Giffoni Film Fest “rremben” edhe femijet e Shkodres

Giffoni Film Fest “rrëmben” edhe fëmijët e Shkodrës

Ky është edhe edicioni i tretë që “Giffoni Film Festival” zhvillon në qytetin e Shkodrës, duke krijuar kështu një traditë kulturore që fëmijët shkodranë e kanë mbështetur së tepërmi. Ledia Dushi, përfaqësuesja e kulturës pranë Bashkisë së Shkodrës, thotë se “për qytetarët e Shkodrës, ky festival përbën vërtet një ngjarje të madhe e këtë e dëshmon qartë interesimi i lartë që është treguar ndaj këtij evenimenti”. Në aspektin social, festivali është një aktivitet që vë në qendër të vëmendjes fëmijët, ndaj ata ndihen të lumtur kur shikojnë se janë protagonistë të tij. Znj. Dushi shton se “një ngjarje e tillë është vërtet e madhe jo vetëm për fëmijët shkodranë, por edhe për fëmijët e të gjithë qyteteve të tjera që për herë të parë këtë vit janë përfshirë në vende mikpritëse të “Giffoni Film Festival”.

Është një ide e mirë që “Giffoni Film Festival” të zhvendosej në disa nga qytetet kryesore të vendit, duke e bërë më të prekshëm për fëmijët këtë eveniment”. Dhe Shkodra në këtë rast përbën diferencën. Në rast se nëpër qytetet e tjera stafi organizativ i festivalit i ka kushtuar më tepër rëndësi fushatës sensibilizuese për të promovuar “Giffonin”, në Shkodër rruga ishte e hapur. Pjesa më e madhe e fëmijëve që u mblodhën ditën e parë në kinema “Millenium” në Shkodër për të ndjekur filmat ishin të mësuar me praktikën e festivalit nga edicionet e zhvilluara gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë. Veç shfaqjes së filmave, fëmijët kanë kërcyer në atmosferën e festës, me të cilën ata i uronin mirëseardhjen “Giffoni Film Festival” në qytetin e Shkodrës.

Marre nga : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama