Stamboll
Orhan Pamuk është i aftë të të befasojë.
“Kësaj radhe jam i gatshëm t’iu përgjigjem edhe pyetjeve politike.”
Si kështu, Pamuk?
Sepse po shkojnë më mirë punët në Turqi, tensioni politik është çtendosur, madje edhe në kundërvëniet e mia, demokracia po përndahet dhe kjo i bën mirë vendit. Pra mundem herë pas herë të përgjigjem për çështje që shtrihen përtej kontekstit thjesht letrar.
Megjithatë ju gjithnjë keni kërkuar ta shmangni ndërlikimin politik. Është e vërtetë?
Po. E quaj veten fatlum dhe të lumtur nga suksesi që marr si shkrimtar. Kundërpesha është megjithatë një dënim. Në të vërtetë ndëshkimi im është që duhet t’iu bëj ballë shpjegimeve të nevojshme politike. Por unë jam i letrave. Jam një shërbëtor i përunjur i artit të romanit. Prapseprapë, kam si të gjithë bindjet e mia politike.
Epo atëherë ta nisim nga nyja e ndërlikuar e Turqisë, problemi i kujtesës. Ekziston një çështje kurde që pikërisht në këtë kohë kërcënon. Ju vetë keni përmendur në të shkuarën shifra nga asgjësimi armen. Çfarë kostoje paguan sot një vend si juaji që po e ka të vështirë të bëjë hesape me historinë e vetë?
Çmimi kryesor është shkelja e lirisë së fjalës. Dhe unë nuk dua që vendi im ta paguajë. Sepse kur mungon liria e shprehjes, do të thotë që mungon dinjiteti njerëzor. Dhe është pikërisht ky dinjitet që shkatërrohet. Ne duhet ta mbështesim dinjitetin tonë të fjalës tek mbrojtja e dinjitetit njerëzor.
Komisioni i jashtëm i Senatit amerikan së fundi ka njohur ekzistencën e genocidit armen. Si e pritët, ju që jeni përpjekur për këtë?
E prisja pyetjen. Mos u shqetëso, do të përgjigjem. Para së gjithash, për mua është çështje morale. Dhe është problem që i takon Turqisë. Megjithatë, për fat të keq po ndërkombëtarizohet si çështje. Unë dua t’i qasem këtij shqetësimi nga këndvështrimi i lirisë së shprehjes. Dhe kjo do të thotë që qytetarët e vendit tim do duhej të ndiheshin të lirë për të folur për këtë çështje. Nuk është e këndshme që është kthyer në kacagjelje ndërkombëtare, në vend që të jetë një çështje morale që ka të bëjë me lirinë e fjalës në Turqi. Zgjidhja do qëndronte pikërisht tek mundësia e njerëzve për të debatuar lirisht, dhe që më në fund të vështronin në brendësi të problemit.
Kur bie fjala tek dallimet kulturore mes Perëndimit dhe Lindjes, ju përmendeni shpesh si faktor bashkimi. Si do t’iu përgjigjeshit atyre që i mbajnë si eprore vlerat e kulturës oksidentale?
Jam kundër të krijuarit të një hierarkie ndër njerëz, e jo më ndër popujt. Sepse do krijohej një shoqëri e rrezikshme, dhe rrezikojmë të biem në racizëm. Për këtë arsye është shumë më mirë të flitet për hierarkinë e vlerave, por jo të qytetërimeve. Gjithë individët në tërë botën janë të barabartë. Pikë. Nëse pranojmë këtë koncept, mund të diskutojmë më pas për vlerat. Përndryshe do t’i fyenim individët e tjerë që u përkasin qytetërimeve të ndryshme.
Ç’doni të thoni?
Për shembull, për Irakun, unë nuk besoj që dhjetë apo pesëmbëdhjetë ushtarë amerikanë, britanikë apo italianë të vrarë, vlejnë më shumë se 100 apo 200 irakenë civilë të vrarë njëlloj si ata.
Doni të thoni që janë të njëjtat klishe që Europa përdor për Turqinë?
Më zemëron fakti që vendin tim e lidhin menjëherë me Islamin. E sidomos pas luftës në Irak. Ka njerëz që në këtë mënyrë e lidhin Islamin me terrorizmin dhe kamikazët. Kjo klishe e përdorur për Turqinë, apo për cilindo vend tjetër islamik, bëhet e rrezikshme për bashkëjetesën harmonike mes besimeve të ndryshme. Dhe u shërben interesave amerikane. Por vitet e fundit ka rënë tepër autoriteti i Perëndimit, sidomos pas ndërhyrjes së George W. Bush në Irak. Është për faj edhe të vendeve evropiane që iu bashkuan luftës.
Ju keni studiuar gazetari. Vini re edhe një përgjegjësi të medias?
Unë jam shkrimtar, dhe nganjëherë mendoj që nuk jam paraqitur mirë në gazeta, edhe pse kjo është qarje tipike e intelektualëve. Përgjithësisht mediat nuk janë të interesuara për të hyrë në hollësitë e faktit. E shoh në Turqi. Gazetarët ndalen tek klishetë për Islamin. Ose, i përshkruajnë islamikët në qeveri si të këqinj, dhe laikët si të mirë. Po nuk është kështu! Në Turqi kemi laikë që janë fashistë të së djathtës, dhe islamikë që janë të frymës liberale siç janë demokratët në Evropë. Megjithatë klishetë shesin, përbëjnë lajm. Nuk do shkoja më tej, nuk e kam ushtruar kurrë zanatin dhe madje nuk kam as diplomën e gazetarit.
Në Europë, disa nga këto partitë demokratike që ju përmendët janë të shqetësuara për hyrjen e Turqisë për humbjen e identiteti të krishterë të kontinentit. Çfarë mendoni?
Që nacionalistët turq do të ishin të lumtur për t’iu përgjigjur këtij komenti. Unë besoj që turqit nuk kanë nevojë për fenë tuaj. Iu leverdis që të hyjnë për çështje që lidhen me ekonominë. Dhe do duhej që Evropa të përdorte më tepër për Turqinë konceptet e saj të “libertè, egalitè, fraternitè” (të lirisë, barazisë, vëllazërisë).
Turqit nuk janë përzierë vetëm me Evropën dhe Mesdheun, po edhe me Kaukazin dhe Lindjen e Mesme. Me kë thoni ngjajnë më shumë?
Po, Turqia është përzierje arabësh, persësh, evropianësh, ballkanasish, mesdhetarësh. Por unë e quaj veten thjesht turk. Jam krenar, është një kombinim i gjithë këtyre faktorëve së bashku. Dhe jam krenar të them që jam produkt i Republikës së lindur më 1923. Jam laik dhe njeri i pavarur. Nuk bëj gjë tjetër në romanet e mi, veçse fus së bashku gjithë këta përbërës, duke u dhënë ndikimeve të ndryshme një shtëpi të përbashkët.
Liria është angazhim.
Në të shkuarën ju keni përligjur vetminë dhe kënaqësinë që të kyçeshit për të shkruar. Dhe në të njëjtën kohë jeni një autor shumë i përfshirë në botën. Si ia dilni që ta mbroni lirinë tuaj krijuese?
Shiko, është e qartë që edhe unë kam pasur vështirësi, frikëra, presione, shumë mjerime, gjëra të zakonshme në jetën politike turke. Prapëseprapë më duhet të theksoj që jam një individ që as ka të bëjë me politikën. Dëshiroj të jem vetvetja. Le të themi se jam një njeri i letërsisë që padashur ka rënë në politikë.
Botuar në “La Repubblica”
E. D. : Gazeta Shekulli











