Shqiperine e ka njohur nga rrefimet e nje studenteje shqiptare te arratisur ne kohen e diktatures.

Shqipërinë e ka njohur nga rrëfimet e një studenteje shqiptare të arratisur në kohën e diktaturës.

Do të ngjisë në skenën e Teatrit të Operas romancën e njohur të dashurisë, "Kiss me Kate". Pas të parit "musical" që realizoi në Tiranë, "West Side Story", ajo i rikthehet sërisht kësaj gjinie me një sukses botëror. Historia e dashurisë dhe konflikteve mbështetur mbi veprën "Zbutja e kryeneçes" e Shekspirit, e shtyn atë të mendojë mbi marrëdhëniet njerëzore. Premiera e "musical"-it do të jetë më 24 tetor. Në rolet kryesore, atë të Petruçios interpreton tenori Erlind Zeraliu, të Kejtit, sopranoja Dorina Selimaj e në role të tjera, Lindita Kola, Sokol Hidershaj, Luan Sula, Denis Skura etj. Koreografinë e kanë vulosur sërish Enda Hoxha dhe Gerd Vaso, kostumet dhe skenografinë Andis Gjoni, mjeshtër kori Dritan Lumshi dhe mjeshtër koncertues Thomas Carlo Bo.

Riktheheni në Tiranë për një tjetër "musical" të njohur. "Kiss me Kate" vjen premierë në skenën shqiptare. Cila është lidhja juaj me këtë "musical"?
"Kiss me Kate" është një "musical" dhe romancë që flet për dashurinë, e parë kjo në disa nivele: dashuria midis burrit dhe gruas, dashuria e teatrit, e kërcimit, e muzikës. Ka një histori interesante për jetën e teatrit dhe marrëdhëniet mes aktorëve, këngëtarëve, orkestrës, të cilët të gjithë punojnë për të bërë diçka ekspresive. Por është një "musical" edhe për konfliktet. Regjisorja dhe aktori, që janë protagonistët, kanë pasur konflikt me njëri-tjetrin. Por ndërsa punojnë, zbulojnë se ata e duan njëri-tjetrin, megjithëse janë të ndarë. Është një "musical" shumë i bukur, që ka një miks stilesh muzikore. Në të gjejmë xhaz, operetë, bluz, pak kabare, brodway. Kompozitori Cole Porter është shumë i famshëm në Amerikë dhe e ka krijuar muzikën mbështetur në veprën "Zbutja e kryeneçes" e Shekspirit.

E keni vënë më parë në skenë?
E kam realizuar më parë këtë "musical", por jo në Amerikë. E kam vendosur në skenën e Ankarasë në Turqi në 1987. Prej atëherë nuk kam punuar më me të.

Si ishte reagimi i publikut?
Ata e dashuruan. Nuk besoj se ka njeri që të mos marrë këtë shije.
I riktheheni pas 20 vjetësh. Ka ndryshuar mënyra se si e shihni?
Nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, por gjithsesi do të jetë një staf tjetër që do ta realizojë. Këtu ka artistë të mirë dhe besoj se do të realizojmë diçka të bukur.

Ju keni realizuar "musical"-in e parë në Tiranë, "West Side Story". Ishte kjo shtysa për t'u rikthyer sërish?
Unë mendoj se ka këngëtarë e balerinë të talentuar, një orkestër shumë të mirë dhe është interesante për mua të punoj me një staf të tillë. Për fat të mirë kemi një orkestër goxha të madhe që në Amerikë nuk do ta kishim mundur dot ta kishim për arsye financiare. Unë e pëlqej Tiranën, pëlqej njerëzit dhe ndjehem mirë këtu. Gjithnjë kam një ndjenjë ngrohtësie.

Ishte kjo Tirana dhe Shqipëria që kishit imagjinuar?
Shqipërinë e kam njohur para se të vija këtu, përmes rrëfimeve të një studenteje që kisha në Amerikë. Kur jepja mësim për lëndën e të Folurit Publik, më tregon se si ajo dhe burri i saj ishin arratisur nga Shqipëria përmes maleve rreth viteve '80. Tregonte se nuk u kishin thënë asgjë prindërve dhe ata për tre vjet i kujtuan të vdekur. Nuk i vunë fare në dije, sepse përndryshe prindërit e tyre do të ishin ndëshkuar. Në rrëfimet e tyre se si kishin jetuar, si ishin arratisur unë njoha pak a shumë Shqipërinë. Pastaj kam njohur skenografin Andis Gjoni, i cili më tha shumë gjëra të tjera dhe mendoj se tani unë di shumë gjëra për Shqipërinë. Kam shumë respekt për njerëzit dhe e kuptoj sa e vështirë ka qenë për ta të jetonin këtu, në një vend që është pushtuar disa herë. Ndjehem e lumtur që jam këtu për të bërë diçka të bukur si "Kiss me Kate". Ne kemi nevojë për fjalë të ngrohta, që të na ngrenë moralin. Ka shumë gjëra të tmerrshme që ndodhin sot në botë, njerëzit janë të stresuar e të palumtur. Duhet ta besojmë se mes njerëzve mund të ketë lidhje miqësore dhe teatri, muzika, kultura na ndihmon ta kuptojmë këtë gjë.

Si do ta shihnit këtë çift të dashuruarish të "musical"-it në ditët e sotme?
Jemi në shekullin e XXI, ku ka shumë kaos, strese, dëshpërime dhe marrëdhëniet mes burrit dhe gruas mund të jenë shumë të vështira që t'i afrojnë bashkë. Të kesh një marrëdhënie shumë të mirë nuk është e lehtë dhe duhet të mësosh që të pranosh disa aspekte të tjetrit. Dy persona të shteteve dhe kulturave të ndryshme i bashkon muzika, kërcimi dhe unë mendoj se gjatë punës për realizimin e kësaj shfaqje jemi bërë shumë miq dhe do të vazhdojmë të mbetemi të tillë. Në vend që të merremi me armë e me luftëra, duhet të shkëmbejmë njerëz e artistë që të komunikojnë me njëri-tjetrin. Unë po flas si një amerikane dhe nuk duhet të bëjmë atë që sot po bëjmë.

Ja vini fajin politikës për këtë?
Problemi me politikën është se ka vetëm një person që e kontrollon fatet dhe mendoj se njerëzit në çdo vend duhet të jenë shumë të lajmëruar se çfarë liderët e tyre po bëjnë. Ne kemi shumë probleme në Amerikë, sepse 80% e njerëzve nuk duan që të jemi në Irak. Kemi një konflikt ideologjik se çfarë do të ndodhë e se çfarë duhet të ndodhë. Nënshtrimi me forcë i të tjerëve është shumë e vjetër si ide. Njerëzit e rinj duhet të vijnë me ide të reja e të freskëta. Për sa kohë do ta vrasim njëri-tjetrin? Kjo është çmenduri. Pse nuk bëjmë gjëra të kënaqshme dhe të gëzohemi? Unë besoj në rininë, ata janë të zgjuar dhe mendoj se do të ndryshojë diçka.
Të rikthehemi te shfaqja. Në Shqipëri nuk ka traditë të "musical"-it, e keni ndjerë vështirësinë e këngëtarëve për t'iu përshtatur kësaj gjinie?
Mendoj se nga "West Side Story" te ky "musical" i ri ka pasur përparime dhe artistët e roleve kryesore janë shumë të fortë. Sa herë që bëhet një "musical" i ri ka ngritje dhe mirëkuptim. Në Amerikë një "musical" quhet treshe, pasi artistët këndojnë, kërcejnë dhe aktrojnë. Të gjitha këto besoj se janë realizuar mirë dhe në një kohë të shkurtër. Artistët do të këndojnë live, pasi kjo është jetësore në një "musical". Nuk mund ta mendoj në shekullin e XXI të këndohet play back. Ndoshta shfaqje të tilla mund të jenë për televizione.

Do të vije sërish?
Kush e di. Nëse më thërrasin për të shkuar diku, kam gjithnjë valixhet gati.

Oliverta Lila : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama