ishte së isha i ri, kisha frikë se do më thonin, ky është i ri, nuk ka përvojë pse t'i japësh gjithë këto role të rëndësishme? Por as në këtë drejtim nuk pata probleme. Kompania përbëhet nga 16 veta dhe përbërja etnike është italianë dhe shqiptarë, jemi tre shqiptarë dhe tani mund të bëhemi 4 sepse jemi duke tërhequr një tjetër nga Shqipëria, që është shumë i aftë ka bërë dokumentet për studime, e kanë pëlqyer në kompani dhe do të fillojë të punojë aty.
Ka interes nga "Balletto di Roma" për të tërhequr balerinë drejtpërdrejt nga Shqipëria?
Unë shkoj i shikoj elementët e mirë për t'i ndihmuar, sepse ështëpër të ardhur keq që rrinë në Shqipëri, në atë teatrin e vetëm të Operas dhe Baletit, ku pak u bie radha të kërcejnë dhe ku demoralizohen derisa as nuk shkojnë më në punë. Edhe shkolla ka rënë shumë nga niveli, sepse edhe mentaliteti i shqiptarëve po ndryshon, Tirana po ndryshon, fëmijët janë më të përkëdhelur se më parë, nuk kanë shumë dëshirë për të punuar, i lejojnë vetes gjithçka, edhe të tymosin në këtë shkollë. Është normale që edhe të jetë kështu por kur bëhet një shkollë e tillë, duhet marrë parasysh që i hyet një sakrifice dhe një rreziku të madh, sepse në këtë shkollë ose bëhesh balerin ose asgjë, nuk mund të bëhesh edhe mjek më pas, sepse rri në shkollë nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe përgatitësh vetëm për këtë drejtim kurse lëndët e tjera bëhen të reduktuara dhe mësuesit mbyllin një sy e një vesh sepse e dinë se nuk mund të pretendojnë gjithçka. Pastaj shumë profesorë kanë ikur, balerinët më të mirë kanë ikur jashtë shtetit, dhe për më tepër tani kanë hapur shumë shkolla private, të gjithë profesorët shkojnë në shkollë private, dhe nuk janë cilësorë, vetëm marrin paratë. Shkolla jonë funksiononte sepse ishte shtetërore dhe mësuesit ishin të sinqertë në vlerësim, nëse ishe apo nuk ishe në atë shkollë, ishin të rreptë, kërkonin që të bëheshe i aftë, për këtë them se një shkollë shtetërore funksiononte më mirë se sa një shkollë private. Njësoj është në Itali ka shumë shkolla private po pak balerinë cilësorë kanë nxjerrë. Kështu ky sistem nuk funksionon.
Je i kënaqur nga çka ke arritur në Itali?
Unë jam shumë i kënaqur për atë që kam bërë deri tani, lodhem por ka shumë sadisfaksion. Ne bëjmë 110 shfaqje nga të cilat 50-60 janë Romeo e Xhulieta, 40 Hirushe, Arrëthyesin, Bolerot, Don Kishotin etj, jemi në lëvizje në gjithë Italinë. Ndihem mirë, mundohem të ndërtoj diçka për jetën time, nuk jam i pasur por nuk jam as i varfër, përballoj vetë jetesën, nuk u kam kërkuar kurrë asgjë prindërve, për këtë jam i kënaqur dhe gjithë kjo vetëm në sajë të asaj pune që kam bërë gjatë atyre 8 vjetëve në Shqipëri. Kam bërë një shkollë kërcimi që më pëlqente dhe sot bëj një punë që më argëton, më pëlqen, e për të cilën madje edhe më paguajnë.
Ka shumë shqiptarë në botën e baletit që nuk shfaqen në ekran?
Po ka shumë. Mund të thuhet shumë mirë që një nga shkollat e artit më të rëndësishme në Shqipëri është shkolla e Baletit, ka nxjerrë shumë balerinë të mirë, shumë prej të cilëve nuk janë vetëm në Itali, vetëm nga brezi im, për sa njoh unë ka në Vjenë, ka në Amsterdam, në Munih, në Spanjë, në Amerikë, pra gjithandej. Ishte një shkollë e mirë dhe shpresoj që të rimarrë rolin e saj. Këtë vit e pashë nga jashtë dhe pashë që e kishin rikonstruktuar. Kishin vënë pasqyrat, përmirësuar ambientet. Shpresoj që të përmirësohet edhe cilësia.
Kështu ke hyrë në botën e baletit italian nëpërmjet një kompanie private, jo nëpërmjet një programi televiziv. Nuk je tunduar asnjëherë nga ideja për të marrë pjesë edhe në të tilla programe?
Jo, unë respektoj punën e të tjerëve por është krejt tjetër emocion të kërcesh për një orë e gjysmë në një teatër, në kontakt më publikun, ku asgjë s'është e sigurt se do shkojë mirë, ku të interpretosh një rol. Pastaj kur erdha unë në Itali "Amici" nuk kishte filluar akoma dhe në vitin e parë të tij nuk kishte kërcim klasik, kurse unë kisha filluar punë që më parë. Isha i marrë nga teatri nuk mund ta shihja veten në një emision të tillë, edhe për mënyrën e të punuarit, sepse utakon të kërcejnë vetëm për dy minuta.Pastaj nuk më pëlqen mënyra se si organizohet programi, kur një njeri i rëndomtë nga publiku të thotë "Ti nuk di të kërcesh", ose "ti nuk e ndien muzikën", do doja t'i thoja "Po ti çfarë pune bën?". Të gjithë kërkojnë reality-n aty, si kudo në televizionin italian tashmë, kërkojnë të grinden, ka të tjerë që ofendojnë mësuesin pa asnjë lloj ngurrimi. Çfarë shembulli mund të jepet kështu? Kështu gjithë adoleshentët që i ndjekin këto emisione do të thonë: atëherë edhe mësuesi mund të shahet, s'qenka tabù. Nuk më ka interesuar asnjëherë, as atëherë kur ishte Ambeta që ishte disi më serioz. Por ata njihen më shumë dhe kanë përmirësuar shumë imazhin e shqiptarëve. Kledi Ambeta e Iliri, kanë paraqitur balerinin shqiptar në Itali. Në Itali tani njihemi ose si kriminel ose si balerinë. Ata kanë bërë shumë sepse edhe mënyra si janë sjellë kanë dhënë një shembull të mirë me përjashtim të Klajdit që na e uli pak mesataren.
Ç'vend zë Shqipëria në jetën tënde? Sa i lidhur je me Shqipërinë?
Jam shumë patriot, kam prindërit atje, vëllain këtu dhe shkoj sa herë që mundem, por edhe sepse kam shumë miq dhe shokë. Për mua është shumë ë rëndësishme Shqipëria, më vjen keq që Shqipëria është në rritje por jo në një rritje të rëndësishme, bëjnë gjëra të mira dhe të bukura, por bëjnë edhe gjëra të shëmtuara, si për shembull të lësh teatrin e Operës në këtë gjendje. Bënë Aidën operën, shpenzuan një djall e gjysmë madje edhe ushtarët ë gardës i kanë marrë në skenë, 300 njerëz që hynin e dilnin... Nëse bëhet një shpenzim i tillë për një opera, pse të mos bëhet për baletet, ndërkohë që baleti kushton shumë herë më pak se opera, me atë sa u shpenzua për një opera mund të bëhen katër balete. Shqipëria njihet edhe për operën lirike, por ajo në të cilën shqiptarët spikasin është baleti, shqiptarët në Itali njihen edhe për balerinë të mirë. Të gjithë e imagjinojnë fantastike shkollën e baletit në Shqipëri, balerinët, mësuesit, teatrin e imagjinojnë të jashtëzakonshëm, po të shkojnë në Shqipëri do ngelen shumë të zhgënjyer. Teatri i Operës bën një balet në vit. Balerinët kanë ngelur shumë pak, paguhen pak, pastaj dalin në pension 60 vjeç. Ka akoma njerëz që janë mbi 40 vjeç dhe janë akoma në skenë, kështu të rinjtë duhet të presin derisa këta të dalin në pension. Po të funksiononte mirë unë mund të kisha ndenjur tek teatri i Operës sepse nuk është se unë po të jetoj në Shqipëri do vdes urie. Unë nuk erdha në Itali për të fituar shumë para. Erdha sepse doja të bëja mirë punën time.
Mendon se në të ardhmen do të bësh diçka për baletin shqiptar?
Si koreograf nuk do të isha shumë i mirë, nuk kam shumë fantazi, por më pëlqen të jap mësim, të merrem më fëmijët, do më pëlqente të bëhesha drejtor tek shkolla e Baletit, ta merrja unë shkollën, sepse do dija si të veproja, do dija kë të çoja atje për të bërë mësim, do të sillja njerëz nga jashtë sepse metoda "jonë" ruse është e viteve 70 dhe ka mbetur e njëjta, ndërkohë që edhe në Rusi e kanë zëvendësuar. Nuk kërcehet më. Tek ne bashkëkohorja nuk mësohet sepse nuk ka mësues, sepse mësuesit janë të gjithë shqiptarë që nuk kanë dalë ndonjëherë jashtë Shqipërisë. Kështu pas karrierës sime do të më pëlqente të kthehesha në Shqipëri dhe të bëja këtë. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëj për vendin tim, politikë s'mund të bëj edhe pse kjo do i duhej më shumë Shqipërisë. Do doja të ktheja shkollën e baletit në nivel botëror ashtu siç ishte, sepse vërtetë të tillë standard kishte.
Bisedoi për "Shqiptari i Italisë"
Marjola Rukaj : Gazeta Shekulli











