Greqia per Oskar me portretin e nje shqiptari

Greqia për Oskar me portretin e një shqiptari

Gjithë vendet që në një vit kanë një produkt të mirë kinematografik, janë nënshkruar në listën parazgjedhore të nominimevepër Oskar. Janë 63 vende dhe kjo quhet shifër rekord nga Akademia Amerikane e çmimit prestigjioz, e cila veç garës së madhe për filmin amerikan, jep dhe çmimin për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Për këtë edicion jubilar, i tetëdhjeti, pothuajse gjithë fqinjët tanë kanë hyrë në listën paraprake. Për shembull Italia me "I panjohuri" i Xhuzepe Tornatores, Rumani me "4 muaj, 3 javë dhe 2 ditë" i Cristian Mungiu, fitues i "Palmës së Artë" në Kanë, Serbia me "Gracka" i regjisorit Srdan Golubovic, Bosnnjë-Herzegovina me "Vështirë të jesh i bukur" i Srdan Vuletic, Bullgaria me "Kujdestari i të vdekurit" i Ilian Simeonov, Maqedonia me "Hijet" e Milcho Manchevski, regjisori i nominuar për Oskar në vitin 1994 me filmin "Përpara shiut". Nuk është me dëshirë regjistrimi në listën "Oskar". E pakta që këta filma duhet të kenë arritur është një çmim kombëtar në vendin e tij dhe aq më mirë të kenë qenë pjesëmarrës në festivale të njohur. Kështu që mospjesëmarrja e Shqipërisë është për arsye objektive, asnjë film shqiptar, prodhim i vitit 2006 nuk e kaloi pragun e shtëpisë.

Por një film grek, jo i panjohur nga shtypi shqiptar, i cili e ka futur Greqinë në këtë rend është "Eduart", historia e një shqiptari i rrëfyer sipas regjisores greke Angeliki Antoniu. Ky film rrëmbeu plot nëntë çmime në Festivalin e 47 Ndërkombëtar të Filmit në Selanik duke u shpallur filmi më i mirë grek për vitin 2006."Eduart" trajton historinë e vërtetë të një shqiptari që pat kryer një vrasje në Greqi dhe që kthehet vetëdije në vendin e huaj të kryejë dënimin. Në role kryesore interpretojnë aktorë shqiptarë, i riu nga Kosova Eshref Durmishi, Ndriçim Xhepa, Ermela Teli, Gazmend Gjoka. Filmi është bashkëprodhimi greko-gjerman. Në një intervistë për "Shekullin", para premierës së filmit regjisorja greke do të shprehej: "Megjithatë në këtë film, unë nuk flas për racizmin dhe as për emigrimin. Nuk është kjo tema e filmit tim. Nuk ka të bëjë me racizmin grek i cili ekziston dhe e di këtë, sepse popullsia greke është raciste, por kjo nuk është temë e filmit. Edhe një herë "Eduart" është film për një të ri dhe forcën e tij për t'u dorëzuar tek gjykatësit grekë, pranon që ka vrarë dhe se duhet të paguajë për krimin që ka bërë. Unë e respektoj këtë."

Por nëse ky film do të hyjë në listën e të nominuarve për Oskar këtë do ta mësojmë më 22 janar 2008 kur do të deklarohen të përzgjedhurit nga Akademia e Çmimeve dhe fituesit më pas që shpallen në 24 shkurt.

Kinemaja greke ka në historinë e saj arritjet e saj të vlerësuar me "Oskar". I pari që solli nga Amerika në Greqi një statujë të artë është kompozitori Manos Hatzidakis, për këngën e filmit "Never on a Sunday". Në vitin 1964 është "Zorba" filmi i regjisorit Michael Cacoyannis, me një lojë të shkëlqyer të Anthony Quinn, u nominua për shtatë çmime Oskar dhe çoi në Greqi tre nga statujat.

E. D. : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama