Dr. Moikom Zeqo Kritiket dhe letraret shqiptare provinciale!

Dr. Moikom Zeqo: Kritikët dhe letrarët shqiptarë, provincialë!

Një fakt i tillë, sipas studiuesit dhe letrarit Zeqo është vërtet për të ardhur keq. “Shqipëria është pjesë e botës si gjithë vendet e tjera, ndaj edhe në letërsi nuk kemi pse të mësohemi me idenë se ne shkruajmë ndryshe nga bota. Për këtë arsye duhet që gjithmonë të matemi me arritjet bashkëkohore”, - thotë mes të tjerash dr. Zeqo. Veç kësaj, Zeqo flet edhe për përmbledhjen e tij me poezi të zgjedhura, që pritet së shpejti të shohë dritën e botimit dhe të shënojë librin e 72-të të Moikom Zeqos në 40 vjet krijimtari. Veç problemeve të literaturës dhe kritikës së saj, biseda jonë trajton edhe çështjen e një debati tjetër të hapur para pak kohësh nga politikanët tanë mbi ndryshimet dhe rishikimet që duhet të bëhen në librat e historisë së Shqipërisë, sidomos për periudhën e realizmit-socialist.

Dr. Zeqo, jemi në prag të botimit të librit tuaj të radhës. A mund të na zbuloni se për çfarë bëhet fjalë?

Korpusi poetik i një autori përgjithësisht është një vepër që lidhet me studiuesit e letërsisë, pra një dëshmi që bëhet subjekt për studiuesit. Deri më sot ne nuk e kemi si parim botimin e korpuseve të tilla. Ndonjë rast si Kadare apo Agolli mund të kemi, që të jetë botuar vepra poetike, por jo plotësisht. Deri tani unë kam botuar dy vëllimet e para të korpusit tim poetik, me titull “Miscellanea”, që do të thotë “përzgjedhje” në latinisht. Vëllimi më i rëndësishëm është i dyti me poezi të viteve ’89-’95. Kjo për arsye se shumë krijues, mes tyre edhe të njohur, pas ’90-s, nuk e përballuan dot periudhën e krijimit të lirë dhe mbetën të stacionuar në veprat e Realizmit Socialist. Ata nuk ditën t’i shfrytëzojnë mjetet shprehëse, të pafundme në infinit, që ka arti i letërsisë. Ky problem lidhet me vetëdijen, kulturën dhe përgatitjen e krijuesit. Shpresoj që pas vitit 1991 të kem bërë veprën time më të mirë poetike, duke pasur parasysh rrafshin e asaj që quhet poezia europiane dhe botërore, sepse përgjithësisht letrarët shqiptarë vuajnë shumë nga koncepti i provincializmit. Një koncept ky i trashëguar që nga epoka e sistemit totalitar, por që ka ekzistuar edhe para tij. Tradita letrare në Shqipëri përgjithësisht nuk ka pasur ato arritje që shfaqen në traditat e vendeve të tjera duke nisur që nga fqinjët tanë.

Mendoni se kjo mungesë tradite vjen për shkak të pushtimit të gjatë turk dhe më pas të regjimit komunist, apo ka edhe faktorë të tjerë?

Unë mendoj se kjo vjen më tepër nga mospjesëmarrja e krijuesve në proceset dhe zhvillimet letrare bashkëkohore, nga mendësia dhe konceptet patriarkale etj. Këtu retorika poetike ngatërrohet me poezinë dhe konceptet e saj. Shohim që imitohen modele moderne, por që kanë dalë nga përdorimi aty ku janë përdorur. I vetmi shkrimtar që ka marrë pjesë në bashkëkohësinë e rrymave letrare është Migjeni. Ndihet që ai është vërtet modern dhe shkrimtar europian, ndonëse jetoi në kohën e kolosëve të mëdhenj botërorë. Janë shumë elementë të tjerë që ndikojnë në provincializmin letrar. Këtu do të shtoja elementin e talentit individual, sepse këto talente nuk bëhen në mënyrë progresive sipas kronologjisë. Mjaft të përmendim periudhën “Elisabetiane” gjatë së cilës dihet që ka pasur shumë privime, por kjo nuk pengoi aspak daljen e një gjeniu, siç ishte Shekspiri. Anglia e sotme ka liri dhe një zhvillim shumë më të madh ekonomik, por kjo nuk do të thotë se talentet që lindin sot janë më të mira se ato që dolën atë kohë. Pra dua të them se progresioni kronologjik mund të funksionojë në ekonomi, teknologji etj., por jo në letërsi. Talentet janë mistere të popullit që i nxjerr këto talente dhe kjo nuk ka shumë lidhje me gjendjen ekonomike të shtetit apo sistemin e tij.

Pra gjenitë thjesht vijnë dhe asgjë nuk i ndal dot?

Unë nuk jam nga ata shkrimtarë që besoj shumë të gjenitë. Gjeni bota ka shumë pak. Janë një Shekspir, një Dante, një Servantes e disa të tjerë... Unë flas për shkrimtarë të mirë, të cilët shkëlqejnë dhe lënë gjurmë. Ata janë shumë më të rrallë sesa mendohet. Megjithatë ky është një koncept i përgjithshëm, që lidhet me zhvillimin e letërsisë. Përsa i përket korpusit tim, vëllimin e tretë që del këto ditë, e kam bërë për ta krahasuar poezinë time jo vetëm me poezinë shqiptare, por edhe me atë që del sot kudo në botë. Nuk mund të ecim me konceptin që shkruajmë letërsi të shkëputur nga bota. Çdo lloj letërsie që shkruhet në Shqipëri është pjesë e letërsisë botërore, ashtu siç ne jemi pjesë e botës dhe kjo duhet kuptuar njëherë e mirë. Nuk mund të bëhet prova e vërtetë e niveleve letrare vetëm brenda për brenda traditës së një vendi. Ky është një koncept i ndërlikuar...

Autorët shqiptarë sot ende vuajnë nga provincializmi. Nuk i masin forcat e tyre me arritjet botërore, as me ato të fqinjëve. Këtu janë krijuar klane të veçanta, të cilat brenda tyre ngrenë në majat e letërsisë njëri-tjetrin dhe u mungon profesionalizmi. Kjo ka bërë që edhe autorët e rinj të infektohen nga një mendësi provinciale, duke krijuar delire të tilla që si proces kryesor kanë përjashtimin e të tjerëve. Natyrisht, këto janë procese të pashmangshme që ndodhin në letërsinë e çdo vendi. Por në fund, ajo çka mbetet është vepra dhe kritika serioze, e bërë jo për miqësi apo influenca klanesh letrare e politike.

Meqenëse përmendët kritikën, a e vuan dhe ajo si letërsia provincializmin?

Nëse në Shqipëri ekziston proza, poezia... kritika letrare nuk ekziston si institucion. Gjatë gjithë këtyre viteve ne nuk kemi arritur dot që të krijojmë institucionin e kritikës. Kritika jonë provinciale qëndron më shumë në nivelin e recensioneve, lëvdatave, apo sharjeve dhe porosive për të shkruar, sesa në atë që quhet shkencë letrare. Nuk njoh asnjë kritik shqiptar të shquar, apo njeri me pavarësi, si p.sh. Herald Blum, kritiku më i madh i kohës në Amerikë, ose kritikë të tjerë të cilët dinë të bëjnë analizë të vërtetë të stileve, individualiteteve, teknikave dhe vlerave të një vepre letrare.

Së fundi, ç’mendim keni për rishikimin e historisë?

Historia është shkruar njëherë. Tani nuk mund të ndryshojmë historinë e Skënderbeut. Edhe historia e 50 viteve të shkuara nuk mund të fshihet se nuk i pëlqen një pjese politike që është në pushtet, as të ndryshohet sipas interesave të klaneve të caktuara. Politikanët duhet të qëndrojnë larg historisë dhe t’ua lënë këtë punë historianëve, të cilët duhet të debatojnë, nxjerrin konkluzione shkencore dhe nëse është e nevojshme të bëjnë rishikime.

P. Grosi : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama