Deshmitare e epokes sime

Dëshmitare e epokës sime

Tashmë, fytyra e qeshur e Doris Lessing-ut, me pamjen e një gjysheje babaxhane, i përshëndet lexuesit nga faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve. Me 22 tetor të këtij viti ka ditëlindjen, mbush plot 87 vjet. Mirëpo Akademia Suedeze ia bëri dhuratën vetëm pak ditë më përpara, i dha çmimin Nobel për letërsinë, me një fjalë, kurorën e jetës.

Kush është Doris Lessing?
Shkrimtare britanike, me origjinë iraniane, jeta e saj ka qenë plot lëvizje. Në moshën nëntëbëdhjetë vjeçare u martua me një funksionar, me të cilin pati dy fëmijë. Ndahet pas katër vjetëve, ndërkohë që i bashkohet një grupi me ide komuniste. Vjen pastaj martesa e dytë, bashkëshorti është Gottfried Lessing. Prej kësaj martese pati një fëmijë të tretë.
Karrierën si shkrimtare e fillon në Londër. Atje boton romanin e parë, titulluar “Bari këndon”. Duke u ndier e kompromentuar politikisht, ndahet nga iluzionet mbi komunizmin. Është viti 1954. Do të duhet ende kohë për të shkruar e botuar veprën e saj më të mirë, romanin “Ditari i artë” (1962). Në bibliografinë e autores, sipas studiuesve, numërohen rreth dyzet vepra.
Ndër emrat që kandiduan këtë vit, autori më i pritshëm për çmimin ka qenë Philip Roth, por edhe izraeliani Amos Oz apo peruani Mario Vargas Llosa. Zaret u hodhën, fati i vendimit i buzëqeshi tjetërkujt.
Në sytë e jurisë së Stokholmit, duke motivuar çmimin që iu dha, Doris Lessing u vlerësua si poetja epike e përvojës femërore, e cila me skepticizëm, me zjarr e forcë vizionare ka për subjekt të saj civilizimin, deri në hollësitë e tij.
Ndërsa vetë Lessing u shpreh: “Kam fituar të gjitha çmimet në Europë, çdonjërin prej tyre, kështu që jam e kënaqur që po i fitoj të gjitha.” Siç dihet, deri tani çmimin Nobel e kanë fituar dhjetë autore.
Shkrintarja vazhdon të jetojë në Londër. Edhe pse tepër e moshuar, çdo mëngjes ngrihet herët, ushqen zogjtë e shumtë dhe, në orën nëntë gjendet në tryezë duke shkruar. “Kjo është ajo që unë bëj”, thotë shkurt.


Ditari i artë

Kur shkruaja “Ditarin e artë”, isha rreth 40 vjeç, një moshë dramatike në jetën e një gruaje. Ishte edhe epoka e zhgënjimeve politike dhe, rreth meje, shihja njerëz që nuk ndiheshin mirë. Pyesja veten se mos njëri prej shkaqeve të kësaj mërzie të përgjithshme, ishte edhe zakoni që kemi për t’i ndarë në kuti-kuti emocionet, përvojat, jetën nga njëra anë, ndërgjegjen politike nga tjetra, seksualitetin në një kutizë të tretë.
Për librin tim doja një formë, e cila t’i mbante të gjitha këto kutiza të padepërtueshme.
E kështu, më lindi ideja e fletoreve, që përbëjnë secila nga një ditar intim. Çdo ditar trajton një temë të veçantë dhe ajo, ku shkrimtari i bën pyetje vetes mbi të shkruarin, përbën gurin e provës në këtë tërësi përsiatjesh të shpërndara.
Kam shtjelluar e ”zmadhuar” edhe një ide tjetër, ide e të majtëve dhe imja, çka them se është e gabuar: pra, idenë se të shkruarit nuk i shërben asgjëje, përderisa letërsia është e pafuqishme për ta ndryshuar botën.

Të shkruash dhe të militosh

Në kohën e “Ditarit të artë” isha në po atë gjendje shpirtërore, që jam sot. Gjendje apokaliptike.
Mendoja se duhet që gjërat të ndryshonin shumë shpejt dhe, nëse letërsia nuk qe në gjendje ta bënte këtë, atëherë përse duhet shkruar? Kur militoja në Afrikë, shokët e mi dhe unë qemë të sigurtë se do të arrinim të transformonim botën brenda një dhjetëvjeçari. Çdo përpjekje, e cila nuk ndihmonte në mënyrë të menjëhershme në këtë transformim, na dukej e kotë.
Ishte një nga nenet e besimit tonë politik. Sot pyes veten për atë që ndieja. Sidoqoftë, nuk qemë budallenj, qemë të zgjuar dhe të edukuar. Por ishim besimtarë, mitet fetare të ferrit dhe të shëlbimit qenë bërë doktrina jonë. Tani e di se të shkruash, gjithsesi shërben për diçka, për të dhënë informacion. Nuk është kjo ëndrra e rinisë sime, por sidoqoftë është diçka.
Kur isha e re, qëndrimi i majtistëve kundrejt letërsisë ishte: më mirë të shpërndanim trakte derë më derë, se sa të shkruanim.
Një shkrimtar, i cili rritet në një mjedis të politizuar, shpesh bëhet objekt i kritikave të hidhura, të ashpra. E di se ajo që frymëzon sot këto kritika është sidomos xhelozia, sepse njerëzit që bëjnë kritika, në shumicën e rasteve, janë vetë shkrimtarë të dështuar. Kjo shpjegon ashpërsinë e kritikave të tyre. M’u desh kohë për ta kuptuar këtë.
E vë re përsëri të njëjtin proces te bashkëshortja e një mikut tim, e cila po shkruan një libër. Ajo është lidhur me një dorë njerëzish, që u përkasin grupeve të ndryshme të majta. Këta njerëz nuk ia kursejnë kritikat armiqësore dhe synojnë të ndikojnë në atë që ajo shkruan, secili sipas ndjeshmërisë së tij politike. Po ta shohësh këtë raport nga jashtë, është e qartë se këtyre njerëzve u vjen inat që ajo ka talent. Ajo vetë nuk e ndien këtë… në moshën e saj edhe unë s’do ta kisha ndierë.

Romani na mëson

Jashtë vlerave të tij letrare, një roman na jep një sërë mësimesh.
Në njëfarë mënyre, romancierët e kanë ndarë botën kuti-kuti dhe kanë krijuar një bazë të gjerë informacioni.
Për shembull, Proust-i, i cili është një nga shkrimtarët e mi të preferuar, jep një portret të plotë të shoqërisë së kohës së tij, bën të ditur, nëpërmjet personazheve të tij, ngritjen e një klase shoqërore dhe rënien e një tjetre, tregon se si një klasë honxhobonxhosh u kthye dalëngadalë në aristokrate.
E njëjta gjë te “Buddenbrook” nga Mann-i.
Për Rusinë parasovjetike nuk do të dinim asgjë pa prozatorët, pa Çehovin, Tolstoin, Dostojevskin apo Turgenievin.
Një miku im, të cilit po ia tregoja këto mendime, më kundërshtoi duke thënë se asnjë autor rus i shekullit XIX nuk përmendi fillimin e revolucionit industrial që ndodhi në Rusi dhe se imazhi, që këta romancierë i dhanë vendit të tyre, ishte i rremë. Mbase në këtë rast, por ka romancierë që bëjnë të ditur gjithçka.
Gjithsesi, unë lexoj shumë romane me qëllim informimi. Të mirë dhe jo shumë të mirë. Pas një muaji do të nisem për në Australi. Gjithçka di për Australinë e kam mësuar prej romaneve.

Historia e librit

“Ditari i artë” është një afresk i epokës, ku puqen tradita realiste e romaneve të shquar të shekullit të 19-të me një stil krejt modern: strukturë shpërthyese, përbërje e sofistikuar, lojë romani brenda romanit.
Libri i dha famë ndërkombëtare Doris Lessing-ut, e cila u quajt “shkrimtare feministe”, gjë që nuk reshti duke e hedhur poshtë.
Romani ndërtohet rreth një tregimi, Femra të lira, pjesë të ndryshme të të cilit qartësohen nga ditari i heroinës, e cila quhet Ana: me kapak të zi për kujtimet, të kuq për politikën, të verdhë për trillimin, blu për vetëvëzhgimin.
Pas braktisjes së tyre, do të lindë një tjetër ditar i “artë”, prej nga mori titullin edhe libri.
Analizë e hollë e kushteve të femrave moderne (shpesh Doris Lessing-un e krahasojnë me Simone de Beauvoir-in), “Ditari i artë” përbën një tablo të shkëlqyer të rrymave shoqërore e intelektuale të epokës së saj.

Përktheu Adriana Koxha : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama