Por bota është e vogël! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi për nga krijimtaria e saj, këtu në USA. Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj krijuese vërshon vrullshëm, kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në Diasporë, Shqipëri, Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes, shkrimtares, është: “Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje, race apo ideje”!
Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm shqiptar në Diasporë, USA e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi që transmeton kjo poete, shkrimtare, nënë, gjyshe: “Mësojuni fëmijëve gjuhën e Mëmëdheut, gjuhën shqipe, trashëgoni te ta traditën, zakonet e vlerat më të mira kombëtare dhe identitetin tonë kombëtar!
Duke lexuar intervistën e Lilit (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju do të befasoheni nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga "vrapimi" i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me plot bindje do ta quaja binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe!
Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni përgjigjur me heshtje. Përse?
Ke të drejtë, Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me “heshtjen” time kam patur dhe merakun që të justifikoja “fjalën” time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista...Pastaj, për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën, e vërtetë që më dhemb në shpirt? Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njëra-tjetrës apo njeri - tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme...
Tjetër, kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri-tjetrin? Kjo s’ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë “bëmat” tona... Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një “fshesë”, në tjetrën. Sa nga një shkollë në tjetrën... Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur... Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë ... Po pastaj... çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë mërguar...? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi... dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara...
Ka edhe shumë arsye të tjera...
Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç'mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është “udhëkryqi” midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e mia le të flasë lexuesi im.
Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se “... mu bë Atdhe i Dytë”, mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: “Nga vendi më i bukur në botë”! Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme “Komedia Hyjnore”. Duhej dhe Ferri, që t’i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua... Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit këtu i ka dhënë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot “Shpirti i Poetit”.
Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që andej dhe diçka rreth aktivitetit e krijimtarisë suaj atje.
Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka statujat e perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin, detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t’u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki... Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim, frymëzimi ishte i pranishëm. Sa bukur e kemi ne fjalën “Frymëzim”! Ka në rrënjë fjalën “Frymë”, domethënë të zihet fryma. Mu zu edhe mua fryma në Kretë dhe shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do t’ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi... Të jetosh në Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I vajta deri te varri, shumë larg nga vendqëndrimi im, me një kurorë lulesh të freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: “Sot dhe përgjithmonë...”. Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh e fushash e do ta kisha thurur vetë kurorën... Do t’i shkonte më shumë këtij varri...
Ndryshimi midis dy mërgimeve
Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim. Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familjarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe “fshesa e hekurt” e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e botës dhe vetë kultura ...Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t’ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
Sot, dhe fjala “sot” mban gati dy dekada brenda, kritika e specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si “institucion”. Është zëvendësuar nga “mendimi i shokëve”. Kjo ka të mirën dhe të keqen e vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç’është poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk “trokiti” kush në dyert e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e shoh unë botën-jetë,... si puna e numrave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush i ka, 2.5 dhe unë...(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s’duhet të gënjejë kurrë... Poeti është si Profetët... (flas për ata që s’gënjejnë)...
Çasti më i vështirë...
Nuk e di a do të kem të tjera, për t’i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që mundohem t’i harroj.
Po më i lumtur?...
Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga lumturitë..
Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?...
Vetë dashuria, kur ajo është e tillë.
Po urrejtja?
Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht dakord me këtë përcaktim...
Cilët autorë të ndjekin në muzë...
Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, ...
* Moderatore e Forumit Bota e Gruas Shqiptare
Rajmonda Moisiu* : Gazeta TiranaObserver











