Pellumb Xhufi Librat do tia fal Bibliotekes Kombetare

Pëllumb Xhufi: Librat do tia fal Bibliotekës Kombëtare

Dhe ti nuk rresht së vështruari me vëmendje atë etazher, ku aty takon rastësisht Sharl Bodler-in, Balzakun, dhe ja tek shfaqet Kadareja dhe Agolli. Nuk është një film me metrazh të shkurtër, por është një vështrim disa sekondash në bibliotekën një politikani.
Të rëndë librat në bibliotekën e Pëllumb Xhufit. Historianin dhe politikanin e njohur shqiptar në çdo moment e gjen me një libër në njërën dorë dhe një palë syze optike nga dora tjetër. E si mund të ndodhë ndryshe me personazhin tonë të javës, i cili ka kryer studimet në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992 ka zhvilluar studime  të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit "Humboldt". Ka punuar në Institutin e Historisë për 15 vjet. Ka një dashuri të madhe për historinë dhe është "fanatik" për ndryshimin saj. Shtëpia e tij është një arkiv më vete për historinë, përsa i përket dokumenteve të vjetër apo dorëshkrimeve të rralla që ai mban.

Kur keni filluar të lexoni letërsi, cilët kanë qenë librat tuaj të parë?
Letërsi kam filluar të lexoj në vitet e para pas mësimit të shkrimit dhe këndimit. Me sa kujtoj, librin e parë që kam lexuar është libri "Djemtë e rrugës Pal", pak a shumë gjithë gjeneratat e fëmijëve të asaj kohe rriteshin duke lexuar atë libër; apo librin e Kolodit mbi Pinokun dhe disa libra sovjetikë mbi rininë e pionierët. Pra ishin këto libra që na ofroheshin ato vite. Pastaj natyrisht me kalimin e kohës kaluam në libra më të impenjuar, deri edhe në romane të njohur të letërsisë botërore, franceze, italiane, amerikane, ruse natyrisht. Kjo ka qenë periudha që fillon me vitin e parë të gjimnazit dhe vitet e para të shkollës së lartë, ku unë kam lexuar më shumë letërsi artistike. Pastaj, me fillimin universitetit, fillova të konsumoj një tjetër letërsi, atë historike dhe të tjera që vazhdoj t'i lexoj me preferencë.
Leximi për ju ka ardhur si një dëshirë apo detyrim?
Unë kam që në një familje ku lexohej, im at ka pasur një bibliotekë shumë të mirë, natyrisht me libra në gjuhen ruse, me autorë ndërkombëtarë, libra këta të përkthyer në rusisht. Im atë lexonte rusisht, kështu që biblioteka e tij ishte pjesa me e madhe në rusisht. Pastaj një rol të madh ka pasur në ato vite dhe shkolla. Shkolla, ishte një moment që e afronte nxënësin me librin, pasi jepte dhe çmime letrare.
Ju keni marrë ndonjë çmim të tillë gjatë shkollës?
Po, kam marrë një çmim, që quhej "lexuesi i vogël", shoqërohej edhe me një stemë që mbahej në përparëse, kam qenë pionier në atë kohë, në moshën 12-13 vjeç.

Keni trashëguar libra nga babai juaj, apo të gjithë bibliotekën e keni ndërtuar vet?
Një pjesë të librave e kam trashëguar, ndërsa një pjesë ai e ka në shtëpinë e tij. Letërsi artistike ka pasur me shumicë, pastaj duke qenë oficer ai kishte letërsi të një karakteri të caktuar që lidhej me Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.
Duke kaluar vitet, a ka ndryshuar shija juaj e leximit?
Lexoj, mundohem të lexoj sa më shumë, aktiviteti që zhvilloj më heq shumë kohë. Megjithatë lexoj, duke filluar nga literatura profesionale, raportet apo materialet e partisë ku unë bëj pjesë, lexoj shumë në internet, ku marr informacion mbi ngjarjet. Pastaj natyrisht lexoj letërsi historike, fushës së cilës i përkas.
Libra me çfarë lloje tematike lexoni aktualisht?
Përveç letërsisë historike që ka të bëjë me profesionin, lexoj shumë dhe libra me karakter politikë, libra që kanë të bëjnë me sociologji; kur më del kohë, mundohem të lexoj dhe letërsi artistike.

Po flitet shumë për historinë këto kohë, sipas jush, a duhet rishkruar historia jonë?
Rishkrimi i historisë së Shqipërisë është një problem, ndoshta dhe pyetja që bëhet shpeshherë në ketë kohë nuk është e përshtatshme, historia shkruhet dhe rishkruhet vazhdimisht, është një proces dinamik dhe baza e njohurive zgjerohet, ndryshon. Ka fakte të cilat bien, ka fakte të tjera që dalin në sipërfaqe, të cilat duhet të reflektohen, kështu që është e pa mundur që një libër i historisë i shkruar në shekullin e 19-të të vlejë sot si tekst bazë për këtë histori, sepse fakte të tjera janë  zbuluar, dokumente, arkiva dhe fakte të reja, të cilat kanë sjell dhe përmbysje. Rishkrimi i historisë është me masë dhe me kritere. Kriteri kryesor është se çdo gjë rishkruhet mbi bazë të fakteve, jo në bazë të interferencave politike që mund të ndodhin. Nuk mund të presësh që të përmbyset historia e Skënderbeut. Natyrisht që një autor i ri mund të shkruaj një libër më të mirë nga ata që ekzistojnë për historinë e Skënderbeut, por baza e informacionit është ajo që na ka lënë Barleti që në shekullin e XV. Ndërkohë që për periudhat që janë më afër nesh, siç është periudha e Zogut, ajo e Luftës Nacionalçlirimtare dhe aq më tepër periudha pas Luftës së Dytë Botërore, aty natyrisht ka hyrë më shumë vullneti politik në përcaktimin e mënyrës se si është shkruar kjo histori. Nuk duhet të ndikohet historiani nga politikani për ta shkruar historinë ashtu siç i përshtatet, siç e do njeri apo tjetri, këtu duhet të jemi të pa tolerueshëm, askush s'duhet të shtrembërojë faktet apo të vërtetën.
Çfarë duhet të ndryshojë, dhe ku duhet ndërhyrë sipas jush?
Po në periudhën e Zogut psh, nga historiografia komuniste ka shumë defekte, e shkruar kjo gjatë viteve të diktaturës komuniste. Kjo periudhë është anatemuar si periudhë e errët, gjatë së cilës ka sunduar një mbret, ku nuk është bërë asgjë, ku shoqëria dhe ekonomia shqiptare nuk kanë realizuar asnjë vlerë. Por absolutisht nuk mund të identifikohet një periudhë me vlerësime të tilla. Sepse gjatë kësaj kohe kanë vepruar personalitete të rëndësishme të kulturës dhe politikës. Gjithçkaje i duhet thënë e vërteta. Edhe kur duhet të trajtojmë figura të tilla, siç është figura e Enver Hoxhës apo e Mehmet Shehut, dhe këtu historiani duhet ë jetë i ftohtë, nuk mund të që me një shprehje t'i hedhë tej këto figura. Historiani është i detyruar të bëjë një analizë në bazë të fakteve se çfarë ka bërë Enver Hoxha, psh, për problemin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Natyrisht rezultati që do t'i dalë historianit është katastrofik, pra ka qenë diktator. Çfarë ka bërë Enver Hoxha për zhvillimin e arsimit apo për elektrifikimin e vendit? Këtu nuk mund të thuash vetëm fjalë të këqija, do thuash edhe shumë fjalë të mira që ka bërë regjimi në atë kohë për masivizimin arsimit, për tharjen e kënetave, për shtrimin e rrugëve të hekurudhave, por këto janë gjëra që nuk mund të mohohen.
Në shtëpinë një historiani nuk mund të mungojnë librat e vjetër, cilët janë ata?
Libra të vjetër kam, natyrisht i kam në formë fotokopje, dokumente të vjetra të botuara, p.sh gjithë serinë e akteve veneciane për Shqipërinë mesjetare në shekullin XIV-XV që janë 15 vëllime dhe që figurojnë të botuara nga Xhuzepe Valentini. Kam "Ilir Kumsakun" që është një përmbledhje e dokumenteve që lidhen me kishën katolike shqiptare. Kam një sërë kronikash të vjetra të shekullit të XIV, statutet e Shkodrës, që është gjetur në arkivat e Venedikut, qoftë edhe në formën e botimeve moderne, por natyrisht besnike ndaj origjinalit. Natyrisht kam pastaj dosje të veçanta që unë ruaj dokumente të rrallë që i kam fotokopjuar në arkiva të ndryshme ose i kam marrë me dorë në rastet kur nuk lejohej që të fotokopjohej.

Cili është libri i fundit që keni futur në shtëpi?
Libri i fundit është një libër i një autori amerikan, Piter Lukas, i cili ka botuar historinë e misionit amerikan në Shqipëri, të misionit që quhet zyra për shërbimet strategjike që erdhi në Shqipëri në nëntor të vitit 1943 dhe veproi deri në çlirimin e vendit. Ky libër është ndërtuar mbi bazën e dokumentacionit që kanë prodhuar anëtarët e këtij misioni, është një libër shumë i rëndësishëm edhe për këto probleme që folëm. Dhe i fundit fare i kësaj dite, është një libër me shkrime i një autori shumë të njohur, Baroni Franc Nopça, i cila ka bërë studime të ndryshme, sidomos mbi etnologjinë dhe etnografinë e Shqipërisë.
Sa libra numëroni në bibliotekën tuaj?
Nuk i kam numëruar, kjo është një detyrë që unë jam kam lënë vajzës sime, të cilën ajo deri tani nuk e ka kryer, pra që të bëjë një katalogim të gjithë bibliotekës. Por kam shumë, shumë. Tri biblioteka, ku edhe nuk mungojnë raftet, ku librat janë vënë në dy radhë, sepse nuk ka vend. Po nuk mund të them një shifër realisht.
Keni libra me dedikim?
Natyrisht kam libra me autografe, libra të dhuruar kam jashtë zakonisht shumë, që më janë dhuruar nga kolegë të huaj, por edhe nga miq e kolegë shqiptarë. Kam një libër monumental të Alen Dyselie-së, që është një historian albanolog i shquar francez. Më ka dhuruar "La facade maritme de l'Albani", pra bregdeti i Shqipërisë gjatë mesjetës, por jo vetëm këtë. Edhe libri që përmenda i Piter Lukas, edhe këtë e kam me autograf.
Libri më i shtrenjtët në vlerë monetare?
Është një seri e historisë botërore, një botim në gjermanisht, është një libër me 12 vëllime mbi historinë botërore që nga fillimet deri në ditët tona, dhe e kam blerë në Gjermani në vitet '91-'92, dhe më kujtohet se kam paguar 150 marka. Në ato kohë kjo ishte goxha shumë.

Autori i pëlqyer shqiptar apo i huaj?
Më i dashuri për mua shqiptar, për sa i përket letërsisë artistike, është Ismail Kadare, pëlqej shumë dhe Dritëro Agollin. Kurse në kuadrin e studiuesve të letërsisë shqipe, pa dyshim vlerësoj së tepërmi Rexhep Qosen. Nga të huajt, ka impresione shumë "Emir i Trëndafilit" nga Umberto Eco, ndoshta është romani që më ka goditur apo tërhequr më shumë.
Keni lexuar ndonjë libër që ju ka emocionuar dhe mund të keni derdhur edhe lot?
Për të qarë me libra ka kohë që nuk qaj (qesh). Natyrisht kur ishim të vegjël, në adoleshencë, i lexonim me shumë pasion disa libra që na emociononin dhe me të cilët dhe mbas leximit të librit jetonim me ditë dhe me javë të tëra duke riprodhuar në kokë imazhet që ne ndërtonim mbi bazën e këtyre librave. Shumë prekës qenë dhe ata libra që flisnin për Luftën Dytë Botërore. Nuk përjashtohet dhe të kem qarë apo të kem derdhur ndonjë pikë lot. 
Kujt do ja lini trashëgim bibliotekën tuaj?
Do t'ia lë trashëgim vajzës, e cila, për "fat të keq", nuk ka zgjedhur profesionin tim. Vajza studion  Marrëdhënie Politike dhe Biznes, kështu që një pjesë shumë e rëndë e bibliotekës sime nuk do të duhet. Shumë libra do i fal te miqtë, por një bërthamë të mirë të kësaj biblioteke do t'ia fal Bibliotekës Kombëtare, sidomos ato libra që janë të rrallë dhe që i shërbejnë albanologjisë në përgjithësi.
Jashtë, një person ka një bibliotekë dhe më pas behët ministër, ndërsa këtu te ne ndodh që behët ministër dhe më pas i bie në mendje të ndërtojë një bibliotekë, çfarë mendimi keni për këtë?
Këto janë ato paradokset që ndodhin, por që nuk e gjej dhe fort të keqe këtë që politikani bëhet ministër, pastaj ndërton dhe një bibliotekë, se tregon që në fund të fundit, qoftë dhe me vonesë, i kërcet një dell për t'u afruar me leximin dhe me librin. Kjo është për t'u lavdëruar nuk ke çfarë thua.... Por çfarë të bësh kur ka politikanë apo qeveritar që nuk i lënë asnjë vend bibliotekës në ato skicat e shtëpive që kanë dhe që ndonjëherë janë shumë të bollshme e që mbushen me gjëra të tjera dhe jo me libra.
A keni mbajtur apo ruajtur ju libra të ndaluar në periudhën e komunizmit? 
Shumë libra dolën të ndaluar pas viteve '60, natyrisht ne nuk i zhdukem, ndonjë problematikë nuk kemi pasur. Natyrisht kemi kaluar nëpër duar me shoqërinë me njeri-tjetrin libra që dikush e kishte. Kemi pasur një furnizues librash të ndalur në atë kohë që nuk mund t'ia them emrin, por që kishte mundësi të gjente libra, i ati i tij ka qenë një njeri shumë i kulturuar dhe sillte herë pas here revista apo libra dhe i bënim një xhiro të shpejt, i lexonim, por për t'i mbajtur në shtëpi, jo. Unë kam patur fatin të studioj jashtë në vitet '70. Aty kam blerë dhe shumë libra, të cilët kur vinim me pushimet e verës, në Tiranë, na i ndalonte dogana, shumë nga ata ishin fare të pafajshëm në kuptimin ideologjik, por vetëm sepse kishin një koperton të bukur.

Biblioteka e politikanit

Tregojnë për një ministër, i cili një ditë i bëri vizitë një gazetari. "Më kanë thënë se ke një bibliotekë të mirë, dua ta shoh pak", i tha ministri, dhe u fut brenda në studion e tij. U mahnit dhe kur doli nga dera tha: "Edhe unë do bëjë një bibliotekë si kjo". "Eh si është kjo botë, ia priti gazetari, të tjerët ndjekin këtë rregull, për vite e dekada ngrenë biblioteka. Pasi bëjnë një të madhe, iu bie rasti të bëhen ministra. Ndërsa ne këtu bëhemi ministra dhe pastaj na bie ndër mend të bëjmë një bibliotekë". Për të ditur se si janë bibliotekat e politikanëve shqiptarë, "Tirana Observer" hap rubrikën e re "Biblioteka e politikanit", për të parë në ia vlen apo jo ajo historia që treguam.

Librat

“La facade maritme de l’Albani”
është një nga librat që ia ka bërë dhuratë Pëllumb Xhufit një historian dhe albanolog francez, libri përshkruan bregdetin tonë në mesjetë

“Lexuesi i vogël”
është çmimi letrar që ka marrë në moshën 12 vjeç. Një çmim i thjeshtë që e mbante në uniformën e shkollës, por për atë kohë do të thoshte shumë

“Djemtë e rrugës Pal”
është libri i parë që Pëllumb Xhufi ka lexuar, një libër që sipas tij e lexonin të gjithë bashkëmoshatarët e tij

“Emir i Trëndafilit”
është një  roman i shkruar me shumë kulturë nga Umberto Ecco. Për Xhufin ky është një nga librat që e ka goditur dhe tërhequr më shumë
 
Entela Resuli : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama