Gurgullimat e saj të paqta, monologët e saj të përjetshëm, e zemërimin e dallgëve kryeneçe, i njeh mirë çdo banor i këtyre viseve, çdo strall, çdo gur. E ngritur mbi një sup mali, ajo përgjon grykat e shumta e kuvendon me erërat që sjellin luginat aty. Ajo pasdite, kur zbrita në Tepelenë, rigoi shi. Qielli i rënduar i rrinte mbi kokë, ndërsa malet hijerënda kishin humbur mjegullës së dendur. I vrenjtur rri edhe Aliu. Si gjithnjë. I gjallë e i vdekur ai nuk ka ditur të buzëqeshë kurrë si i lindur e i rritur në vise ku kanë fryrë erëra të forta e të ithta. Ai ka ndenjur në udhëkryqe të kohës e mjegullat e historisë i kanë dhënë atë pamje të cilën unë e pashë atë mbrëmje në hyrje të qytetit. Është vjeshtë, por ajo mbrëmje më solli imazhin e një mbrëmjeje dimri. Rrugë të pastra, dritat e tyre të ndezura, lokalet bosh, tek-tuk ndonjë kalimtar nxiton të bëjë ndonjë punë të cilën nuk mund ta linte dot për të nesërmen. Qetësia e asaj mbrëmjeje më dha trishtimin që ndjen njeriu kur ka përcjellë matanë jetës një njeri të dashur. Doja ta hiqja këtë imazh, duke kërkuar aty-këtu pika të tjera ku jeta të shfaqte tjetër pamje. Por nuk po mundja. Dy-tre kambistë, por jo të strukur si në Tiranë, gjuajnë ndonjë klient. Lëviza në të dyja rrugët kryesore, por jeta sikur kishte ikur diku jashtë tij. Ndërtesat rrinë hijerënda. Në zyrën e gjendjes civile nuk ka njeri punë. Kryetari i ri i bashkisë ka takim me prefektin te zyra e regjistrimit të pasurive, qytetarët së shumti shajnë. Shajnë kur nuk gjejnë pronat e tyre të regjistruara në ato blloqe të zverdhura nga koha.
Agimi që punon aty prej kohësh thotë me keqardhje se nga 77 fshatrat që ka rrethi i Tepelenës, vetëm për 12 fshatra mund të gjesh dokumente për pronësinë. A lëviz jeta këtu? Nuk pashë gjë që të sillte imazhin e saj. Administrata po tkurret. Mjaft prej institucioneve shtetërore kanë shtegtuar drejt Gjirokastrës e tani qytetarit tepelenas i duhet të shkojë 30 km drejt Jugut për të marrë një vulë! Familje po largohen përditë nga Tepelena. Ky qytet po zbrazet e tani ajo i ngjan një province ku jeta përditë po venitet nga pak. Dy banorët më të rinj të saj janë një hoxhë që në xhaminë e re do të këndojë çdo mbrëmje dhe një prift që do të japë meshë në kishën e re, e cila po ndërtohet aty në sheshin kryesor të qytetit! Një çekan nuk e dëgjon të godasë kund, një kamion me rërë, zhavorr, çimento nuk e sheh të shkarkojë diku. Zona industriale që është në perëndim të qytetit i ngjan një gërmadhe, ku jeta aty shfaq pamjen e saj më të trishtuar. Puna, ai motori që lëviz jetën, këtu është në nivelet më të ulëta të saj. Tri banka dhe një fondacion kërkojnë të nxitin kredimarrës, por pak, shumë pak, duke njohur mundësitë e mëdha të këtij rrethi. Vjosa i bie Tepelenës mes përmes dhe luginat e të dyja krahëve të saj thahen për ujë. Tepelena ka sisteme të pafund kodrash aq të ëmbla e të begata për pemëtari, ajo ka kullota malesh për bagëti e mbi të gjitha ka potenciale njerëzore të mrekullueshme; artistë nga shpirti, bujarë nga zemra, ka njerëz që duan punën, njohin sakrificën e duan të përballen me të, ka njerëz qytetarë që qytetarinë e kanë pjesë të qenies së vet.
* * *
Në Tepelenë ka më shumë banka se biznese. Kredia është e ëmbël në fillim, por më pas pesha e saj mund të bëhet e papërballueshme. Tri banka operojnë në Tepelenë. "Raiffeisen Bank" nën okelion "Të ndërtojmë Shqipërinë", ka bërë anëtarë të saj mbi 8 mijë klientë e nga sportelet e veta lëvizin pagat e 1700 punonjësve. Që nga viti 2003, në Tepelenë operon edhe fondi i financimit të zonave malore. Destinacioni: dhënie kredie për zonat rurale për bujqësinë, blegtorinë, artizanatin, tregtinë, prodhim e përpunim produktesh bujqësore. Sipas përgjegjësit të kësaj zyre, aktiviteti i këtij fondacioni shtrihet në tetë komunat dhe dy bashkitë e rrethit. 90% e financimeve ajo i ka dhënë për fshatin dhe ka interesat më të ulëta në treg. Mbi 200 klientë me rreth 800 milionë lekë me afate një-dhjetë vjet. Së shumti vreshtarët kanë gjetur te ky fondacion një partner të mirë.
Gjithsesi, tepelenasit kërkojnë punë përpara se të trokasin në dyer bankash. Ata e dinë mirë se puna është "leva e Arkimedit" e kur ata nuk e gjejnë atë në vendin e vet, lëvizin ta gjejnë tej kufirit, së shumti në Greqi, por edhe gjetkë. Tepelenasit emigruan të parët e kudo ata nuk e fshehën pasaportën, siç nuk fshehën shpirtin tepelenas e që në emër të jetës kanë ditur të sfidojnë lodhjen, varfërinë e vdekjen.
* * *
Tepelena ka plagë të cilat duhen shëruar. Si kudo gjetkë arsimi ka pësuar trauma të mëdha. Largimi i mësuesve nga vendlindja e ka çuar artin e bukur të mësimdhënies në kuota të ulëta, madje edhe në qytet. (Një mësuese matematike në qytet deklaron para nxënësve se nuk e zgjidhte dot një problem, një nxënës fshati, klasa e katërt, kur vjen në qytet kthehet në klasën e parë, Vagalati ka vetëm tre nxënës, shpërndarja e librit edhe në Tepelenë dështoi). Por ajo që shqetëson drejtorinë arsimore është kontingjenti i mësuesve të rinj, të cilët së shumti vijnë nga Gjirokastra, ku cilësia është në kuota të ulëta. I ngritur edhe në shtyp, liberalizimi i fakultetit çoi në dyert e tyre maturantët më të dobët, mesatarja e të cilëve nuk e kalonte notën 6,5, pra të diplomuar për katundin tim. Universitetet tona sjellin para nxënësve mësues cilësisht të ulët, të cilët janë produkt i asaj politike arsimore, e cila nuk mund të përgatisë specialistë të denjë për standardet e ardhshme, ku Shqipëria të ketë zërin e saj, nuk mund të formatojë intelektualë të cilët nesër do të jenë protagonistë të lëvizjeve ekonomike e politike, nuk mund t‘i japë shkollës atë status që të nënkuptonte autoritetin e saj të padiskutueshëm, prioritetin e saj nga i cili do të vareshin jo pak çështje madhore të kombit. Drejtoria e arsimit të rrethit gjendet para problemeve të mëdha në këtë fillimviti. Një udhëzim i ministrisë urdhëron drejtuesit që të largojnë nga puna pedagogjikasit për t‘u zëvendësuar me të sapodiplomuarit. Përgjegjësi i zyrës së burimeve njerëzore, Hysen Haxha, shprehet se si mund ta largojnë nga puna një mësues që ka mbi tridhjetë vjet që jep abetaren?! E kush mund ta zëvendësojë atë përvojë të madhe pedagogjike, psikologjike, njerëzore?! Ky është një problem kombëtar e qeveria duhet të gjejë të tjera alternativa. Refi Ceka, drejtor shkolle, mësues matematike me përvojë 35-vjeçare, ngre supet përpara këtij handikapi. Ai di të flasë shumë, por nuk mundet. Nuk mundet se e do arsimin, por këto paradokse atij i sjellin dhimbje. Pra, ai ikën nga arsimi duke përjetuar në mbarim të punës së tij një keqardhje për gjendjen e krijuar. Ai u largohet pyetjeve të mia, sepse nuk do të përlotet. Pastaj më flet për shkollën e tij që po rikonstruktohet, e nxënësit janë shpërndarë nëpër shkolla të tjera. Plani ishte që në qershor, por zvarritjet, lëvrimi i fondeve e shtyu këtë punë deri më 15 shtator.
* * *
Mos e braktisni këtë vend, qytetarë të Tepelenës, por luftoni e përpiquni ta ndryshoni atë! Ky është zëri i jetës e i së ardhmes, pa të cilin vetë jeta nuk do të kishte kuptim. Të ndezësh, ku të mundësh, një dritë të vogël shprese në shpirtin e këtyre njerëzve të drobitur, pra të ndezësh një dritë që ideja për të qëndruar këtu të jetë më e fortë se ajo e largimit nga vendi i lindjes, është obligimi më i madh që duhet të ndjejë qytetari, shoqëria e politika.
Por, edhe tepelenasit janë përfshirë nga ethet e ikjes, kur jeta në këtë rreth ka gjithnjë diçka që mund t‘u premtojë për të ardhmen, por integrimi kërkon parametra të tjerë të panjohur, por që jeta nuk po ua siguron dot.
Ta bësh këtë vend pak e nga pak qytet e këta banorë qytetarë të një shteti evropian, qenka e vështirë. Sepse dera e qytetërimit është e rëndë. Atë nuk do ta shtyjnë dot vetë, nëse shteti, ai shtet që s‘ka ditur kurrë të orientojë gjë me politikat e veta e që vjen këtu vetëm kur i duhet vota, nuk do të ulet këmbëkryq. Qytetarët që energjinë e paguajnë në masën 95%, ankohen pak, por akuzojnë shumë. Këta njerëz që duan të ndihen më tepër qytetarë, e kanë të vështirë të hedhin hapat drejt qytetarisë. Veç shtetit, një shteti të fortë e serioz, askush nuk do të mund dot të hedhë këtu urat e forta të jetës.
Vijnë zgjedhjet njëra pas tjetrës. Shfaqen politikanët me mikrofona ndër duar, por që nuk u lodhën kurrë së premtuari. Në malin e premtimeve mund të fshihet jeta me gjithë hallet e saj. Por kaq. Ata shfaqen aty, tatojnë pulsin e qytetarëve. Por edhe tallja e ka një kufi. Boll i kanë gënjyer. Ata tashmë presin që edhe për qytetin e tyre të lëvizë diçka. Dhe e kërkojnë këtë gjë në emër të jetës. Gjësë më sublime.
Marre nga : Gazeta Shqip











