Edward Hopper - Piktor i vetmise trishtimit dhe melankolise

Edward Hopper - Piktor i vetmisë, trishtimit dhe melankolisë

 Në të bëjnë pjesë 96 vizatime, akuarele dhe punime në vaj, ndër të cilat edhe tabloja e tij e famshme "Zogjtë e Natës" (Nighthawks - 1942). Piktor realist e njëherësh enigmatik, Hopper nuk bëri pjesë në ndonjë lëvizje apo shkollë të caktuar arti. Ai u drejtua më së tepërmi drejt pikturës realiste, e cila ishte mjaft larg pikturës kubiste - mjaft në modë në atë kohë. Hopper debutoi shumë vonë, por njohu sukses të madh qysh kur qe gjallë. Pikturat e tij janë ndër më të njohurat e më riprodhuarat jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në shumë vende të botës. Në vitin 2005, një tablo e tij "Autobusi i mishit" (Chair Car - 1965) u shit në ankandin e njohur Christie‘s me shumën prej 14 milionë dollarësh, një rekord i paparë për këtë artist.

Një pjesë e mirë e veprës së Hopper shpreh nostalgjinë e Amerikës së mëparshme, si edhe konfliktin mes natyrës e botës moderne. Artisti preferoi të pikturojë më së shumti vende publike (restorante, teatro, zyra ...) në të cilat njerëzit dhe sendet duken gjithmonë të braktisur. Temat kryesore të pikturës së tij janë peizazhet urbane dhe fshatare, shtëpitë e vetmuara, shtyllat e dritave të rrëzuara prej erës, skena qytetare pa njerëz etj. Personazhet e paktë të punimeve të tij janë enigmatikë, të vetmuar, melankolikë e fatalistë. I njohur për heshtjen e tij monumentale, sa herë që binte rasti të intervistohej për përmbajtjen e pikturave, Edward Hopper e kish bërë zakon t‘u thoshte gazetarëve se: "ne se ju do të mundeshit t‘i shpjegonit ato me fjalë, unë nuk do të kisha asnjë arsye pse t‘i pikturoja... " .

Fillimet
 
Edward Hopper lindi në Nyack, në shtetin e New York-ut, në një familje tregtarësh. Pas mbarimit të shkollës fillore e të mesme, ai shkoi në "New York School of Illustrating", ku studioi për të mësuar profesionin e ilustruesit. Ndër mësuesit e tij, Robert Henri (1865-1929) të cilin ai e pat tepër për zemër, i mësoi atij artin e pasqyrimit të skenave realiste e atyre urbane. Me qëllim që të çonte dhe më tej studimet dhe formimin e tij, nga 1906 gjer më 1910, Edward Hopper bëri tri udhëtime në Paris e në vende të tjera të Europës, por nuk ra nën ndikimin e kubizmit. Veprat e mjeshtërve të Kontinentit të Vjetër i hynë në zemër dhe nënë frymën e tyre, realizoi mbi tridhjetë vepra, kryesisht në Paris. Ishte po ashtu, po në këtë qytet, që ai u njoh edhe me artistë të tjerë të rinj amerikanë e shfaqi interes për fotografinë. Ai ra shpejt rob i bukurisë së kulturës franceze dhe mbeti frankofil i flaktë gjatë gjithë jetës. Autorët që adhuronte më së tepërmi ishin: Vélasquez, Rembrandt, Vermeer si edhe mjeshtërit e shekullit XIX: Goya, Daumier, Manet, Degas etj. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, Hopper vazhdoi të lexojë autorë francezë si edhe të shkruajë në këtë gjuhë. Një nga autorët e tij të preferuar ishte poeti simbolist Paul Verlaine, të cilin e recitonte vazhdimisht ...

Ekspozitat e para

Washington Square North. Ishte pikërisht në atë rrugë të New York që më 1908 Edward Hopper hapi atelienë e tij të parë. Ai u vendos përfundimisht në atë qytet dhe punoi fillimisht si realizues reklamash, një zanat që nuk e çmonte aspak. Në atë kohë, ai pikturonte rrallë, ndonjëherë gjatë pushimeve të stinës së verës. Megjithatë, ai morri pjesë në shumë ekspozita kolektive në New York: më 1908 në "Harmonie Club" dhe më 1912 në "Mac Dowell Club". Pas një viti, ai shiti veprën e tij të parë dhe u vendos në një studio të re, në Washington Square, lagje e Greenwich Village. Më 1915, realizoi të parat punë në "acqua forte" duke u bërë kështu i njohur prej kritikës së artit. Por, ishte në periudhën mes dy Luftërave Botërore, asaj të Parë dhe të Dytë, që ai u bë vërtet i njohur në shkallë kombëtare. Më 1924, u martua me Josephine Verstille Nivison edhe ajo piktore. Më 1933 çifti bleu një pronë në Cap Cod, ku ndërtoi edhe një shtëpi e një studio.

Përkushtimi

Më 1925, Edward Hopper mbaroi pikturën e tij të shquar "Shtëpia buzë hekurudhës" (The House by the Railroad), e cila është konsideruar si një prej tablove më të mira të tij. Vepra hyri në koleksionin e "Muzeut të Artit Modern" më 1930, falë blerjes prej një milioneri të quajtur Stephen Clark. Po atë vit, "Whitney Museum of American Art" bleu prej tij me një shumë të madhe dollarësh tablonë "Një të diel herët në mëngjes" (Early Sunday Morning). Viti 1933 ishte ai, kur për herë të parë bëhet një ekspozitë retrospektive e krijimtarisë së E. Hopper, në "Muzeun e Artit Modern" në New York. Më 1939, zgjidhet anëtar i jurisë së "Carnegie Institute" e ca vite më pas, anëtar i "National Institute of Arts and Letters" (1945). Më 1952, ekspozon në Bienalen e Venecias dhe një vit më pas merr titullin "Doctor of Fine Arts" në Institutin e Arteve në Chicago.

Edward Hopper vdiq më 15 maj të vitit 1967 në New York, në apartamentin e tij në Washigton Square. E shoqja, piktorja Josephine Nivison, e cila vdiq dhjetë muaj më pas, ia dorëzoi veprën e tij "Whitney Museum of American Art". Vepra e Edward Hopper shënoi një periudhë të rëndësishme në realizmin amerikan në pikturë. Stili i tij i thjeshtë dhe i pastër, ndikoi më pas në artin e pop - art.

Veprat

Tablotë e para të Edward Hopper paraqesin pamje të Parisit, (Ura e Arteve, 1907, Mbasdite qershori, 1907, Luvri në stuhi, 1909, Pavijoni i Florës, 1909 etj.). Kjo periudhë "pariziene", e cila korrespondon me kohën që artisti punoi në kryeqytetin francez (1906-1910), vazhdoi edhe kur ai u kthye përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte aq i impresionuar nga peizazhet dhe piktura e Kontinentit të Vjetër sa që më pas thoshte: Kur u ktheva në Amerikë, gjithçka m‘u duk mizorisht pa shije dhe qesharake. M‘u deshën vite që të ndahem nga Europa.

Pas kthimit në atdhe, nën shtysën edhe të së shoqes, Edward Hopper realizoi shumë "acqua forte" (1915-1928), afishe, gravura e akuarele. Pak nga pak, ai i braktisi imazhet pariziene dhe piktorët evropianë, për t‘iu kushtuar tërësisht peizazheve amerikane. Në vitet 1920, ai arrin të afirmojë stilin e tij personal duke pikturuar pamje me ngjyra të errëta, të prera. Ai largohet kështu nga impresionizmi, prej të cilit ish magjepsur në Paris, për t‘iu përkushtuar tablove të mëdha plot kontraste e ngjyra ku, prezenca njerëzore pothuajse mungon krejtësisht.

Në vitet 1950-1965, piktori nis të pasqyrojë personazhe, të cilëve u jep me përparësi një përmbajtje të caktuar psikologjike. Është koha kur në punët e tij, nis të duket qartë vënia në dukje e kufirit mes hapësirave të brendshme e atyre të jashtme, të cilat ndahen nga linja tepër të forta. Vijojnë pastaj tablo ku paraqiten mjedise "enterier" gjithmonë e më të boshatisura nga çdo lloj mobilimi, si bie fjala në punën "Dhoma në breg të detit" (1951), ku mobiliet e saj janë të fshehura pas një muri, apo te "Diell mëngjesi" (1952), ku objekti i vetëm i një dhome është një krevat. Kësisoj, punët e tij, duken më së tepërmi të bëra enkas, më tepër si "rikonstruksione", se sa paraqitje besnike të realitetit.

Piktori i vetmisë dhe melankolisë

Në tërësinë e tyre, veprat e Edward Hopper janë pasqyrim i jetës së përditshme amerikane, të mënyrës së saj të jetesës (american way of life), të cilat shfaqen nëpërmjet detajesh realiste: panele reklamash, ndërtesa urbane, stacione karburantesh, motele, hekurudha, rrugë të shkreta që japin edhe mjedise tipike të këtij vendi. Tablotë e tij flasin për një shoqëri në transformim të plotë. Në thelb, ato japin kuadrin e jetës dhe ekzistencës së klasave të mesme në rritje të shpejtë, në gjysmën e parë të shekullit XX. Kështu, bie fjala, tablotë "Stacioni i Karburantit" (1940) dhe "Moteli në Perëndim" (1957) tregojnë lindjen e një shoqërie të mbështetur tepër tek automobili. Rrugët, hekurudhat dhe urat janë shenja të tjera modernizimi dhe arritjesh në territore të reja amerikane. Por, ndërkohë, në këta qytete të mëdhenj Hopper na tregon edhe njerëz që shprehin keqardhje për Amerikën e Vjetër, e cila është duke u zhdukur.

Por, Edward Hopper, më së tepërmi është piktori i vetmisë, tjetërsimit e melankolisë, i personazheve anonimë, pamja e të cilëve nuk gjeneron asnjë emocion. Punët e tij në përgjithësi mishërojnë veçanti të gjendjes shpirtërore të amerikanit të shekullit XX, shoqëruar me situata izolimi, melankolie, vetmie dhe një erotizmi latent. Ajo çka ato transmetojnë, më së tepërmi, janë: heshtja, tensioni, refuzimi, melankolia. Shpesh, këta personazhe duken sikur janë në pritje të diçkaje. Në tablonë "Verë" (1943), një vajzë e re qëndron në këmbë, para një porte. Ajo duket sikur pret dikë që ta kërkojë. Skena është si e ngrirë. E vetmja lëvizje ndihet prej ajrit që lëviz perdet e dhomës.

Në disa vepra të Hopper evokohet edhe tema e lirisë së femrës. E emancipimit të saj. Një ecje drejt lirisë, por me figura shumë delikate dhe të pavendosura. Ai trajton po ashtu dhe subjekte erotike e nudo "Dritare natën" (1928), "Mesditë" (1945) "Grua në diell" (1961), "Dielli i mëngjesit" (1952). Edhe raportet burrë/grua bëjnë pjesë në disa prej punimeve të tij. Në "Hoteli pranë hekurudhës" (1952), një burrë shikon nga dritarja duke thithur cigaren, ndërkohë që e shoqja lexon pa i kushtuar atij, as vëmendjen më të vogël. Ndërsa, në tablonë "Mbrëmje në Cap Cod" (1939), paraqitet një çift që diskuton në një korridor. Në "Diell në një kafeteri", një burrë shikon një vajzë të re e bëhet gati t‘i flasë. E, në fund, në "Rruga me katër kalime" (1956), një grua duket se grindet me burrin e saj, ndërkohë që ai qëndron i qetë e pa shfaqur reagimin më të vogël ...


***

Zogjtë e Natës

Tabloja e shquar "Zogjtë e Natës" (Nighthawks - 1942) nuk është vetëm një nga veprat më të përkryera të Edward Hopper, por edhe nga më të shënuarat e artit modern amerikan. E ekspozuar në Institutin e Arteve të Çikagos, ajo i ka dhënë famë botërore autorit të saj dhe është kthyer në një ikonë të artit bashkëkohor amerikan. Ajo paraqet katër persona në një bar, natën vonë, diku në qendrën e një qyteti. Skena, me sa duket është frymëzuar nga një "diner" (restorant nate) në Greenwich Village, lagje në Manhattan, ku Hopper banonte. Rruga jashtë është bosh, e zhytur në errësirë të frikshme e, brendësia e barit, i rrethon ata si një enë hermetikisht e mbyllur. Asnjë personazh i tablosë, nuk të jep përshtypjen se kuvendon me dikë apo sheh nga tjetri. Dy prej tyre, përbëjnë një çift, ndërkohë që i treti është ulur vetëm, duke i treguar shikuesit të tablosë vetëm kurrizin. I vetmi kamerier i atij bari, vështron tej dritares, pa ua hedhur sytë klientëve. Duke e parë me kujdes këtë tablo, bie në sy fakti se në të, nuk shihet asnjë portë nga ku klientët mund të hyjnë a dalin, gjë e cila jep idenë e kufizimit të lëvizjes apo të rënies në kurth. Në fakt, lidhur me këtë tablo, Hopper ka mohuar që të ketë shprehur ndonjë ide të tillë, por ka pohuar se, ndofta "në mënyrë të pavetëdijshme, unë kam pikturuar vetminë e një qyteti të madh...".


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama